Si të zgjidhen nyjat?!

Shkruan: Vebi Bexheti 

(Vështrim analitik për dramën “Nyjat”, të autorit Refet Abazi dhe shfaqjen e saj në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit, të datës 7 dhjetor 2023, me regji të Kushtrim Bekteshit). 

Aktori i mirënjohur tetovar i skenës së teatrit dhe i filmit, tanimë shumë i afirmuar si artist në këto hapësira dhe jo vetëm, Refet Abazi, ka kohë që njihet edhe si dramaturg. Pas romanit të parë “I kujt është Joni “, ai vazhdoi të merret me skenar dramash, i sigurt se do ia dalë me sukses edhe kësaj sfide, që do e kompletonte angazhimin e tij në fushën e artit skenik e filmik. I tërë ky angazhim i tij zhvillohej paralel me aktivitetin profesional si aktor, që shumë shpejt u ngjit në majat e sukseseve duke shkelur shumë skena në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e rajon, madje përmes disa festivaleve të teatrit dhe filmit, të vendit dhe të qendrave evropiane ai shkëlqeu edhe në arenën ndërkombëtare.

Duke njohur realitete të fateve të njerëzve në shoqëri, që si aktor i kishte mbajtur mbi supe, pas një përvoje të gjatë në skenat teatrore dhe në ekranet filmike, ai i hyri edhe sfidës së krijuesit, që e kishte nisur me romanin e parë. Një aktor me aq përvojë, që kishte realizuar disa role të rëndësishme, nuk e pati vështirë t’i hyjë edhe betejës krijuese, duke i dhënë dramaturgjisë shqiptare disa drama, kryesisht me temë aktuale, pasi e kishte konstatuar krizën e sistemit të vlerave, ndryshime këto që u paraqitën në fazën e stërzgjatur kalimtare nga një sistem në tjetrin. Kësaj kërkese të kohës për vepra dramatike, që i kërkonte aktualiteti, mbase edhe ky realitet shoqëror duhej të paraqitej para publikut, autori Refet Abazi iu përgjigj guximshëm, i vetëdishëm se do ia dalë me sukses, duke i goditur të gjitha dukuritë negative shoqërore të kohës.

Drama e tij e parë “Akuariumi”, u shkrua në vitin 2006 dhe u vu në skenë nga regjisori shumë i ri atë kohë, Kushtrim Bekteshi, i cili ka kohë që është bërë sinonim i mjeshtërisë regjisoriale në vend e rajon. Emri i Refet Abazit, tanimë shumë i njohur në këto hapësira, vazhdon me suksese të reja, si në lojën skenike, ku u dallua si aktor i madh, ashtu edhe në veprimtarinë krijuese, si autor i shumë dramave, disa nga të cilat i sollën shpërblime për dramën më të mirë. Në vitin 2014 e botoi librin “Jetë me qira dhe drama tjera”, me dramat: “Jetë me qira”, “Akuariumi”, “Darka e thërrimeve” dhe “Heshtje”. Edhe pas kësaj përmbledhjeje të botuar, ai vazhdoi të shkruajë skenar, dramash, disa nga të cilat u shfaqën në skenat e teatrove shqiptare.

Ky artist i veçantë do thoja, që përveç jetës skenike në teatër, dashurisë së parë të tij, asaj të ekraneve fimike dhe si autor tekstesh dramatike, u dallua edhe si pedagog i shkëlqyeshëm për shumë gjenerata të studentëve, që janë përcaktuar për këtë profesion që kërkon sakrificë por që të dhuron edhe kënaqësi.

Nga gjithë këto angazhime dhe bashkëjetesë me artin, ai e njohu jetën e njeriut, psikologjinë e tij në rrethana të caktuara shoqërore, e ndjente shpresën për jetë më të mirë, por dhe zhgënjimet që i solli koha. Nga  sukseset e arritura si aktor e krijues, me veprën dramatike “Nyjat”, Refet Abazi, si duket e arriti kulmin, që njëherësh është edhe dëshmi se kryevepra të këtilla priten edhe në të ardhmen nga ky autor. Vet titulli i dramës është metafora e ngërçit për një shoqëri të pa perspektivë, ku janë nëpërkëmbur vlerat individuale, familjare, morale dhe kolektive të njeriut, që kanë mbetur nën hijen e matrapazëve të pashpirt, të cilët qëllim të vetëm i kanë paratë e të mirat tjera, që i sjellin postet e larta. të sistemit të korruptuar politik.

