Sonte në Prishtinë nis edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar `Moisiu`, pjesëmarrës edhe Teatri i Tetovës
Sonte më 22 nëntor, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ora 19:00 fillon edicioni i tretë të Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”. Për pesë net me radhë, Prishtina do të pulsojë nga energjia e trupave teatrale më të mira të rajonit, duke sjellë emocione dhe art skenik. Pjesëmarrës do të jetë edhe Teatri i Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, për mediat ka thënë se këtë vit publiku do të ketë mundësinë të ndjekë 9 shfaqje, mes tyre edhe komedi të suksesshme, si dhe të marrë pjesë në diskutime, panele dhe sesione kritike që do të mbahen gjatë ditës.
Sipas Mehmetit, veçantia e këtij edicioni qëndron te fakti se festivali këtë herë zhvillohet në Prishtinë, duke përmbyllur ciklin e parë të rotacionit, i cili filloi në Shkup, vijoi në Tiranë dhe tashmë në Prishtinë. Vitin e ardhshëm festivali rikthehet sërish në Shkup.
Në skenën e Prishtinës do të paraqiten shfaqje nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Eksperimental, Teatri i Korçës, si edhe nga teatrot e Gostivarit, Tetovës, Preshevës, Gjakovës dhe Prizrenit.
Programi i edicionit të tretë:
- 22.11 – “Si ta doni” – Teatri Kombëtar, Tiranë
- 22.11 – “Një dorëzim në Spokan” – Teatri Oda, Prishtinë
- 23.11 – “Vojcek” – Teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë
- 23.11 – “Na ishte njëherë” – Teatri “A.Z. Çajupi”, Korçë
- 24.11 – “Martesa” – Teatri Kombëtar, Prishtinë
- 25.11 – “Babai” – Teatri Kombëtar Eksperimental, Tiranë
- 25.11 – “Marrëdhëniet” – Teatri i Qytetit, Gostivar
- 26.11 – “Në përballje me vdekjen” – Teatri i Tetovës
- 26.11 – “Komedía e zezë” – Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren
- 27.11 – Ceremonia e mbylljes
Edicioni i këtij viti sjell diversitet artistik, interpretime moderne dhe një shkëmbim krijues që e prek publikun e të gjitha moshave.
Prishtina kthehet për gjashtë ditë në kryeqytetin e teatrit shqip, duke afirmuar rolin e festivalit si urë bashkëpunimi kulturor në rajon.