Sllatina që rrëzëllen rrëzë Sharrit

Sirija Etemi
Sirija Etemi

Ja kjo është Sllatina e ulur këmbëkryq në rrëzën e Sharrit që shuan etjen me Ujë Trëndafili që del nga burimet gurgulluese të bjeshkëve të gjëra e të larta që prekin edhe horizontet e kaltra të qiellit. Është ky vendbanim sa i lashtë, aq edhe epik – me banorët e ngulitur dhe të mbirë në këto troje përpara qindra e qindra shekujsh, kur Pollogu e Sharri banoheshin vetëm prej egërsirash,ku, stërgjyshërit dhe katragjyshërit den baba den, i zbutën ato – për të punuar tokën jetëdhënëse të Pollogut. Se, a kanë qenë ata bijtë e fisit Agrianë, Pajonë, Penestë a Dardanë, kjo nuk çon shumë peshë. Por, peshë çon fakti se ata janë këtu ku kanë qenë gjithnjë, për të kthyer këtë copë toke në shtëpi për të jetuar. E, pikërisht këtu, ata, pasi zbutën kafshët e malit dhe fushës, ruajtën bagëti e tubuan vathë; krijuan jetë të hijshme e mbushullime që lulëzonin; ndërtuan vendbanimin që, ndër rrathë kohe, krijoi nam e begati. Prandaj, kjo tokë do të lakmohet dhe atakohet nga pushtues të huaj, për ta vjedhur këtë thesar dhe begati; t’ua prishin jetën e hijshme banorëve të vyeshëm të saj… E, makutër e llaskuçë të tillë, nuk ishin të pakët. Ishin këta: maqedonë e latinë, grekër e romakë, gotë e ostrogotë, galë e vandalë, hunë e mexhnunë, sllavë e barbarë… Dimë edhe këtë se këta llupës të pangopur, këta lakmitarë e kusarë, lanë vetëm rrashtat në këtë truall të bekuar. Ndaj, u desh që këta paraardhës, gjithnjë të mbajnë armët pranë vetes në mbrojtje të atdheut të tyre të shtrenjtë – nga Perseu e Cezari, nga Samoili e Dushani, nga Mehmet Pushtuesi dhe Krajla e krajla serbë…

…E, historia kryeneçe vazhdon psherëtimën… Faqet e saja u pleksën me heka dhe bëma të njerëzve të kësaj gjeografie, shpesh “të harruar edhe nga Zoti”. Kjo dëshmitare e së kaluarës së ikur në heshtje e zallahi, konsiston të na rrëfejë për sfidat e kreshnikëve në log të  mejdanit me bajlozët që vinin nga detet dhe bjeshkët – betejat me krajla e vojvodë, me harambashë e subashë… Si në një skenë mahnitëse teatrore na brofin aktorët e rregjur me vringëllimat e shpatave e heshtave të Nipit të Madh të Pollogut – Skënderbeut. Dëgjohet ushtima e jataganëve të pollogasve të Dervish Carës, ku role të rëndësishme do të luajnë edhe shumë burra sllatinasë bashkë me atdhedashës tjerë të fisëm të kësaj ane, të cilët, në kërkim të drejtësisë e dinjitetit arritën deri në bythë të Perandorisë e në Sarajet  dhe Kullat e secilit pushtues që shkelën me këmbë dhe u mbetën kokat në këtë tokë të bekuar, ku në çdo cep flet historia…

Fshati Sllatinë, Foto: Fejsbuku i f.Sllatinë, Tetovë
Fshati Sllatinë, Foto: Fejsbuku i f.Sllatinë, Tetovë

  Emërtimi i vendbanimit dhe mikrotoponimia

Në rrafshin e gojëdhënave dhe supozimeve, të paktën deri më sot, ka mbetur emërtimi i fshatit në kohërat e lashta. Një gojëdhënë e banorëve të këtij vendbanimi thotë kështu:

