Sot dhe nesër kufizime në komunikacionin e Shkupit

Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar që sot dhe nesër do të ketë kufizime në komunikacionin e Shkupit për shkak vizitave nga zyrtarë nga vendet e ndryshme, transmeton Portalb.mk.

“Sektori për punë të brendshme në Shkup, saktësisht Njësia për sigurim të komunikacionit rrugor, më 10 dhe 11 shtator, për shkak mbajtjes së takimeve të liderëve në kuadër të Procesit Brdo – Brion, do të marrë masa kufiziuese për regjim të posaçëm për qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë”, sqarojnë nga Policia.

Policia theksoi që kufizimet kryesisht do të jenë në qendër të qytetit, aty ku pritet edhe të zhvillojnë takimet delegacionet nga shtetet e huaja.

Ndryshe, në takimin vjetor të Brdo-Brionit marrin pjesë përfaqësuesit nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Sllovenia dhe Kroacia.

Të rinjtë e Ballkanit, ndryshimet klimatike dhe eurointegrimet, janë çështjet kryesore që do të diskutohen në takimet ndërmjet palëve.