Sonte në skenën e OBN-së do të ngjitet kryevepra operistike “Turandot” nga Xhiakomo Puçini
Sonte në skenën e Operës dhe Baleti Nacional në Shkup, me fillim nga ora 20:00, në kuadër të edicionit të 53-të të Festivalit “Netët Operistike të Majit”, do të vihet në skenë kryevepra operistike “Turandot” nga Xhiakomo Puçini, shkruan Portalb.mk.
Dirigjent i shfaqjes do të jetë Xhanluka Martinengi nga Italia, ndërsa regjia, skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga regjisori me famë botërore, Xhankarlo del Monako, emri i të cilit është sinonim i prodhimeve operistike të nivelit më të lartë. Për koreografinë është përgjegjëse Sasha Eftimova, koncert-mjeshtër është Jane Bakevski, ndërsa mjeshtre të korit: Gjurgjica Dashiq dhe Jasmina Gjorgjievska.
Në rolin kryesor të princeshës Turandot do të paraqitet sopranoja me famë botërore Veronika Xhioeva nga Rusia, në rolin e Kalafit do të performojë tenori kinez, Xh-Zhao Guo, rolin e Lius do ta interpretojë Biljana Josifov, rolin e Timurit-Vlladimir Sazdovski, ndërsa në rolet e tjera do të paraqiten: Dragan Ampov, Jane Dunimaglloski, Dejan Stoev, Dime Petrov, Marjan Nikolovski, së bashku me korin, orkestrën dhe ansamblin e baletit të Operës dhe Baletit Nacional.

“Turandot” është një operë në tre akte nga Xhakomo Puçini. Është shkruar mbi libretin e Xhuzepe Adami dhe Renato Simoni, bazuar në përshtatjen e Fridrih Shiller të dramës “Turandot” nga Karlo Goci. Puçini vdiq pa e përfunduar operën, e cila më pas u përfundua nga Franko Alfano. E karakterizuar nga një material muzikor “i pazakontë”, ku spikat përdorimi inovativ i korit dhe orkestrës, stili i Puçinit në këtë vepër është veçanërisht i njohur për meloditë e gjera dhe ekspresive. “Turandot” është e pasur me momente të bukurisë së admirueshme melodike, që kulmojnë në arien e paharrueshme të tenorit, një ndër më të bukurat në letërsinë operistike, “Nessun dorma” (Askush nuk flenë).