”Dy vëllezër nga Fierishtja shpërngulen për të ra në Rrafsh.Të dy bashkë, njëri hypur në kalë, kurse tjetri në pelë, besatohen që kur të bien Poshtë – në Fushë, aty ku do të ndalen “kuajt”, do të ndërtojnë vendbanim. Dhe, zdirgjen teposhtë Luginës së lumit: Vëllau i madh hypur në kalë – në krahun e djathtë, kurse vëllau i Vogël hypur në pelë – në anën e majtë. Kali në të cilin ishte hypur i pari, ndalet në vendin me kullosa plotë:    l i e s k a, dhe mu aty ndërton një fortesë prej ku rrjedh emri i vendbanimit të sotëm Lieshka. Kurse pela ndalet më poshtë – Te Ujti shllejshët ose Shllishtina apo Sllatina.

     Sipas marrëveshjes paraprake, pasi që këtu ndalet pela, vëllau i Vogël fillon ndërtimin e fortesës, por meqë pelën e kishte barse dhe nuk donte ta angazhonte në punë për bartjen e gurëve, dhe se ende këta nuk ishin “nda”, ky shkon për të kërkuar ndihmë te vëllau i Madh. Pasi u takuan, ky e pyet se,  “ku është vendosur?”. Vëllau i përgjigjet: “n’ Sh ll e j sh t e j n’ “. Mandej, ky i tregoi për qëllimin e ardhjes te Vëllau i Madh në Leshkë, por tjetri arsyetohet se kali është vetëm i atij dhe se, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Pas shumë tentimesh “të kota”, u morrën vesht të kërkojnë ndonjë ndërmjetësues, pasi që këta vet nuk mund që të ujdiseshin. Të dy bashkë nisen rrugës rrëzë Malit, nëpër Mbigur (Biguër), ku pakëz më larg panë një plak Te Arrza (Tearca) dhe shkuan për ta pyetur e për t’ua pleqnuar punën. Pasi që edhe me këtë rast nuk gjetën mirëkuptim, atëherë plaku u tha të dyve: “Ti që ke kalin dhe nuk pranon t’ia lësh vëllaut tënd për t’i ndihmuar, për zemërngushtësinë e treguar nuk do të shtohesh, ndërsa ti që ke pelën, prit edhe ndonjë ditë sa të bëjë pela e ta kesh për punë dhe, me durimin tënd ti do të shtohesh shumë”. Kështu, ata, pas kësaj u kthyen secili në pronën e vet. Prandaj, prej atëherë, Sllatina nga një vendbanim i vogël shtohet dhe bëhet një ndër fshatrat më të mëdhenj në Pollog, ndërsa vendbanimi tjetër – Leshka gati është boshatisur i tëri.”

Dhe, kështu, legjenda mbetet legjendë e, tek ne akoma po gëlon hamendësia në formë të pyetjes së shtruar qëmoti, e që na vë përpara një sikleti evident: Si e ka patur emrin ky vendbanim në kohën e banuesve të parë të këtyre viseve dhe, ku mund ta gjejmë të shënuar më parë? Ky mister ngel si një element kimik ende i pazbuluar, por që dihen vetitë dhe pesha specifike e tij – për t’u evidentuar në sistemin periodik të elementeve. Duke u bazuar në parametrat komparativo – linguistike, me saktësi mund të thuhet se, emërtimi: S ll a t i n ë   është fjalë me prejardhje iliro – romake që don të thotë: Shllishtinë (Salatina – njelmësinë, ose në dialekt: Shllejshtejn; në të folmen e sotme të vendit: Sllatejn). Gjatë rrjedhës së kohës, kemi alternimin e Sh – së në S dhe asimilimin e Sh -së së mesme, dhe sot banorët e vendit e quajnë:    S ll a t e j n. Ky vendbanim, emrin Sh ll e j sh t e j n  e ka marë nga burimet e shumta të ujërave mineralë, ku edhe sot e kësaj dite, në këtë katund ka plot të tillë, bile, një vend në veriperëndim të fshatit, edhe sot e mot quhet Ujt’i shllejshët, kurse një vend tjetër më në verilindje quhet Ujt’i Tharët. Në qoftë se emërtimi i lartëpërmendur, nga ana e administratës së Car Dushanit është “kidnapuar” nga shqipja, që nuk është jashtë së vërtetës, atëherë nuk ka dyshim se, ky fshat,edhe

në lashtësi do të jetë quajtur: Shlle(j)shtinë. Banorët shqiptar e quajnë Sllatejna (në trajtën e shquar), pushteti ish jugosllav:  Sllatina; në dokumentet turke: Isllatina (si: Shkup – Iskyp; Shtip – Istyp etj, d.m.th. i shtojnë një “i” përpara emrit).