Intuita krijuese artistike e autorit përmes këtij simboli vetëm sa e konstaton këtë pengesë për të ecur përpara, e që është nyja e vështirë për t’u zgjidhur. Shprehjet frazeologjike me vlera etnolinguistike, që në qendër e kanë fjalën “nyjë”, si psh: Nyja( Noja) lehtë lidhet, vështirë zgjidhet (zgidhet), M’u lidh nyjë (noje )buka n’fyt (fejt)etj., flasin mjaftë për kuptimin metaforik të saj, që përdoret në të folmet shqipe të rajonit të Sharrit të Tetovës, dhe jo vetëm, prej nga e ka prejardhjen edhe autori Refet Abazi. Kjo fjalë me shtrirjen e saj frazeologjike dhe shprehje të tjera, që i hasim në tekstin e kësaj vepre dramatike, si: “Jeta të përzhit (përzhejtën) si flija nën (nër) saç”, “Rrotullohet si (rrotllohet)si qeni ( çeni) kur e kafshon (e kaçën) bishtin e vet”, ” Lale lule “etj., gjithsesi i kanë ndihmuar autorit për t’i vënë në shërbim të konceptit krijues artistik të fenomenit të të jetuarit nën ethet e frikës nga elementë destruktiv, që nuk i hapin rrugë ecjes përpara dhe zhvillimit normal të individit në shoqëri.

Kjo vepër, jo rastësisht u dallua në mesin e shumë shfaqjeve, në Festivalin e Teatrit Shqiptar “Mojsiu” të Tiranës, duke u shpërblyer me vendin e parë , si tekst më i mirë dhe dy vende të para për rolet më të mira, ashtu si edhe në Festivalin Shtetëror të Maqedonisë,”Vojdan Çernodrinski, që u mbajt në Prilep, ku po shtu vendi i parë iu dha dramës “Nyjat”. Tema gjithëpërfshirëse, që trajton kjo dramë, e që prek çdo pore të një shoqërie të korruptuar, ku nuk funksionon shteti juridik e ligji, do mbetej vetëm një konstatim i autorit, nëse do mungonte shumësia e këndvështrimit të personazhit strumbullar, Ustait, rreth të cilit sillen gjithë personazhet tjerë. Kjo vepër do dilte e zbehtë, nëse personazheve , që me aq mund i ndërtoi autori, përveç konteksteve shoqërore në veprimet e tyre, do u mungonte edhe kontekst shpirtëror, madje edhe lidhja e krye personazhit me tradicionalen dhe pikëpamjet e tij për shumë fenomene, përfshirë edhe ato metafizike.

Ky personazh në dialog me ata që e rrethonin i mbronte me këmbëngulje idetë mbi jetën, fatin e njeriut, vdekjen, moralin, faktorin “kohë”, modernizmin teknologjik që e silli koha ,etj., i vetëdijshëm se vetëm kështu do u bëjë ballë teorive, ligjeve dhe rregullave, që i kishin sjellë ata që shtetin e konsideronin si pronë të veten. Ballafaqimi i të mirës me të keqen, apo i djallit me Zotin, më qartë vërehet në dialogun mes Ustait, këtij njeriu të thjeshtë e leckaman që mblidhte hedhurina, me antitipin e tij, Predikuesin, njeriun me tërë vetitë antinjerëzore, si produkt i një shoqërie dekadente, që individin e konsideronte vetëm si numër, të zhveshur nga tipare njerëzore, sidomos në kohë zgjedhjesh “demokratike”. Personazhi i mjeshtrit që ecte rrugës duke kërkuar klientë, për t’i dorëzuar gjërat e vjetra, që do i riparonte, sepse si ustah që ishte, ai riparonte gjithçka, madje shëronte edhe zemrat e thyera, e nëse nuk do kishte sukses në shërimin e tyre, ishte në gjendje t’u vente nga një gurë të ftohtë mbi to, për t’i aktivizuar të luajnë vetëm rolin e një pompe, të zhveshur nga funksione tjera emocionale, që duhet t’i ketë njeriu normal.

