Shtatë persona, prej të cilëve dy fëmijë, janë helmuar me klor në pishinën e një hoteli në Ohër

Shtatë persona, prej të cilëve dy fëmijë, janë dërguar në spitalet në Ohër dhe Strugë meqë pas notit të djeshëm në pishinë të mbyllur në një hotel në bregun e Liqenit të Ohrit, kanë filluar të shfaqin shenja të helmimit me klor, njofton Portalb.

Rasti është denoncuar dje në orën 19:55 në Sektorin për Punëve të Brendshme (SPB) Ohër.

“Në Spitalin e përgjithshëm në Ohër janë dërguar M.R.(24), A.B.(19), që të dytë nga Ohri dhe J.A.(45) dhe A.P.(37) nga Shkupi, ndërsa në Spitalin e përgjithshëm në Strugë janë dërguar Gj.A.(42) dhe dy fëmijë minorentë, të gjithë nga Shkupi”, informojnë nga SPB Ohër.

Policia ka kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin janë njoftuar edhe prokurori publik, Inspektorati sanitar dhe shëndet[sor, Inspektorati i punës dhe Qendra për Shëndet publik. Punohet në zbardhje të rastit.