Toponimet në fjalë sipas prejardhjes do t’i paraqesim të ndarë në disa grupe:

PATRONIMET: Shejnuava, Abazuava, Kshtiët e Alirizës, Bunari Salihit, Bunari Mualla Bejtës, Vuari Xhip(ës), Ar’ e Rufat Agës, Ar’e Bajrëmit, Lidin’e Alitit Tishit (Fetishit); Kiepi Zemriis, Kiepi Ashimit, Kiepi Sallmënit (ky shkëmb është në formë pirgu, dhe, sipas gojëdhënës thuhet se Selmani ka qenë bari dhishë dhe është ngjitur në të, por e ka pasur shumë vështirë për të zbritur deri sa kanë ardhur bashkëfshatarët e tij), nga kjo i ka mbetur edhe emri; Stëni i Fejzës, Stëni Hajdar Agës, Stëni Muratit, Stëni Arifit, Jasejk’e Shaqirit, Taum’e Ziekës, Ar’e Palit, Ar’ e Xhixhës, Vuar’i Bulit, Alavejca, Ar’ e Ëmës.

FITONIMET(emërtimet sipas botës bimore): Te Lisa Trauç, Te Lisi Rum’llak, Te Di Vejdhët, Jasejk’ e Vuëgël, Jasejk’e Madhe, Tërshnejca, Krushët, Lethëjët, Dushkallejki, Vejdhi That, Te Vinieshtët,Te Fer’i Madh,Te Ferishtja. (Ferishtja -Vend në atarin e Sllatinës dhe fshatit të braktisur Breznë –në Sharr: me gjurmë të vendbanimit të dikurshëm, tani të mbuluar me fier dhe murriz. Me kalimin e kohës, banorët vendas kanë krijuar edhe legjenda për shpërnguljen e tyre, gjegjësisht se vendbanimi i parë i tyre ka qenë pikërisht këtu.

HIDRONIMET: Ujti Tharët, Ujti Shllejshët, Te Rieka, Uj Trëndafilit, Uj Ftuafët, Te Mullejt, Mullejni Avziis, Mullejni Idrizit, Mullejni Mualla Bejtës, Mullejni Feratit, Mullejni Xhafierit.

    TOPONIMET sipas pamjes (konfiguracionit) të vendit: Kuëdr’ e Gllavejnës, Hurdha, Çiftetash, Plluaça, Ras’ e Madhe, Ras’ e Vuëgël, Kulla, Çafa t’Kullëve, Vërtejsha, Klitishta, K’epët e Dierdhëm, Kiepi i Zi, Kiepët e Kuç, Padina, Kalinuava, Brenica, Grika, Bishte, Gjurishte (Tashllejk), Tërbaki, Biguri.

Fshati Sllatinë, Foto: Sirija Etemi
Fshati Sllatinë, Foto: Sirija Etemi

Emërtimet sipas udhëve: Udh’e Rie, Udh’e Brieznës, Udh’e Varvarës, Udh’e Kishës, Te Di Udhët, Udh’e Ngusht, Udh’e Ratajës, Udh’e Pajetishtës, Udh’e Hënit, Udh’e Guvidarit, Udh’e Briezit, Udh’e Tiarcës.
Toponimet SAKRALE (sipas vendeve të shenjta): Te Xhamëja, Te Kisha, Vejdhi Manasterit, Hendieki Manasterit, Manaster’ i Vjetër , N’Kallugjierit, Bafçja Kish, Te Kisha Shnikualla, Te gjur’ i shpaum-në Bigur (ku mbahen edhe Festat e Prillit – T’ejtet e Mdhoja).
ZOONIMET: Kiepi Hutit, Kalipica, Kiepi Shipes, Pupunca, Kuzarica.
TOPONIMET SIPAS OBJEKTEVE: Pajetishta, Lëm’e Shushiis, Te Lëmët, Te Shkualla.
TOPONIME TJERA: Kasapnejca, Zbiralla t’Puështra, Zbiralla t’iepra, Gumnishte, Topuki, Tear’e Hëmës, Vejdhi Amakit (Ahmakut), N’ibranik, Te Shnejki, Bllate, Te Çieshm’e Huëxhës, Xhibre, Te Zabieli Pqak, Te Çiesën Çeriep.