Figura atipike në karakterin e të cilit zënë vend filozofia tradicionale e trashëguar nga të parët malësorë, mençuria e fituar nga përvoja jetësore dhe koha moderne që e përjeton me aq dhembshuri, me sukses i përballon të gjitha të ligat e njerëzve, që sillen vërdallë rreth tij, duke e konsideruar si një plak leckaman të matufosur, por që shumë shpejt e kuptojnë mençurinë, fisnikërinë dhe ndjenjën që ai ka për këta njerëz, të cilët për interesa dhe lakminë për pozita pushtetare, që do u sjellë para rrugës më të shpejtë, më të shkurtër e më të pandershme, janë tjetërsuar dhe kanë dalë nga vetvetja. Këtë fenomen të tjetërsimit të tyre, Ustai e kupton, prandaj bashkëbiseduesve ua bën me dije se pas identitetit të tyre të rremë fshihet tjetër individ, ai i vërteti.

Këtë realitet të hidhur që e solli koha, autori përveç tjerash e paraqet edhe përmes shfrenimeve seksuale të disa personazheve, siç janë Drini dhe Lea, grua e martuar, që pendohet shumë vonë për aventurat e bëra, mbase e vriste ndërgjegjja për tradhtinë ndaj burrit, Drenit, mjekut të përkushtuar në profesionin e vet si kardiolog që e dashuron bashkëshorten me të cilën i lidh edhe dashuria për djalin, Durimin . Lea me ndërgjegjen që e vret për veprimin që bëri, e kërkon shkurorëzimin nga bashkëshorti, për ta vazhduar jetën e shfrenuar, edhe pse ai ndjehet burri më i lumtur në botë me një bashkëshorte si Lea. Ajo largohet përgjithmonë duke u ndarë edhe nga djali, për të cilin do kujdesen babai dhe gjyshërit.

Foto nga shfaqja "Nyjat" e dërguar nga Vebi Bexheti
Foto nga shfaqja “Nyjat” e dërguar nga Vebi Bexheti

Luftën për pushtet përmes punëve të pista, autori e paraqet edhe mes dialogëve e veprimeve të personazheve tjerë, siç janë, Lejla e Genti, i cili e josh shefen e zyrës, i bindur se përmes këtij veprimi, do e ketë më lehtë të ngjitet shkallëve të karrierës. Kjo lidhje intime e për qëllime karriere, që ndodh në zyrën e shefes e cila nuk mund t’i rezistojë ngacmimit seksual të këtij nëpunësi, madje pa ndonjë dashuri, është një realitet i kohës dhe dukuri që shpesh ndodh në këtë kohë pa kohë, që vazhdimisht sjell nyja, që vështirë mund të zgjidhen. Se është kështu e dëshmon edhe Genti me deklaratën makabre të tij, kur shprehet: Nëse duhej, edhe me kufomë do e bëja, vetëm e vetëm t’ia arrij qëllimit.

