Qytetarët do të presin edhe katër vite objektin e ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës

Nuk ka ndryshim të afatit për lëshimin në funksion të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Qytetarët do duhet të presin edhe katër vjet të tjera deri në vitin 2027 kur ky institucion pritet të hapë dyert, shkruan Portalb.mk.

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska e pyetur nga Portalb.mk se kur do të lëshohet në përdorim ky objekt dhe nëse ka ndonjë ndryshim në dinamikën e punimeve, ajo radhiti arsyet për shtyrjen e punimeve. Ministrja theksoi se objekti i ri duhej të përfundonte me vendim të Qeverisë deri në vitin 2026 por se pati ndërprerje të ndërtimit për shkak të Covid-it, për shkak të fondeve më të ulëta në buxhet, për shkak të krizës energjetike dhe të tjera.

“Tani dinamika ka ndryshuar, shpresoj që më së voni deri në vitin 2027, dhashtë Zoti, do të mund të përfundojmë diçka më herët, se teatri do të jetë tashmë aty, se biblioteka më në fund do të vendoset atje”, tha Kostadinovska Stojçevska.

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet 13 vitendërtohet 10 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 4 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë. Ndërkaq së fundmi kishim edhe zhvendosjen e bibliotekës në hapësira të tjera brenda Pallatit, që shkaktoi përplasje midis Bibliotekës dhe Ministrisë së Kulturës.

Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky Teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.

Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Enti Shtetëror i Statistikave vitin e kaluar bëri të ditur se Teatri i Tetovës ishte teatri më i frekuentuar nga publiku për sezonin teatror 2021/2022. I vetmi teatër profesional i Maqedonisë së Veriut që kishte frekuentim mesatar prej më shumë se 200 spektatorësh ishte Teatri i Tetovës, ku mesatarisht kishte 204 shikues për shfaqje. Megjithatë, kjo përsëri nuk ishte faktor për të motivuar institucionet të intensifikojnë punimet që ky objekt të përfundojë sa më shpejtë.

Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bilbiotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.