Vërtejshta dhe rruga për Prizren (Sipas gojëdhënave dhe dokumentave të vjetra)
Mbi Sllatinë shtrihet vendi i quajtur Vërtejshtë. Aty gjenden mbetjet e një kishe të moçme. Rreth saj janë varrezat. Aty fshatarët kanë gërmuar (dhe kanë prerë ) qeremide. Përreth këtij vadbanimi të dikurshëm, ka livadhe të braktisura. Është gojëdhënë e përcjellur ndër banorët e këtushëm se, dikur në Vërtejshtë ka patur katund, i cili më vonë është shpërngulur. (Se si e ka patur emrin ky vendbanim atëherë, nuk dimë). Banorët e moçëm të fshatit Sllatinë, por edhe të fshatrave fqinj, Leshkë e Breznë, kanë treguar se për arsye të fatkeqësive të ndryshme që kanë goditur këtë vendbanim (epidemia e murtajës, linxhira, madje luftërat, zjarret apo vërshimet), banorët e Vërtejshtës janë shpërngulur dhe janë ngulitur në fshatin Leunovë të Mavrovës, dhe, se, me vete kanë marrë edhe tapitë e pronave.

Për këtë flet edhe një gojëdhënë që është ruajtur ndër banorët edhe të Breznës, e cila thotë: “Dikur, mbas Breznës, në vendin e quajtur Vërtishtë (Vërtejshta, S.E.), ka ekzistuar një fshat i vogël. Banorët e këtij katundthi kanë qenë “latinë – katolikë”. Këta banorë i kanë vrarë Turqit, përveç një banori, i cili arrin të shpëtojë dhe të ikë në viset e Mavrovës, përkatësisht në Leunovë”.

Është me rëndësi këtu të theksohet fakti se, pas shumë shekujsh, ky territor ka filluar të ringjallet e t’i kthehet jetës e gjallërisë, por duhet të rikujtojmë faktin se këtë e bëri rruga të cilën banorët e Sllatinës e rregulluan që mbas luftës së 2001. Kështu me këtë aktivitet edhe u riaktivizua rruga e “fjetur” që dikur ka qenë funksionale dhe që ka lidhur Pollogun dhe Prizrenin.

Të flasim pak më detajisht edhe për këtë segment:
Sipas gojëdhënave dhe në bazë të dokumenteve të shkruara, nëpërmjet fshatit Sllatinë – Leshkë ka kaluar Udha që ka çuar deri në Prizren, (madje edhe deri në Shkodër e Adriatik), dhe ka patur të njëjtin drejtim me luginën e Lumit të Leshkës e Sllatinës – deri Te Mullejt. Nga këtu, pra Te Mullejt, në anën e majtë të lumit – në atarin e fshatit Sllatinë, dhe përmes Paetishtës (Pojatishtës) ka vazhduar deri në Vërtejshtë ku ka patur vendbanim; është ngjitur deri në Presllap për të vazhduar nëpër luginën e Lumbardhit të Tearcës, për të kaluar në anën e tjetër të Malit Sharr – në territorin e Kosovës, përkatësisht në Sret – Prizren, dhe për të shkuar mëtej përmes Kukësit drejt Shkodrës. Kështu, në këtë anë (në Sllatinë e Leshkë), deri më sot janë të ruajtura disa mikrotoponime të ndërlidhura ekskluzivisht me këtë Udhë, si: Te Krejpin dhent, Hanet (Udh’e Hënit), Pojatishtë (Udh’e Pajetishtës) dhe Vërtejsht, Vuari Bulës. Te lokaliteti: Hanet dikur ka patur han. Në Pajetishtë ka patur pojata (për qëndrim të udhëtarëve dhe ndërrim të kuajve). Në fund është Vërtejshta ku udha ka qarkulluar për të marrë nivelin e lartësisë deri në Presllap, Vuar’i Bulës, (varri ku është varrosur një grua muslimane – me mbulesë).

