Sonte në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup do të shfaqet vepra “Esmeralda” e kompozitorit Çezare Punji
Sonte në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet një nga perlat e artit klasik të baletit, “Esmeralda” e kompozitorit italian Çezare Punji, transmeton Portalb.mk.
Historia e bukuroshes “Esmeralda”, e frymëzuar nga romani “Katedralja e Parisit” nga Viktor Hygo, do të interpretohet nën dirigjimin e të ftuarit nga Armenia, Eduard Ambarcumjan, me koreografi të koreografit të njohur rus, Mihaill Krapivin, skenografia dhe kostumet janë vepër e Zhivojin Trajanoviqit dhe Lupka Ristovskës. Mjeshtër koncerti është Jane Bakevski.
Rolin kryesor do ta luaj balerina e parë, Maria Kiçevska Shokarovska, në rolin e Febit do të luajë Francisco Himenez Ruiz (Spanjë), rolin e Fler de Lisit do ta luajë Simona Kolishtrkoska, kurse rolin e Gudulës do ta luajë Sasha Evtimova, e cila këtë vit shënon 25 vjetorin e veprimtarisë artistike si balerinë e shquar, pedagoge dhe koreografe.

Interpretojnë solistët, ansambli i baletit dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.
Baleti “Esmeralda”, i njohur për kompleksitetin e tij teknik, hulumton thellësitë e emocioneve njerëzore, duke ofruar në të njëjtën kohë shfaqje spektakolare kërcimi që tërheqin vëmendjen e publikut.
Kjo shfaqje krijon përvojë të paharrueshme baleti duke i nxitur shikuesit të reflektojnë mbi fatin, dashurinë dhe sakrificat që sjell jeta.
