Në sfond, tingujt e kitarës të një melodie latine i jepnin edhe një nuancë më të bukur pamjes piktoreske të kryeqytetit norvegjez, Oslos. Kolorit shtesë padyshim që janë qytetarët e saj, të sigurt, vendosur por edhe të gëzuar sepse shijojnë të qenurit qytetarët e njërit ndër shteteve më të fuqishme ekonomikisht në botë, ku të gjithë indikatorët makroekonomik i kanë në “top”, dhe gëzojnë prestigjin e të qenurit njerëzit më të lumtur të planetit, me standard më të lartë të jetese në botë, kur rrjedhimisht standardi i jetës është i lidhur ngushtë me kualitetin e jetës.

Por, në një korrelacion krahasues, për një moment shpërqendrohet vëmendja dhe lind dilema “a do kemi edhe ne shqiptarët ndonjëherë “Norvegjinë tonë”?!” Pyete sa skeptike po ashtu ne aspektin e zhvillimeve të fundit, stratosferike ne kontekst të kohës për një “ëndërr” të tillë. Gjithmonë e kemi pasur opinionin se një shtet pa resurse natyrore, një shtet i vogël me popullsi dhe me territor është kthyer një “mision i të së pamundurës” se mund të kemi një shtet të zhvilluar ekonomikisht.
Bota njeh shumë shembuj të tejkalimit të këtij misioni të së pamundurës dhe se vende të vogla qoftë si territor thyen mitin e të mëdhenjve, në shumë indikator të zhvillimit ekonomik dhe financiar, duke u shndërruar në “tigra” dhe ”dragonj” të Azisë dhe Amerikës Latine, dhe sindroma e së qenurit shtet i vogël tejkalohet me sukses. Ka shumë vende që kemi emërues më të vogël të përbashkët dhe mund të merren si modele që mund të strukturoren dhe të instalohen në sistemin tonë.
Ne fjalë thotë: ”Kur nuk din çka të bësh, shiko se çka bëjnë tjerët”. Gjykoj se ka shumë modele dhe shembuj që duhet ndjekur, por si fillim duhet arsyeja dhe dëshira. Arsyen e kemi tashmë duhet dëshira, sepse asgjë nuk ndryshon nëse nuk ndryshojmë ne diçka. Nuk mund të kemi ndryshim nëse nuk fillojmë ndryshimin nga vetja, pa qenë edhe vet faktor ndryshimi. Por, për gjendjen kaotike, pas më shumë se tri decenieve pluralizëm ne vend, nga një tranzicion i stërzgjatur dhe i stërngarkaur të gjithë jemi bashkëfajtorë në nje formë, kush aktiv e kush pasiv. Liberalizmi dhe demokracia edhe pse të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, ato janë koncepte të veçanta.
Demokracia e drejtë e qytetarit për të pasur pjesë në pushtetin politik, por realisht sa demokraci kemi dhe sa participojmë ne pushtetin politik?! Për fat të keq, demokracia konceptualisht ende njihet si term deklarativ, dhe jo praktiko-pragmatik. Në mënyrë permanente sistemi politik ndikon në mënyre të drejtpërdrejtë ose tërthorazi te popullata, e jo anasjelltas! Qytetarët me ose pa vetëdije bëhen pjesë e trendëve të projektuara të cilat janë në destinuar të dështojnë në periudha afatmesme, me politikat selektive dhe demagogjike.
Gjykoj se tash më pak se kurrë është koha për me pak folklorizëm, dhe më shume se kurrë për aksion dhe ndryshim, sepse në instance të fundit vetëm ndryshimi i sistemit dhe strukturave politike që në mënyrë permanente kanë bërë investime jo të multiplikueshme në gjithë sferat, dhe instalimi i një sistemi ekselent politik, me theks të veçantë në pikat kyçe në arsim dhe gjyqësor, mund të sjell një ambient më të kthjellët dhe të largoj definitivisht rretë e zeza ne horizont, që për me shume së tri decenie kanë kapluar ”qiellin”! Por, këtë gjë nuk mund të bëj askush, përveç qytetarëve të Maqedonisë, vullneti dhe dëshira patjetër të jetë “vendase” kurse teknikalitetet tjera mund të jenë dhe ndihmë ndërkombëtare.