Sociologji popullore

Në këtë shkrim do të bëjmë sociologji popullore, do të shpërfaqim disa shënime nga bisedat e përditshme me njerëz nga masat që japin leksione të kulturës shoqërore dhe që pasqyrojnë frymën e autentike të popullit. Termi sociologji popullore i referohet mënyrës se si njerëzit e thjeshtë, jashtë universiteteve dhe katedrave, e kuptojnë, e interpretojnë dhe e shpjegojnë shoqërinë dhe rregullat e saj. Ndryshe nga sociologjia shkencore që bazohet në statistika dhe teori komplekse, sociologjia popullore bazohet te: (1) Përvoja e përditshme: Si ndërveprojnë njerëzit me njëri-tjetrin në kafene, treg apo lagje. (2) Zakonet dhe traditat: Rregullat e pashkruara që drejtojnë sjelljen (p.sh. mikpritja, nderi, besa). (3) Gjuha dhe proverbat: Mençuria popullore që shpesh përmbledh fenomene sociale në një fjali të vetme. Në vazhdim shkurtimisht do t’i zbërthejmë disa zëra të fundit që i kemi shënuar në regjistrin tonë digjital për t’i trajtuar më vonë:

‘Nona qetër’: Ose nëna tjetër, në rrethin e Shkupit (Derven) ilustron konceptin e nuses së axhës që konsiderohet si nëna biologjike. Nënë shpirtërore që është përkujdesur dhe ka falur dashuri gjatë gjithë jetës së saj për fëmijët e kunatës sa për fëmijët e vet. Është kjo një qenie e mëshirshme, solidare, dashamirëse, fisnike që sakrifikon gjithçka për të mirën dhe rritën e familjes më të gjerë. E dëgjuam para disa ditëve në një raste vdekjeje të një familjari tonë. Çfarë sensi, çfarë relacionesh të ngrohta humane që dita ditës shkojnë duke u zbehur! Vetë emërtimi flet.

Benllëk: “Nuk e kemi bërë për benllëk” – tha shtatëdhjetëvjeçari. Çfarë deshi të thotë B.  – pyeta veten. Dhe m’u kujtua fjala turke benlik, që do të thotë vetvetja, uni, por shpesh përdoret për të treguar mendjemadhësinë ose anën mbrojtëse të personalitetit (p.sh. “ka ego të lartë”). Miku ynë duke folur për   shtëpinë qëllimin e kishte të tregonte se ajo bëhet për të jetuar e jo për t’u treguar apo krekosur para të tjerëve. Pra, benllëku nënkupton një sens të paraqitjes mbresëlënëse para të tjerëve, duke u shitur apo krenuar me gjërat që kemi.

 Llatinkë – Shënim nga një plakë. Gra që vinin dhe shisnin gjëra të ndryshme nëpër katundet, që i shkëmbenin gjërat nga strajcat e veta (sita, dajre, tepsi, lodra) edhe me naturë, pra jepnin vegla kuzhine, gjëra stolie e merrnin para, drith, miell e të tjera. Fjalë e përdorur tradicionalisht nga shqiptarët (kryesisht në zonat e Veriut dhe në Kosovë) për t’iu referuar grave apo vajzave të besimit katolik. Disa autorë e ndërlidhin me paganët (Shehu, 2017). Në rastin konkret, bëhet fjalë për gra të përkatësisë rome që tregtonin duke ecur shtëpi më shtëpi dhe që nganjëherë edhe qitnin fall për gratë kurioze.

“Brezi i dhisë”: “Dhi e zgjebur e bishtin përpjetë!” – thotë populli. Në një bisedë me një prind më të ri se ne, na e rrëfeu hallin: “O çfarë kohe kemi mbërri! Mezi që mbledh çdo qindarkë nëga pazari, ku punoj qe 20 vite të plota, për ta bërë dasmën që e kam këtë verë, për t’i dalë në krye këtij gëzimi familjar. Dhe djali një ditë më thotë, ‘Babi duhet të mbledhim pare për në Dubai pas dasmës, në muajin e mjaltit!’” “Bretkosa, pa si mbathet kali, e ngriti edhe ajo këmbën.” Nuk mendon fare për gjendjen e vet ekonomike, shikon të tjerët, i ndjek verbërisht trendet pa menduar, pa racionalizuar. Imitues maksimalist. Brezi i rinistëve pa sedër, pa ndërgjegje, trendistë të palogjikshëm. Me pesë banka në xhep dëshiron të jetojë si djali i afaristit milioner.

Libreza e shëndetësisë: “Punoja në Kroaci gjatë kohës së Jugosllavisë në një firmë shtetërore të ndërtimtarisë dhe një ditë pashë në pasqyrë se më kishte dalë një gungëz në mollëzë. Vajta te shefi dhe më tha që të shkoj në doktor. Arrita në spital me gjithë uniformën e kaltër të punëtorit dhe i tregova mjekut se s’e kisha me vete librezën e shëndetësisë. “Ulu” – tha dhe filloi të më kontrolljë. Edhe një herë ia përsërita se s’e kam me vete dokumentacionin e duhur. “Ti je punëtor dhe s’ke nevojë për librezë shëndetësore. Veshja që ke është dëshmia më e madhe, është libreza jote.” Ky ishte sistem i sigurimit shndetësor, pa koklavitje, pa komplikime, që punëtorin e çmonte; sistem pa administratë sadiste. Sot kemi shumë instanca publike që për një imtësirë i ngatërrojnë punët sa s’bën. “Dushmanin vrae, hakun mos ja ha!” Vërtet epokë socializmi ka qenë, por ama ka pasë edhe gjëra të mira, siç ilustron ky rast.

Djem bobash: Djem që vijnë nga familje të pasura, me baballarë “të fortë” ose me pushtet, të cilët kanë mbrojtje dhe burime financiare të mëdha. Në zhargonin e viteve të fundit, “boba” u referohet personave që kanë peshë, para, ose influencë (shpesh të lidhur me botën e biznesit të fortë apo edhe grupet informale). Djem që ekspozojnë pasurinë e prindërve (makina të shtrenjta, jetë nate, udhëtime në vende ekzotike) dhe që sillen sikur janë mbi ligjin apo mbi të tjerët vetëm sepse kanë mbështetjen e familjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.