Kjo udhë ka vazhduar në terrenet e rrafshta të Pollogut në fushë përmes fshatrave: Zhilçë, Shemshovë, Siriçinë dhe Jerebinë (në Zhedenin e Vogël), për të dalë në autostradën: Shkup-Tetovë. Kjo udhë ka qenë aktive që nga mesjeta dhe vazhdon të funksionojë bile deri më sot. Para fshatit Zhilçë, në vendin e quajtur Kajçeec, kjo rrugë është kryqëzuar me rrugën që vinte nga Shkupi përmes Grykës së Dërvenit, duke përshkuar fshatin Pallaticë dhe për të vazhduar drejt Gostivarit. Në vendin ku janë kryqëzuar dy rrugët ka patur Hane dhe nallbanë, ndërkaq, në këto vende sot ka ara e livadhe, në të djathtë të rrugës për në Zhilçë e Shkup.

Struktura e fiseve dhe përqëndrimi i tyre në Sllatinë
Përkundër të dhënave për strukturën e fiseve të Sllatinës, të evidentuara në vitin 1947 antropogjeografi sllav, Jovan Trifunovski, këtu do të vëmë në spikamë të dhënat e qëmtuara nga banorët autoktonë të fshatit dhe të publikuara në librin monografik të autorit, Syrja Etemi: “Sllatina” (monografi), të botuar më 2005.

Kur flasim për f i s i n si afërsi gjaku të një grupi të vogël apo më të madh të popullatës që jeton në Sllatinë, por edhe që ka jetuar edhe më herët, patjetër të potencojmë edhe faktin se sllatinasët, sidomos në kohërat më të hershme, i jepnin rëndësi shumë të madhe njohjes së brezave të fisit, dhe që në vegjëli fëmijët dinin përmendsh, duke filluar nga vetja e tyre, emrat i çonin deri te i pari (i fisit). Por, kjo traditë deri diku vazhdon të mbijetojë edhe deri në ditët e sotme, në mënyrë të vazhdueshme – e prekur nga tendenca e zbehjes dhe venitjes. Kjo njohje dikur ishte jetike mbasi lidhej me të drejtat dhe detyrat, në raste gjaqesh, trashëgim pasurie, shitblerje tokash e lidhje martesore.
Sllatina si një vendbanim rural me popullatë të konsiderueshme shqiptare, përbëhet prej 14 fiseve, disa nënfiseve (barqe, vëllazëri), madje edhe disa kabileve të vogla, të cilat nuk u përkasin ndonjërit prej këtyre fiseve.

Fiset kryesore janë: Topallët, Kolët, Shkundet, Akulët, Mërlaskrët, Kapçet, Përrët, Odajt, Drizët, Masllarët, Dokurët, Trekalaçët (që janë ndër fiset më të mëdha dhe degëzohen në disa nënfise (barqe): Ibishallarët, Metallarët, Demallarët, Beadinallarët, Islamallarët, Bajramallarët dhe Xhelet.), Amoqet dhe Torbeshët – fisi më i madh në fshat me vëllazëritë apo nënfiset: Beadinët, Dënallarët. Etemallarët, Mustafallarët, Hulet, Hutët dhe Shilkët.
Familjet më të vogla që nuk u përkasin këtyre fiseve janë: Gaxhët (Sherif Shkodrëni) dhe Demçet (Muharemi Taipit).
Në Sllatinë ekzistojnë edhe 6 familje të vogla të ardhura, ndonjëra më herët, e, ndonjëra më vonë. Ato janë: Emini Shtrazës (nga Shtraza e Kosovës), Hakia i Grupçinit (nga f. Grupçin i Malit të Thatë), Vejseli i Orashës (nga f. Orashë), Xhema i Breznës (nga f. Breznë e Karadakut), Sabit Muhaxheri (nga Leskovci i Serbisë). Përveç shqiptarëve, ka edhe dy familje maqedone dhe dy familje rome.

