Skype sot ndaloi së funksionuari, dikur kishte qindra milionë përdorues

Pas 22 vitesh lidhjeje të njerëzve në mbarë botën, Skype ka ndaluar së funksionuari sot, duke shënuar fundin e njërit prej pionierëve të komunikimit në internet. Microsoft e njoftoi këtë në fund të shkurtit, duke i nxitur përdoruesit të kalojnë në aplikacionin Teams, transmeton Portalb.mk.

I lançuar në vitin 2003, Skype nuk ishte platforma e parë që u lejonte njerëzve të komunikonin falas nëpërmjet kompjuterit, por ndihmoi në popullarizimin e tij. Skype u ble nga Microsoft në vitin 2011 për 8.5 miliardë dollarë, blerja më e madhe e saj deri më sot. Ky aplikacion në atë kohë kishte një miliard shkarkime dhe qindra miliona përdorues, por popullariteti i tij filloi të binte me shfaqjen e WhatsApp, Facebook Messenger dhe Zoom.

Microsoft e ridizajnoi Skype në vitin 2017 me karakteristika që ngjanin shumë me rivalin Snapchat, me të cilat përdoruesit nuk ishin të kënaqur. Teams e mori primatin gjatë pandemisë Covid-19, kur njerëzit i zhvendosën aktivitetet e tyre të biznesit dhe personale në internet.

Duke njoftuar mbylljen e Skype, Microsoft u ofroi përdoruesve dy mundësi: të kalonin plotësisht në Teams me të gjitha kontaktet dhe bisedat ose të eksportonin të gjitha të dhënat e tyre nga Skype, gjë që do të jetë e mundur deri në janar 2026.