Sonte do të ndryshojnë çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut në mesnatë do të ndryshojnë çmimet e derivateve të naftës, duke shënuar rritje të benzina, ndërsa ulje te dizeli, transmeton Portalb.mk.

“Çmimet shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) ulen për 1,00 denarë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-95 nuk ndryshon. Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-98 rritet për 0,50 den/l. Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 0,683 den/kg”, njoftoi Komisioni Rregullator i Energjetikës.

Komisioni sqaroi që nga 2 prilli, çmimi i benzinës Eurosuper BS – 95 do të jetë 85 denarë për litër, Eurosuper BS – 98 do të jetë 87.50 denarë, Eurodizel BS 76 denarë, Vaji ekstra i lehtë 75 denarë, ndërsa Mazuti M-1 do të jetë 45.459 denarë.

“Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 2.4.2024. Tregtarët me shumicë dhe pakicë me derivate të naftës dhe lëndë djegëse për transport, mund t’i formulojnë çmimet e derivateve të ndryshme të naftës dhe lëndëve djegëse për transport edhe më të ulëta se çmimet më të larta që janë përcaktuar”, sqaroi Komisioni.