Kur i paraqesim fiset, nënfiset (barqet, vëllazëritë), madje edhe familjet (kabilet) të cilat e përbëjnë këtë fshat, nuk mund të mos na imponohet pyetja kureshtare se, cila prej tyre është më e vjetra, apo cila është autoktone, e cila është e ardhur, madje, se, cili fis ka qenë i ngulitur gjithnjë në këtë vend ku gjendet sot, apo ka qenë i koncentruar diku tjetër, e shumë e shumë pyetje, të cilat ngelin pa përgjigje adekuate. Sido që të jetë, ne këtu do të shtrojmë ato të dhëna gjeneologjike të cilat i kemi qëmtuar nga kujtesa apo mbamendja e “pleqve” të fshatit (që nga vitet 80-ta), pa mos intervenuar dhe kontestuar ato dëshmi, me të vetmin qëllim, që, ato copëza kujtese t’i shndërrojmë në “scripta manent”, e, jo të ngelin vetëm “argumentum in silencio” (dëshmi të heshtura).

TOPALLËT – Ky fis nuk është aq i madh. Emrin e ka marrë nga i pari i tyre, i cili ka qenë i çalë ose topall. I pari i fisit ka qenë Sallahi. Janë afër me Kapçet dhe Mërlaskrët. Pjesëtarët e këtij fisi janë të vendosur në krye të katundit, afër Leshkës, por dy familje janë të koncentruara në anën e majtë të lumit-deri te Mullini Feratit.Në këtë vend ka qenë i vendosur edhe i pari i fisit.

KOLËT – E marrin emrin nga i pari i tyre, Nikollë (Kolë). Nga ky fis mesjetar, i cili vendoset shumë herët në Pollog, një vëlla përqëndrohet në Merovë, një në Radushë, Ali Karaxha i biri i Bajram Kolës vendoset në Sllatinë mbi rrugën e Kryqit, në anën e djathtë të lumit të Sllatinës.

SHKUNDËT – Etimologjia e emrit të fisit rrjedh nga fjala: Sku(o)nde, fis mesjetar ky që haset edhe në Shqipërinë Veriore. I pari i tyre është Mehmeti. Janë të vendosur të vendi i quajtur mbi Brenica e deri TE KRYQI – në anën e djathtë të lumit.

AKULET- Prejardhja e emrit të fisit rrjedh nga fjala shqipe: jakule, që don të thotë lurkë me jakë apo kapuç i gunës së bariut: popole, kaçule (Shih: F.F. Rr.). Pra, të parët e këtij fisi kanë bajtur, zakonisht veshje të leshta – lurkë e tirçi prej kashniku. I pari i këtij fisi në fjalë ka qenë dervish i sektit bektashian, i quajtur Bajram, i cili së pari vendoset në Teqen e Tetovës, kurse në Sllatinë vendoset përkohësisht në vendin afër Bigurit – rrëzë Sharrit, e mandej për t’u koncentruar në pjesën ku gjenden sot AKULET: nga rruga kryesore Tetovë – Jazhincë, përgjatë lumit të Sllatinës e deri te Kasapnejca. Si mëhallë është e vendosur në anën e majtë të lumit, kurse livadhet i kanë patur Te Gështenjat (K’shtijet), në anën e djathtë të lumit,afër Kolëve.

MËRLASKRËT – Janë të vendosur në pjesën prej Te Xhamia, deri Te Kapçet, me të cilët janë edhe afër si fis bashkë me Topallët dhe Përrët. Emrin e ka marrë nga onomatopea “mërr” dhe emrit laskër, d.m.th. shpendi, laskra. Emri i ka mbetur sipas gojëdhënës së njohur që vijon: Laskra duke tentuar për t’ua hëngër mishin e thatë të vjerun në pullaz, këta, për ta trembur atë, kanë thirrur: mërr, laskër. I pari i fisit është Sulejmani.

