Sindikata e Gazetarëve me apel për mbrojtjen e ekipeve gazetareske gjatë valës së të nxehtit
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Maqedoninë e Veriut u bën thirrje pronarëve, menaxherëve dhe redaktorëve të mediave që të respektojnë masat e Qeverisë dhe të mos dërgojnë ekipet e tyre në terren nëse nuk janë krijuar kushte për të mbrojtur kolegët e tyre nga vala e të nxehtit, transmeton Portalb.mk.
“Në të njëjtën kohë, Sindikata u bën thirrje aktorëve politikë dhe shoqërorë që të shmangin ngjarjet dhe fjalimet në natyrë, si dhe ngjarjet që kërkojnë qëndrim më të gjatë në një zonë ku temperaturat janë të larta. Sugjerojmë që ngjarjet e planifikuara më parë të rishikohen, të reduktohen ose të zhvendosen në vende ku ka kushte për punën e ekipeve mediatike. Sindikata kërkon që, nëse duhet të raportojnë drejtpërdrejt, gazetarët dhe punonjësit e medias të jenë të pajisur në mënyrë të përshtatshme nga media e tyre, t’u sigurohet transporti dhe të ofrohen pije freskuese, të gjitha në mënyrë që të shmangen situatat në të cilat do të rrezikohet shëndeti i atyre që ofrojnë informacion”, thuhet në deklaratën e Sindikatës.
Gjithashtu, siç shtohet në deklaratë, ekipet gazetareske që raportojnë për zjarret që kanë shpërthyer në të gjithë vendin në javët e fundit duhet të mbrohen në mënyrë adekuate, domethënë, atyre duhet t’u sigurohen të paktën maska dhe syze mbrojtëse, dhe mediat duhet të përpiqen të dërgojnë gazetarë zëvendësues për periudha më të shkurtra kohore, veçanërisht kur bëhet fjalë për situata të rrezikshme në të cilat përhapen gazra toksikë nga zjarret.
“Në të gjitha rastet kur shkelen kushtet themelore të punës së gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe personave të tjerë të angazhuar në procesin e raportimit, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias do të reagojë dhe do t’i raportojë ato në institucionet kompetente”, shtohet në deklaratë.
Për shkak të motit të nxehtë, Qeveria dje doli me rekomandime për mbrojtje nga temperaturat e larta.