Shqipëria u eliminua nga Euro 2024 pas humbjes me Spanjën

Shqipëria i dha lamtumirën Kampionatit Evropian të Futbollit 2024 në Gjermani, pasi u mposht 1:0 nga Spanja në sfidën e fundit të Grupit B, transmeton VOA.

Ferran Torres shënoi pas vetëm 13 minutave lojë në ndeshjen e së hënës mbrëma në Duseldorf.

Shqipëria e mbylli grupin në vendin e katërt me vetëm një pikë, pas dy humbjeve dhe një barazimi dhe largohet përfundimisht nga kampionati.

Shqipëria humbi ndeshjen e parë ndaj Italisë 2-1, barazoi 2-2 me Kroacinë dhe humbi 1-0 me Spanjën.

Ndeshja e sotme ishte një tjetër provë se përse Spanja është pretendente për titullin Euro 2024.

Spanja e mbyll grupin me pikë të plota në vendin e parë.

Shqipëria mund të ketë ndjerë shansin për të bërë histori dhe për të kaluar në rrethin e 16 më të mirëve në Euro 2024 ndërsa mijëra tifozë të saj të veshur kuqezi krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme përpara fillimit të ndeshjes, në një mbrëmje verore buzë lumit Rhine.

“Më vjen keq për rezultatin. Ekipi dha më të mirën. Duhet të mësojmë të luajmë në nivele të tilla”, tha trajneri i kombëtares shqiptare Sylvinho.

“Duhet të ëndërrojmë dhe jemi të lirë ta bëjmë këtë ,por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, kjo e sotmja nuk na garanton asgjë”, tha trajneri spanjoll Luis de la Fuente.

Shqipëria nuk mundi përsëri të shmangte një humbje ndaj Spanjës, por ekipi shqiptar kthehet në shtëpi pa humbur krenarinë pas përballjes në një grup të vështirë, që e vuri kundër ekipeve si Spanja, Italia dhe Kroacia.