KAPÇET – Janë të vendosur në një paralele me Mërlaskrët. Emrin e ka marrë nga të parët, të cilët e kanë mbajtur veten shumë fodull – të rënduar me ornamente popullore të zbukuruara, sidomos me k a p ç e.
Fjala: kapç/e,a, është monedhë e vjetër. I pari i këtij fisi është Ferati (që është afër me Sulejmani – të parin e Mërlaskërve).

PËRRËT- Ky është një fis i vogël, i afërt (nga nëna) me Kapçet dhe Mërlaskrët. I pari i këtyre e ka emrin Salih, i cili ka luajtur shumë mirë në lodra, prej ku e ka marë emrin sipas dridhjes së thuprës së lodrës: përr – përr…

DRIZËT – Janë të vendosur afër Mërlaskërve. I pari e ka emrin Idriz. Është fis i vogël. Janë afër me Demçet.

ODAI (ODAJT) – Është fis i vogël që rrjedh nga fisi i madh shqiptar Berishë. I pari e ka emrin ODAI.

MASLLARËT – Janë fis kompakt, i cili është i koncentruar në anën e majtë të rrugës kryesore, karshi Mërlaskërve. I pari i fisit është Ramadani. Thuhet se janë afër me një fis homonim nga f. Leshkë. Të zgjërohemi pakëz këtu…(Një rrugë – në mesjetë që ka filluar nga Miletina – Pollaticë – Neproshten e deri në Leshkë e Sllatinë, ku është bërë Pazar, është quajtur sllavisht: Masllarski Put. Ndoshta edhe pjesëtarët e këtij fisi kanë tregtuar prodhime bulmetore në këtë Pazar, apo mos do të kenë qenë rojtar apo mbajtës të rendit në këtë rrugë. Për këtë emërtim nuk jemi gjithaq të sigurt, pasi fjala mas(z)llar, mund të rezultojë edhe me prejardhje turke: maz = kajmak, qumësht + prapashtesa mbiemërore “llar”, që në këtë rast do të indiconte emërtimin: udh’e bylmetit, emërtim ky që do të kundërshtonte prejardhjen sllave të tij).

DOKURËT – Për prejardhjen e emrit të këtij fisi kam dëgjuar një rrëfim nga Eshtref Zeqiri (banor i këtij fshati, i lindur më 1943), i cili për proviniencën e emrit d o k u r, thotë: “Sulejmëni i dokurëve ka pat dhen, e, ki i mer dhent ene i lan n’Vardar. Masi i lan, thkehet për n’kataund. N’xhimc t’udhës zateket me nji shka Leshke (ene ki çobën me dhen), e pejtën Sulën (shkenisht): – A ka shëm uj Vardari? Sula i thot: – Da, ima – do kura (shqip: Po, ka deri n’koçe). Dhe, kështu i ka mbetur edhe emri i këtij fisi: D o k u r a”. Ky fis gjendet ndërmjet Masllarëve, Amoqeve dhe Trekalaçëve, në të majtë të rrugës kryesore, karshi Mërlaskërve. I pari i këtij fisi të vogël është Sulejmani. Nuk kemi njohuri për afërsinë me ndonjë nga fiset ekzistues.

TREKALAÇËT – Disa nënfise e përbëjnë këtë fis të madh, i cili është jokoherent dhe i shpërndarë nëpër anë të ndryshme të fshatit. Prejardhja e emrit të fisit vjen nga fjala: trakalaçe, që ka kuptimin e një këmbaneje të vogël për të vegjëlit e disa kafshëve. (Shih: F.F.RR.). Sigurisht se, të parët e këtij fisi janë marrë me ruajtjen e bagëtisë së imët. Në këtë fshat janë të ardhur herët – nga Shqipëria Veriore, konkretisht nga Topojana e Lumës, ku një vëlla vendoset në Shemshovë, një në Dobrosht dhe një në Radushë, në Viti të Kosovës, etj. Në Sllatinë janë të koncentruar, pjesa më e madhe e familjeve, në anën e majtë të udhës kryesore – udhës së Shejnovës, Te Xhamia e fshatit.

