Sot dhe nesër mbahet Konferenca Ndërkombëtare “Transformimi Digjital i Qytetarëve”

Sot dhe nesër në Shkup “Fondacioni Metamorfozis” e organizon Konferencën Ndërkombëtare “Transformimi Digjital i Qytetarëve”. Konferenca organizohet në formatin hibrid dhe do të mbahet në Hotelin Meriot (Shkup), ku një pjesë e pjesëmarrësve do të kenë mundësi të ndjekin fizikisht ngjarjen, ndërsa pjesa tjetër mund të ndjekë sesionet online përmes platformës ZOOM dhe përmes Facebook Live në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook.

Konferencën do ta hapin, Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre Përgjegjëse për Politikat për Qeverisje të Mirë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në Maqedoninë e Veriut dhe Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri –
Metamorfozis.

Folësit do të ofrojnë këndvështrimin dhe vlerësimin e tyre për avancimin e transformimit digjital duke vendosur në qendër nevojat e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim. Ky sesion do të ofrojë një bazë të fortë për diskutime të mëtejshme të fokusuara në krijimin e një ekosistemi digjital të qëndrueshëm dhe rezistent, ku çdo qytetar mund të përdorë në mënyrë të sigurt, efikase dhe etike shërbimet publike elektronike dhe të lundrojë në internet.

“Konferenca organizohet në frymën e një transformimi digjital gjithëpërfshirës dhe efikas të bazuar në nevojat e qytetarëve, që nuk lë hapësirë për cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut, e as për përjashtimin digjital të asnjë komuniteti. Ajo do të mbledhë përfaqësues të institucioneve, sektorit qytetar, medias, institucioneve akademike, aktivistë, praktikues dhe qytetarë, duke u ofruar atyre hapësirë për të eksploruar transformimin digjital përmes prizmit të e-qeverisjes inteligjente, ndarjes digjitale, privatësisë, inteligjencës artificiale, rezistencës kibernetike dhe luftës hibride.” thuhet në kumtesën e Fondacionit për Internet dhe Shoqëri –
Metamorfozis.

Agjenda gjendet në këtë LINK.