Siljanovska Davkova liroi katër të dënuar me rastin e Ilindenit dhe uli dënimet e katër të tjerëve

Me rastin e festës kombëtare të 2 Gushtit – Ilindenit, presidentja Gordana Siljanovska Davkova mori vendim për faljen e disa personave të dënuar, transmeton Portalb.mk.

Me aktin e faljes, katër të burgosur lirohen plotësisht nga vuajtja e mëtejshme e dënimeve me burg. Këta janë:

  • Rade Zdravko JovanoviQ nga fshati Krivolak, Komuna e Negotinës.
  • Albert Tarzan Alievski nga Kavadari.
  • Nikolçe Ljube Kostadinovski nga Kumanova.
  • Zejadin Sali Miftari nga fshati Çerkez.

Përveç tyre, katër të dënuar të tjerë morën falje të pjesshme – domethënë ulje të dënimit të shqiptuar:

  • Emir Nadir Jonuzi nga fshati Sllatinë, Tetovë – dënimi i tij u ul me 3 muaj
  • Kole Petre Talevski nga Manastiri – ulje me 3 muaj
  • Çushkov Jordan Sasho nga Velesi – dënim i ulur me 3 muaj
  • Ismaili Xhelal Jetmire nga Gostivari – ulje e dënimit me burg me 6 muaj

Ky vendim është marrë në përputhje me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjin për Faljen. Ai do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Kujtojmë se vendimet për falje të vitit të kaluar nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova ngjallën reagimin e opinionit. Pasditën e 24 tetorit, ajo thirri në takim gjashtë anëtarët e Komisionit për Falje, i cili erdhi pikërisht pas këtyre reagimeve, pasi disa prej emrave që ishin në listën e të falurve në me rastin e festës 23 Tetori – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, ishin persona të diskutueshëm. Takimi erdhi edhe pas arrestimit të Akif Ravmanoskit, njërit prej personave të falur nga Siljanovska-Davkova, për të cilin mediat raportuan se është një nga liderët e grupit kriminal “Baron”. Më 24 tetor, dy ditë pas shpalljes së vendimit për faljen e tij në “Gazetën Zyrtare”, duke dalë nga burgu “Idrizovë”, ai ishte sërish i dyshuar për një vepër tjetër të kryer dhjetë ditë më parë, përkatësisht përfshirjen në një incident të armatosur në lagjen Çair.

Pas këtyre ngjarjeve të gjithë anëtarët e Komisionit për falje dhanë dorëheqje, për siç i tha arsye personale dhe profesionale.