AMOQET – Janë të afërt me Trekalaçët, të ngulitur në të majtë të Mëhallës së lartëpërmendur, që i ndan Lugji (Jazi), mbi Udhën e Kryqit, nga Ura e Azirit. Prejardhja e emrit vjen nga fjala: j a m o q e, që ka kuptimin e një eneje të vogël druri a metali, në të cilën shkrihet dhe mbahet gjalpi apo tëlyni. Kjo bën të kuptojmë se të parët e këtij fisi duhet të kenë qenë bylmetxhinj të dalluar. I pari i tyre është Amet Xhiki.

TORBESHËT – Edhe këtë fis e përbëjnë disa nënfise, dhe llogaritet ndër më të mëdhatë dhe më koherentët. Nënfiset (vëllazëritë) që e përbëjnë këtë fis të madh, janë: Mustafallarët, Hulët, Shilkët, Etemallarët, Hutët, Dënallarët dhe Beadinët. Thuhet se i pari i këtij fisi – Mustafa, i cili e pranon islamizmin, paraprakisht martohet me vajzën e Oroshit, e cila, para se të vdes gjatë lindjes, foshnjës ia vë emrin e burrit të vet: Mustafë, nga i cili rrjedhin Mustafallarët. Mustafa i parë martohet sërish dhe merr për grua një vajzë nga Cerova, nëna e së cilës ka qenë torbeshkë nga fshati Urëviç. Me këtë bën pesë djem, ku krijohen pesë nënfise që i përmendëm, përveç Hutëve, të cilët rrjedhin nga vëllau i Mustafës – Dineja, i cili martohet me një vajzë të fisit Hoti* (Hoda) nga Lokevica e Prizrenit, pasi që ky ka qenë qeraxhi apo rrogtar varganesh, dhe mbante lidhjet tregtare me Prizrenin dhe Shkodrën. Ky martohet dhe vdes i ri në këtë vend, kurse Mustafa merr djalin e vëllaut, Hodën dhe e rrit bashkë me fëmijët e vet, pasi që ky ka qenë edhe mirë nga idarja apo “takati” (gjendja ekonomike). Për Mustafallarët gjejmë një shkrim edhe në gazetën serbe të 30 qershorit, 1914: “Pijemont”, ku shqiptarët e krishterë i konsideron si “elemente serbe të viseve të shenjta sllave !” Kështu, jam i vetëdijshëm se për karakteristikat etnografike të popullatës së Sllatinës mund të flitet e shkruhet edhe shumë më shumë, por do t’u ngelë testament brezave me përgatitje profesionale që do të vijnë dhe të vazhdojnë gjurmimet dhe hulumtimet konsistente gjithëpërfshirëse në zbardhjen e gjithë të pathënave për këtë oazë karakteristike në të gjitha sferat.
_______
* Fisi Hoti
Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit.
Termi Hoti është shënuar si një emër personal më 1330. Më 1474, rajoni quhej montanee octorum, montanea attanorum (Malet e Hotit). Trajta e termit Hoti përmendet në raportin dërguar Romës, në shtatorin e vitit 1621, nga peshkopi shqiptar i Sap-ës dhe i Sard-ës, Pjetër Budi dhe në raportin kishtar të Pietro Stefano Gasprit, më 1671.
Një diplomat francez, Emil Vjetë, konsulli francez në Shkodër, ka cekur se Hoti kishte 400 shtëpi që përfshin 2442 katolikë, plus pesë shtëpi të tjera myslimane në trevën e quajtur Sunci.
Hoti, tradicionalisht, ka qenë fis katolik. Mbrojtësi i shenjtë i fisit është Gjoni i Pagëzuar, dita e të cilit (Shenjoni i Hotit) kremtohet për çdo vit, më 29 gusht. Ky fis e ka edhe festën dimërore të Shën Nikollës, e cila kremtohet tërë javën.
Disa familje në Hot, gjatë periudhës së sundimit Osman, u konvertuan dhe kaluan në fenë Islame. Megjithatë, ndasitë fetare nuk duket të kenë shkaktuar problem të mëdha Brenda fisit.