Çifti bashkëshortor, Zana dhe Bedriu janë dy personazhet që autori i vendos mes kësaj katrahure ngjarjesh, me plot nyja, familje kjo që i vuante gjithashtu pasojat e këtyre çrregullimeve shoqërore, pikërisht se Bedriu dikur kishte çuar jetë të çrregulluar, duke i lënë dy fëmijët, Drenin dhe Drenushën, vetëm nën kujdesin nënës Zana, e cila e di përgjegjësinë e të qenit nënë, përkundër disa nënave të reja, që i solli koha që më tepër kujdesen për vijat e trupit se sa për fëmijët, madje që shumë lehtë ato mund t’i lënë rrugëve e jetimoreve. Përmes Zanës, nënës me përgjegjësi prindërore, që kujdeset edhe për bashkëshortin e sëmurë e plot mendime të mbrapshta, që çojnë deri te xhelozia për afrinë e bashkëshortes së tij me doktorin, djalin e tyre, që nuk e njihte, ashtu siç nuk e dinte se e kanë edhe një vajzë, diku jashtë, Drenushën, e as nipin e tyre Durimin, që si duket e paralajmëron zgjidhjen e aq shumë nyjave të grumbulluara të njerëzve të kohës dhe fateve të tyre.

Genti, personazhi negativ, një vegël në duart e pushtetarëve, që e shfrytëzojnë për interesa të veta, e që shpreson se së shpejti do bëhet pjesë e atyre që udhëheqin, urdhërohet nga Predikuesi ta vrasë plakun e urtë, Ustain, këtë njeri, nga i cili kishin mësuar të gjithë. Lakmia për kasollen e tij dhe truallin, që nuk e shiste, përfundoi me vrasjen e tij nga pushtetarët e mafisë urbane, përmes dorasit, që ishte Genti, pa e ditur se tapitë për atë pasuri paraprakisht ai ia kishe falur Lejlës, foshnjës së dikurshme pesëditëshe, të hedhur në mbeturina, e të dërguar në shtëpinë e fëmijës, nga Ustai. Ajo tani është avokate nga e cila, ky plak bujar e i mençur shpresonte se do punojë me drejtësi dhe me çdo kusht do e mbrojë atë, për t’i shpëtuar njerëzit e pafajshëm e të nëpërkëmbur.

Kjo vepër dramatike me një strukturim tekstor të mrekullueshëm me mesazh të qartë, e me temë aktuale për kohën e sotme, që zbulon nyjat e lidhura shtrëngueshëm, e që e pamundësojnë zhvillimin normal të jetës shoqërore dhe të botës shpirtërore të individit, gjithsesi nga autori është shkruar për t’u shfaqur në skenën teatrore. Një vepër dramatike e pashfaqur para publikut, mbetet vetëm një krijim artistik, që duhet vlerësuar nga kritika letrare dhe nga lexuesi, ashtu si çdo vepër tjetër. Meqë dramaturgët, veprën e shkruajnë për t’u shfaqur në skenë, në fazën kur realizohet shfaqja punën e tyre e vazhdon regjisori, i cili e ka të drejtën e plotë, që projektin ta paraqes, sipas konceptit të vet të realizimit, madje duke pasur të drejtën e ndërhyrjes, por gjithmonë me kujdesin për moscënueshmërinë në thelb të veprës.

