Sindikata e punëtorëve të RTK-së letër publike Kuvendit dhe Albin Kurtit: Kërkojmë ndërhyrjen tuaj urgjente për zgjidhjen e krizës

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), përmes një letre publike i është drejtuar kryeministrit, Albin Kurti, për të kërkuar ndërhyrjen e tij  urgjente në zgjidhjen e krizës së krijuar në RTK, transmeton Portalb.mk.

“Aktualisht, mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, dhe pas tyre qëndrojnë po aq familje që varen nga këto të ardhura për jetesën e përditshme. Kjo situatë është bërë e padurueshme, dhe rrezikon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe funksionimin normal të shërbimit publik të informimit në vend.
Ne si Sindikatë nuk po kërkojmë asgjë më shumë se zgjidhje konkrete dhe ligjore. Nuk jemi të interesuar për përplasje apo interpretime politike — ajo që na intereson është pagesa e punës së ndershme të punëtorëve të RTK-së, që për muaj të tërë e kanë kryer detyrën e tyre me përkushtim, pavarësisht vështirësive”, thuhet në letër.

Me këtë letër ata theksojnë se RTK gjendet në një krizë institucionale dhe financiare të thellë:
• Institucioni është pa Bord funksional,
• Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm është vakante si pasojë e moskompletimit të bordit,
• Aktualisht drejtimi i RTK-së po mbahet me ushtrues detyre, gjë që nuk është në përputhje me ligjin për RTK-në.

“Ne e dimë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është themelues i RTK-së, por ky institucion ende nuk i ka të krijuara trupat e tij drejtues, dhe si rrjedhojë kemi ardhur në këtë gjendje të rëndë. Kryeministër, ne si Sindikatë i gëzohemi rritjeve të pagave që po ndodhin në sektorë të ndryshëm në Kosovë, mirëpo kërkojmë nga ju që përmes deputetëve tuaj dhe institucioneve përkatëse, të mundësoni rritjen e buxhetit për pagat në RTK, ashtu siç po ndodh në gjithë sektorët tjerë publikë. Ju e dini rëndësinë e transmetuesit publik për shtetin, për demokracinë dhe për qytetarët. Prandaj, ju bëjmë thirrje publike që të ndihmoni RTK-në — jo vetëm për hir të punëtorëve të saj, por për hir të vetë funksionimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Për hir të 700 familjeve që varen nga ky institucion publik, kërkojmë nga ju të ndërhyni me çdo formë të mundshme për alokimin e buxhetit të RTK-së dhe zhbllokimin e situatës aktuale. Kryeministër, kjo kërkesë nuk është vetëm sindikale — është një thirrje njerëzore dhe institucionale për të shmangur kolapsin e një institucioni që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në letër.

Përveç Kurtit, Sindikata i ka dërguar letë edhe Kuvendit ku e njofton se RTK ka mbetur pa ushtrues të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm dhe kërkon gjithashtu marrjen e masave urgjente.

“Të nderuar përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së ju njofton se aktualisht në Radio Televizionin e Kosovës është krijuar një situatë e rëndë institucionale dhe funksionale. Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është e zbrazët, ndërsa ushtruesit të detyrës së kësaj pozite i ka skaduar mandati që nga e premtja e kaluar. Përveç kësaj, Bordi i RTK-së nuk është i kompletuar, gjë që e bën të pamundur çdo vendimmarrje ligjore dhe administrative. Si pasojë, RTK ndodhet në bllokim total, ndërsa 700 punëtorë janë pa paga, duke u përballur me një situatë sociale dhe ekonomike alarmante. Gjendja aktuale përbën kolaps të plotë institucional dhe njerëzor. Kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të ndërmarrë masa urgjente për zgjidhjen e kësaj gjendjeje dhe për të siguruar funksionimin e ligjshëm dhe të pandërprerë të RTK-së, në përputhje me ligjin dhe me përgjegjësinë publike ndaj qytetarëve”, thuhet në letër.

Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) protestuan më 6 nëntor pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.