E kam thënë edhe më herët se në shtetet e sëmura nga ileti me gjenezë mesjete janë të lejuara deklaratat shoviniste të orientuara kundër të drejtave të tjetrit, ndërhyrjet në drejtësi, inskenimet e konflikteve ndëretnike, instrumentalizimi i medias dhe pitbullëve të saj me njëmijë privilegje, hajdutëria e kapadainjëve, që e pandehin veten Diell e shtetin çiflig babe. Ndërkaq, të jashtëligjshme, të palejueshme, të ndaluara, të dënueshme, antishtetërore, grushtshtetërore… janë vetëm aktet e publikimit të pisllëqeve që mund të prishin imazhin e teleisur të parësisë së demokracisë në paterica.
E sipërthëna përligjet në veçanti në kohë zgjedhjesh, kur nisin të vlojnë marshet revolucionare, fjalimet patetike, fiks-idetë hegjemone të mendjerobëruarve dhe komplekset e atyre që duan t’i sundojnë të tjerët, që shtetin e duan, jo ashtu siç është: multietnik, multigjuhësor, multikulturor e multifetar, po si shtet nacional të një etnie të vetme. Lexoni pjesën ballore të programit të fundit zgjedhor të partisë VMRO, dëgjoni premtimet e prijësve të tyre për të ardhmen e RMV-së, për ta kuptuar se janë thelbesisht të orientuar kundër gogolit shqiptar, kundër gjuhës dhe identitetit të tyre, që rrezikuakan shtetin e kombin biblik!?
Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo vaki nuk është e sotme. Para disa vitesh, qëndrime jokorrekte ndaj shqiptarëve manifestoi partia e profesorit J. Baçev, pikëpamjet e të cilit nuk dallojnë nga ato të zgjedhjeve të fundit.
Sipas profesorit: Republika e Maqedonisë duhet të jetë shtet nacional i popullit maqedonas me të drejta të garantuara për pakicat. Kuvendit të Maqedonisë i duhet një parti e fortë nacionale dhe atdhetare, jo partitë që bëjnë koalicione më shqiptarët.Në RM gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase, ndaj duhet të zhbëhet ligji për dygjuhësinë.Të bëhet regjistrimi i popullatës dhe të shpallen të pavlefshme të dhënat e regjistrimit të falisfikur i vitit 2002, në të cilin pakica shqiptare doli rrejshëm 25.17 % . Maqedonia duhet të jetë shtet unitar, pa mundësi konfederalizimi a autonomie eventuale për dikë. Duhet të kthehet patjetër organizimi territorial i shtetit para vitit 2004 – duhet të kthehen kufijtë e vjetër komunalë të Kerçovës dhe Strugës…
Po kaq patetik dhe i drejtëpërdrejtë qe dhe profesori L. Ristevski, asokohe kryetar i partisë Konservative, i cili u përpoq t’u tregojë të tjerëve se si duhet atdheu dhe kombi. Natyrisht, edhe ky kërkoi formimin e një Qeverie Atdhetare. U kërcënua se: gjithkush duhet ta dijë se Maqedonia është shtet i popullit maqedonas, ndaj, që të jetë e tillë duhet urgjentisht t’i priten krahët shqiponjës shqiptare, që rrezikon ekzistencën e maqedonasve… Pas këtyre marifeteve të dëgjuara dy dekada më herët edhe nga regjizori L. Georgievski, profesor Ljupçoja u përpoq të zbutë kërcënimet dhe tha se politika e tij qenka edhe në të mirë të shqiptarëve, të cilët, pasi të shkrihen brenda kombit maqedonas, do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat.
Për këto lëvizje që kërkojnë të bëjnë shtet monoetnik atje ku ai nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë, nuk do të shkruaja po të mos përkonin me planet dhe programet e rrezikshme të partive maqedonase, si partia e kryeministrit aktual, i cili përpiqet që të rregullojë marrëdhëniet ndëretnike sipas principit të kombit të vetëm maqedonas…
Këtë ide e kishte në kokë edhe ish kryetari i LSDM-së, Zoran Zaevit, i cili, në njërën prej zgjedhjeve të fundit, i premtoi VMRO-së se do t’i japë 13 deputetë për ta bërë shumicën, nëse ajo fiton më shumë vota se LSDM-ja, duke kërkuar të njëjtën ta bëjë edhe VMRO-ja, nëse korr fitore LSDM-ja, me qëllim që asnjëra parti maqedonase të mos jetë e varur nga kushtëzimet e partive shqiptare.
Këto oferta të përçudnuara që synojnë margjinalizimin e etnisë së dytë më të madhe të vendit, nuk do të përsëriteshin sa herë që ndërrohen pushtetet, po të mos bëheshim edhe ne hisedarë të së keqes…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.