Edhe në rastin e shfaqjes së tekstit dramatik “Nyjat”, të dramaturgut Refet Abazit, regjisori ende i ri për nga mosha, Kushtrim Bekteshi, por me një bagazh që peshon rëndë në veprimtarinë e tij regjisoriale, me disa filma e mbi 20 realizime teatrore e në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, madje me një projekt të realizuar në Sarajevë, i hyri guximshëm regjisë së kësaj vepre, i sigurt për suksesin, pas përvojës së parë regjisoriale, madje që në kohën paradiplomike, të dramës, “Akuarium”, gjithashtu të parën, e autorit, Refet Abazi. Regjisori Bekteshi, që në leximin e parë të veprës “Nyjat”, të shkruar në vitin 2015, shprehu interesim për regjinë e shfaqjes. Pas premierës në janar të vitit 2022 në Teatrin e Dramës Shqipe në Shkup dhe disa reprizave në Shqipëri e Kosovë, përfshirë edhe disa festivale, ku u stolis me çmimin për vendin e parë, ky regjisor, tanimë shumë i afirmuar në hapësirat shqiptare, dhe jo vetëm, më datë 7.12.2023, këtë dramë sërish e vu në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Pas disa shfaqjesh të mëhershme, regjisori nuk e pati vështirë ta realizojë me sukses edhe këtë reprizë, aq më pak të një vepre dramatike me temën e preferuar të ij, që trajton probleme të ndryshme sociale të një shoqërie të pa konsoliduar në këtë fazë kalimtare, që s’i dihet fundi. Edhe në këtë projekt, ai punon me dashuri, dhe ndjeshmëri për t’i përjetuar ngjarjet me një sërë episodesh të lidhura me njëra tjetrën, edhe nga këndi i zanatit të vet. Ashtu si në shumë shfaqje tjera, edhe te “Nyjat”, regjisori Kushtrim Bekteshi, e shfrytëzon të drejtën, të bëjë ndonjë ndryshim, në kuptimin e zhvendosjes së ndonjë skene apo edhe të heq ndonjë pjesë teksti, ashtu siç mund të shtojë diçka. Kësisoj ndryshimesh, apo edhe ndërhyrje, te kjo dramë nuk janë të theksuara, mbase, kjo shfaqje trajton realitetin e kohës, me gjithë defektet që prodhon shoqëria, qasje kjo që do ishte ndryshe, nëse do bëhej fjalë për një dramë të autorëve klasikë, ku regjisori ndërhyn më tepër në tekst për tia përshtatur mesazhin kohës kur shfaqet drama. Ndërhyrje të kësaj natyre të regjisorit Bekteshi, janë vërejtur në disa nga dramat e klasikëve të mëdhenj.

Në rastin konkret, që e kemi temë tjatimi, nuk vërehet ndonjë ndërhyrje e dukshme e regjisorit, përkundrazi, ai si duket është në harmoni me autorin, mbase puna e regjisorit, në njëfarë mënyre kërkon edhe një bashkëveprim me komponentë tjerë, siç është edhe eksperti i skenës, muzikologu, kostumografi etj. Siç dihet, pa autorin e tekstit, as që do kishte nevojë të bëhet fjalë për një shfaqje, ashtu siç nuk do kishte sukses një shfaqje pa regjisor, por pa aktorët, të cilët janë përcjellës të drejtpërdrejtë të mesazhit të veprës te publiku, vepra dramaturgjike do mbetej vetëm një tekst leximi. Aktorët janë ato, që para spektatoreve qëndrojnë të zhveshur nga individualiteti i tyre, ashtu të tjetërsuar, duke hequr dorë nga vetvetja.

Përzgjedhja e aktorëve dhe ndarja e roleve, edhe në këtë rast i përgjigjet plotësisht kërkesës së personazheve të kësaj shfaqjeje, si në aspektin e përvojës së jetës skenike, aftësive profesionale, moshës, pamjes fizike dhe vetive tjera, që sipas vlerësimit të regjisorit do i plotësonin kushtet për ta përcjellë mesazhin e veprës te të pranishmit në sallën e teatrit. . Rolin kryesor të shfaqjes, atë të Ustait në mënyrë të shkëlqyeshme e realizoi aktori Adem Karaga, mjeshtri i lojës skenike, që ashtu si zakonisht, edhe në këtë shfaqje solli plot emocione te shikuesit. Ky aktor e ndjeu, dhe e përjetoi fuqishëm rolin qendror te veprës, atë të Ustait, personazhit më të kompletuar, në personalitetin e të cilit e gjeje njeriun e varfër, por shumë të pasur shpirtërisht, njeriun e ditur dhe mbledhësin e mjeteve e veglave të vjetra shtëpiake, që grumbullonte për t’i riparuar. Ademi, me tërë vetitë intelektuale e me përvojën, që kishte në veprimtarinë skenike, madje edhe si regjisor nëpër skena të vendit dhe jasht, i qëndroi besnik personazhit të veprës, me tërë nuancat shprehimore të botës së tij subjektive. Përmes imazhit që vet e krijoi gjatë përvojës në jetës artistike, raporteve me bashkëbiseduesit, që në këtë rast janë antitipa të tij dhe mesazhit që përcjell, Adem Karaga me sukses të plotë e kurorëzoi misionin që ia kishte besuar regjisori Kushtrim Bekteshi. Gjuha e pastër shqipe e këtij artisti, intonacioni i zërit, shprehjet dhe mënyra e artikulimit përmes nuancash, që i kërkonte momenti dhe lëvizjet skenike si një udhëtar rebel e leckaman, pa kompleksin e një ustai, që ushtronte një zanat, tanimë të dalë jashtë kohës, por i pakontestueshëm dhe bindës në ate që thoshte, e bënë personazhin më të dashur para spektatorëve, që u fali aq shumë dashuri, ashtu si edhe trishtimin, kur u qëllua për vdekje nga dorasi i shtyrë nga hienat e një shoqërie të deformuar që e kishte sjellë koha.

