Silvana Bajçinovci aktorja e (pa)harruar e Teatrit Shqiptar të Shkupit (FOTO)

Silvana jeton në Shkup, e harruar diku. Pak miq e përmendin, pak dëshmitarë të bukurisë së saj kanë ngelur. Dikush një ditë pyeti “Ku është Silvana e bukur?’’ e roleve të shumta në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Diku rrugëve të Shkupit, duke kujtuar humbjet e mëdha pas të cilave njeriu vështirë e merr veten. Për lexuesit e Portalb.mk, sjellim ekskluzivisht disa fotografi nga albumi i saj personal  dhe që janë të vetmet që prej sot do të qarkullojnë në internet kur të kërkohet emri i saj bashkëngjitur me një biografi që po ashtu do të jetë e para dhe shumë modeste në krahasim me punën e madhe që ka bërë.

Silvana Bajcinovci
Silvana Bajcinovci, foto e siguruar nga Portalb.mk

Silvanës kur i kërkova në telefon të bënim një intervistë, u përgjigj:”Më ke parë si jam, si dukem? S’jam për tu parë unë.’’ Kështu përgjigjet. Teatri me gjithë magjinë skenike që ka, nuk ka kujtesë, nuk mund të dëshmojë për të shkuarën. Aq më pak të dëshmojë për bukurinë e një gruaje si Silvana. Por ata që e kanë parë nuk e kanë harruar dhe e përmendin me raste të caktuara. Silvana ngelet nga aktoret pak të përmendura, kjo edhe për faktin se ka vendosur të tërhiqet plotësisht nga jeta mediatike.

Është e lindur në Stari tërg të Mitrovicës, në vitin 1955 ku e ka kryer shkollën fillore dhe të mesme. Qysh si e vogël ka treguar prirje dhe talent për artin skenik dhe ka marrë pjesë në shfaqje të nxënësve dhe në manifestime të ndryshme kulturore duke qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së publikut. Në Teatrin e Kombësive në Shkup sot Teatri Shqiptar  ka ardhur në cilësinë e aktores profesioniste në vitin 1975. Ka luajtur mbi 80 role ndër të cilat mbi 30 role kryesore.

Deri në fundin e viteve të 80-ta ka qenë yll i Teatrit të Kombësive kur pas tragjedive të rënda familjare është tërhequr dhe ka luajtur kohë pas kohe.

Silvana Bajcinovci
Silvana Bajçinovci, foto e siguruar nga Portalb.mk

Ndër rolet kryesore më të cilat ka mbetur në kujtesë të paharrueshme dhe në kujtesën historike të shënuar në monografitë e skenës teatrore janë: Sanija te ‘’Bashkëshortët ‘‘ e Muharrem Qenës, Antigona në tragjedinë ‘’Antigona’’ të Sofokliut, Fatimja e bukur në shfaqjen ‘’Zbutësit e njerëzve me sy zymyridi’’ të  Teki Dervishit, ‘’Nita’’ në shfaqjen e Josip Relës, ‘’Berta’’ në shfaqjen ‘’Anija e vjetër’’ e Reusl Shabanit, Kafsha në shfaqjen ‘’Pahintikë në ëndërr’’ të Xhabir Ahmetit, E fejuara në shfaqjen ‘’Mblesëria’’ të Çehovit si dhe shumë role tjera për të cilat nëse keni qenë dëshmitarë, ftoheni ta pasurojmë biografinë e kësaj aktoreje me qëllimin që kur të kërkohet emri i saj në ‘’google’’ të shfaqen të paktën disa rreshta për të.

Silvana Bajcinovci
Silvana Bajçinovci, foto e siguruar nga Portalb.mk

Silvana Bajçinovcin kritika e cilësonte si aktore të sofistikuar në të gjitha elementet e artit teatror. Si për nga loja, gjesti, aftësia e transformimit, për nga mënyra e artikulimit të fjalës artistike , zëri melodik, krijimi i raporteve me partnerët dhe impaktit me publikun lë mbresa të jashtëzakonshme.

Ka qenë  njëra ndër aktoret që ka lënë gjurmë në artin skenik të Maqedonisë dhe të hapësirave të ish- Jugosllavisë. Për punën e suksesshme ka marrë çmime të nivelit jugosllavë dhe republikan. Është nga aktoret e para që në atë kohë kur e kërkonte roli shfaqej “topless”.

Për të bukurën Silvanë jeta nuk qe e bukur deri në fund, por i paharrueshëm ngelet kontributi që i ka dhënë skenës së teatrit kudo ku ajo ka luajtur.