Sot në Ditën Botërore Kundër Kancerit Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaq premierën “Hope”

Sonte në Pallatin e Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 19:30, Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaq premierën “HOPE” (Shpresa) me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit, transmeton Portalb.mk.

Nga faqja zyrtare e Baletit Kombëtar të Kosovës bëjnë të ditur se vepra “Hope” është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës -përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën.

Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.

“Në terrin e frikës, një dritë lind ngadalë,
një shpirt që lëkundet, mes dhimbjes dhe mall.
E vetme qëndron, mes heshtjes së ftohtë,
por duar të ngrohta e ngritin sërish lart.
Mes dhimbjes dhe forcës, mes humbjes dhe shpresës,
një zemër që rreh, nuk dorëzohet lehtë.
Në dashuri gjen dritën e humbur,
në krahët e tjetrit, guximin e fshehur.
Dhe fundi sjell lulëzimin e saj,
një pemë që rritet nga loti dhe sharmi.
Sepse shpresa mbetet, s’ka frikë që e shuan,
në zemrat që duan, ajo kurrë s’fundoset “ .