Çifti bashkëshortor , Beadini dhe Zana, i realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme nga aktorët veteranë, që një jetë e kishin shkrirë në skenë e ekran, Bislim Muça, nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teuta Ajdini, në lojën e tyre, plot momente e përjetime gjatë jetës së tyre bashkëshortore, e shpeshherë edhe me fatin e lidhur nyjë, për shkak të veprimeve jo korrekte të burrit bashkëshort, që nuk ishte pjesë e vuajtjeve për rritjen e dy fëmijëve, të cilët, as që i njihte, meqë kjo barrë i mbeti nënës. Ashtu si aktori shumë i njohur, mjeshtri i madh i teatrit dhe filmit në hapësirat shqiptare, Bislim Muça, edhe Teuta Muça, që i përkiste taborit të personazheve pozitivë ia dolën, që më mjeshtërinë e tyre, t’i kënaqin të pranishmit në sallë, duke i qëndruar besnik personazheve të veprës, dhe udhëzimeve të regjisorit.

Një aktor tjetër, në rolin e doktorit kardiolog, anëtar i kësaj familjeje, që duket e kishin zgjidhur nyjën e problemeve familjare, por jo pa pasoja, Osman Ahmeti, në mënyrën më të mirë të mundshme, me lojën skenike të një njeriu, që nuk ka të përbashkët me taborin e atyre që mendojnë vetëm për karrierën e tyre dhe rrugën sa më të shpejt, për të arritur atje, e realizoi me sukses misionin e njeriut human, bashkë me brengën për shëndetin e pacientëve, ndër të cilët ishte edhe babai i tij. Profesionalizmi, etika mjekësore, qetësia, durimi, madje edhe raporti korrekt me bashkëshorten, që kërkon divorc, të cilën e dashuronte ende, edhe pas vendimit të saj për t’i thënë lamtumirë bashkëshortit dhe djalit, janë vetitë e tij, në harmoni të plotë me personazhin e veprës, Drenin. Predikuesin, që mendoj se si emërtim nuk i përgjigjet plotësisht rolit që e ushtron, në shfaqje e sjell aktori Fisnik Zeqiri. Edhe këtë rast shohim një veprim të lojës skenike të tij, plotësisht në harmoni me karakterin e këtij personazhi, që vjen si rezultat i një shoqërie ku më tepër vlerësohet një njeri pa identitet dhe i zhveshur nga veti njerëzore, që mendon vetëm për para. Rolin e personazhit të Predikuesit ky aktor e përjetoi dhe e realizoi me sukses të plotë.

Aktorja me përvojë të gjatë, po në këtë teatër, Amernis Nokshiqi, ashtu si gjithmonë me guxim e përgjegjësi të plotë, shkëlqeu edhe në rolin e Leas, gruas së martuar, shefes së një zyre, që shpejt bie në dashuri. Për personazhin e Leas, dhe aventurës së saj, në momentet kur e harroi se ka një burrë dhe djalin e saj, autori i veprës e ka thënë fjalën e vet, ndërsa për aktoren Amernis dhe lojën e saj, jo edhe të lehtë për ta realizuar para publikut, nund themi se ajo në çdo rrethanë të një mjedisi të skenës e realizon natyrshëm dhe pa komplekse rolin e vet. Me të njëjtën ngarkesë me lojën skenike, që then tabu në skenë, u paraqit edhe aktorja Sabina Memishi e cila e ndjeu shpirtërisht rolin duke u njësuar plotësisht me fatin e një vajze të rritur në jetimore, me plot nyja gjatë jetës dhe kërkesës së personazhit. Kjo aktore e ndjeu gjithashtu rolin e disa fazave të veprimit skenik, atë të aventurave dhe jetës së shfrenuar, atë të dialogut më plakun e urtë, Ustain të cilin e konsideronte më tepër se baba, dhe atë të punës si avokate.

