Sociologji suksesi: Mendësia “Mamba” (II)

“Çelësi që punon nuk ndryshket!”

Thënie popullore

Ky mentalitet i vetëkultivimit permanent edhe në kushtet më të vëashtira shfaqet te sekuencat nga jeta e vetë Bryant-it si: krahun e djathtë e thyer në gjips, ora katër e mëngjesit, me pixhame dilni në sallë dhe bëni mbi 500 gjuajtje në kosh; me tetivën akiliane të këputur qëndroni në fushë dhe ushtroni sa s’bën; vini në sallë më herët se roja, dhe ai ju lë çelësat për herën tjetër; në stërvitje, vini orë para të gjithëve dhe qëndroni shumë kohë pas të kenë nikur të gjithë. Vetëm ashtu mund të zgjidheni 18 herë në formacionin All-Star, të fitoni pesë herë kampionatin e NBA-së, dy herë të shpalleni MVP i finales, një herë i ligës, dy herë shënuesi më i mirë i ligës, dy medalje olimpike të arit me përfaqësuesen e SHBA-ve. Bryant nuk është dorëzuar edhe përkundër dështimeve: ka humbur 300 ndeshje, 26 herë s’ia ka qëlluar kur i ishte besuar topi/gjuajtja e fundit (game winning), por s’është ndalur së punuari në drejtim të objektivit.

Në kontekstin tonë, në veçanti rinia e sodit frekuenton “fabrikat e dembelisë”, kafenetë,  është anomike, është e orientuar eksternalisht, sytë i kanë kah tjetri, gjegjësisht kah prindërit e tyre që “duhet t’u sigurojnë gjithçka atyre”, te i afërmi në mërgim që “e ka obligim moral ta ndihmojë familjen”. Ndërsa urtia thotë: “Për çdo punë, puth dorën tënde.” Ky brez përpjekjen e kanë vënë në rend të tretë. Më tepër besojnë te fati që do t’u buzëqeshet sesa te kapacitetet, intelekti, muskujt dhe mundi individual. Ndërsa faktet sociologjike flasin se s’ka gjë të paarritshme nëse ka motiv, vullnet dhe përpjekje. Kultura jonë masive duhet t’i afirmojë storjet e suksesit të figurave vendore që kanë arritur majat, por edhe të atyre globale që janë më të konsumuara dhe mesazhi i të cilëve është më i akcesueshëm.

Mamba kultura duhet të jetë një nxitje dhe motivim për gjallni të përditshme; ajo mund të na bëjë tok me shpresën e pathyeshme se vetëm me punë arrihet, se s’ka gjë të paarritshme në këtë jetë nëse punojmë me hov të paprerë. Siç shprehet Aristoteli, “ne jemi ajo që panderprerë bëjmë; shkëlqyeshmëria nuk është akt por shprehi!” Trashëgimia e Bryant-it jeton përmes njerëzve të përkushtuar ndaj ekselencës, që besojnë se talenti është i dhënë nga Zoti, por se suksesin e arrijnë vetëm ata që janë të përkushtuar 100%. Mamba mentaliteti si alter ego e Bryant-it përfaqëson mentalitetin e përkushtimit maksimal (hyper focus), kërkimit të pafund të plotënisë, aftësinë për të hequr dorë nga e kaluara dhe për t’u zhvilluar vazhdimisht, për të qëndruar në këmbët vetjake.

Porosia për të gjithë ne është: të jetojmë me mendësinë Mamba, jo me tonën “rrambadamba”, me “sahatin përherë 12”, me absurden “s’e vras mendjen për asgjë”, ose thënien maqedonase “Нишај врата, земи плата!”  (Lëkund derën, merr pagën). Prirja për ekselencë është edhe mësim profetik: “Zoti kënaqet që kur të bëni një punë apo detyrë ta bëni atë si është më së miri!” Kjo qasje që ngërthen standarde të larta, kontribuon në ndërtimin e një jete më etike (Timpe, 1989), e një jete të standardeve dhe më humane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.