Aktori Mentor Kurti e ndjeu gjithashtu rolin e besuar, të personazhit Genti, këtij nëpunësi zyre, që shkallëve të karrierës don të ngjitet, përveç tjerash, edhe si një dashnor i përkohshëm, si vegël e më të mëdhenjve dhe ndërmjtësues për realizimin e punëve të ndyta e kriminogjene.

Beni si personazh vepre, që e kishte përjetuar, jetimoren bashkë me Lejlën, e që në tekst vjen përmes bisedës telefonike dhe fjalës së Predikuesit, nuk është pjesë e kësaj shfaqjeje, prandaj mbetet i parealizuar përmes ndonjë aktori.

Edhe roli i Erdi Xhemailit, djaloshit simpatik në rolin e Durimit, ashtu si edhe i shoqëruesit të Leas, Ibraim Xhemailit dhe atyre të Predikuesit: Hetem Hetemi, Rrahim Ramadani, Abedin Alimi, si dhe i policit të parkut , punëtorëve, dhe qytetarit, vetëm sa e rrumbullakësojmë suksesin e këtij projekti. Realizimi aq i suksesshëm i kësaj shfaqjeje, nuk do arrihej pa skenografinë e mrekullueshme të Betim Nezirit, të cilit gjithsesi i ndihmuan edhe kushtet teknike në skenën madhështore të këtij teatri të rinovuar me një hapësirë që i plotëson kushtet për një shaqje, me aq personazhë, e skena që ndërroheshin aq shpesh.

Thellësia e sfondit, që i plotësonte kushtet për pamje të shumta skenike, siç ishin, dhoma e gjumit, zyra, kasolle e Ustait, madje edhe pjesë të qytetit, parqe e bulevar me ulëse, ku dukeshin edhe pastrues, që bënin punën e vet, ishte shumë e rëndësishme për realizimin cilësor. Gypat e shumtē vertikalë, që falë teknikës lëviznin lehtë dhe sipas nevojës, madje duke e paraqitur edhe pamjen e çatisë së kasolles të Ustait, ishin gjithashtu një risi për këtë skenë.

Kostumografja Emira Ymeri, gjithashtu e kishte kryer punën e vet me përgjegjësi e profesionalizëm, madje pa ndonjë kostumografi të përgatitur vetëm për këtë rast, meqë bëhet fjalë për një dramë bashkëkohore. Pamja e veshjes së personazhit të Ustait ishte e veçantë, ashtu si edhe kostumet me ngjyrë të zezë të shoqëruesve të disa personazhëve. Muzika, e kompozitorit Trimor Dhomi, që i shoqëronte pamjet skenike, ishte në harmoni të plotë me atmosferën e krijuar gjatë interpretimit, sidomos ajo e zhurmës së bubullimës dhe shiut të furishëm mbi çatinë e kasollës së Ustait.

Kënga e Nexhmije Pagarushës ishte risi dhe prurje shumë e qëlluar, që shfaqjes i dha ngjyrim artistik kombëtar.

Suksesi i shkëlqyeshëm i dramës “Nyjat” dhe shfaqja e saj nga trupa e Teatrit të Dramës Shqipe të Shkupit në skenën moderne po të këtij teatri, as që mund të vihej në dyshim, kur dihet se është rezultat i përbashkët i punës profesionale të autorit Refet Abazi, regjisorit Kushtrim Bekteshi, dhe Adem Karagës në rolin kryesor, me gjithë aktorët që ishin pjesë e kësaj shfaqjeje.