Përderisa reformat mbeten “nga e hëna”, u lajmërua shpërbërja e këshillave të drejtësisë në RMV

Analizë për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Njoftimet e qeverisë së re për “shpërbërjen” e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë e “shqetësuan seriozisht” Komisionin Europian, sepse një gjë e tillë “do ta cenonte pavarësinë e gjyqësorit”. Kështu thuhet në Raportin e BE-së për sundimin e së drejtës të publikuar kohëve të fundit. Në fjalorin e këtij raporti “shqetësimi serioz” përdoret për ngjarjet më eklatante, ato që “kanë rënë në sy” më së shumti dhe kanë potencial të kontribuojnë ndjeshëm në dëmtimin e shtetit ligjor.

Raporti për sundimin e së drejtës në BE publikohet nga Komisioni Evropian për herë të pestë dhe për herë të parë këtë vit përfshin disa nga vendet kandidate – përveç Maqedonisë edhe Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Ky është një nga hapat që BE-ja po i ndërmerr në të ashtuquajturin “integrim gradual” të shteteve të rajonit. Është një mundësi që ato të maten, vlerësohen dhe krahasohen me vendet anëtare me të njëjtat kritere dhe metoda, por edhe të përfshihen në një dialog gjithëpërfshirës që presupozon procesin e krijimit dhe diskutimit të këtij raporti. E kjo është ajo që ne e kërkonim dhe këtu nuk ka vend për zemërim. Prandaj, le t’i kthehemi njërës nga temat të cilat i trajton Raporti – “shpërbërja” e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Fillimisht, vetë termi “shpërbërje” i referohet të gjithë organit, gjegjësisht do të thotë ndërprerje e parakohshme e mandatit të të gjithë organit. Kjo zakonisht bëhet me një ligj të ri me të cilin u përfundon mandati anëtarëve ekzistues dhe zgjidhen të rinj, sipas kushteve dhe procedurës së re të përcaktuar në ligjin e ri.

Të shohim se çfarë ka shkruar Qeveria në programin e saj lidhur me këtë çështje. Ajo ka theksuar se në reformat e planifikuara të gjyqësorit synimi do të jetë “prezantimi i ligjeve dhe standardeve evropiane në tekstin e të gjitha ligjeve sipas parimit evropian “Rule of Law check list”. Më pas thekson se parashikon “shpërbërjen dhe reformën ligjore të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë”, që do të përfshijë një periudhë kalimtare me inicimin e ndryshimeve ligjore për anëtarët e rinj që nuk janë gjykatës, si dhe inicimin e ndryshimeve kushtetuese lidhur me përbërjen dhe kriteret e përzgjedhjes. Në këtë proces Qeveria do t’i marrë parasysh të gjitha rekomandimet dhe praktikat më të mira të BE- së.

Pra, le të shohim se çfarë thonë standardet evropiane. Ato përcaktohen në të drejtën primare të BE-së (Karta e të Drejtave Themelore, marrëveshjet për krijimin dhe funksionimin e BE-së), si dhe standardet e zhvilluara nën mbulimin e organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, para së gjithash të Këshillit të Evropës. Gjithnjë e më të shpeshta po bëhen Vendimet e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, si dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për pavarësinë e gjyqësorit. Standardet paraqiten si acquis të BE-së gjatë shqyrtimit dhe janë bazë për kriteret e unifikuara të përcaktuara për Raportin e sundimit të së drejtës. Ndër të tjera këtu është edhe “Rule of Law check list”, gjegjësisht “lista e kontrollit të sundimit të së drejtës” e Komisionit të Venecias. Ajo është në fakt një përmbledhje e standardeve të krijuara gjatë punës së këtij organi të njohur për sundimin e të drejtës. Burime të tjera janë aktet e Këshillit të Evropës, si dhe organeve të tjera nën kupolën e tij (këshillat konsultues të gjykatësve dhe prokurorëve evropianë, GRECO, etj.), nën kupolën e BE-së, të organizatave ndërkombëtare, jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.

Standardet evropiane në lidhje me këshillat gjyqësorë bazohen në parimin se ata, si garantues të pavarësisë së gjyqësorit, duhet të jenë vetë të pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Sipas listës kontrolluese për sundimin e të drejtës të Komisionit të Venecias, këshillat gjyqësorë duhet të jenë të pavarur, të kenë pjesëmarrje të ekuilibruar të përfaqësuesve të gjyqësorit, publikut dhe avokatëve dhe t’i mbrojnë në mënyrë efektive gjykatësit kundër sulmeve të pabaza. Komisioni i Venedikut ka marrë tashmë një qëndrim negativ për ndryshimin të propozuar për “përfundimin e parakohshëm të mandatit” të anëtarëve (Gjeorgji). Eksplicit në lidhje me këtë çështje është Plani i Veprimit i Këshillit të Evropës për forcimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit, Këshilli Konsultativ i Gjykatësve Evropianë të Këshillit të Evropës (KKGJE) dhe Rrjeti Evropian i Këshillave Gjyqësorë. Standardi është i njëjtë si për gjykatësit – mandati duhet të jetë i sigurt, pra të mos ketë ndërprerje të mandatit, gjë që konsiderohet si parakusht kryesor për pavarësinë e tyre. Sipas KKGJE (2021) “Anëtarët mund të shkarkohen nga detyra vetëm në bazë të sjelljes së pahijshme serioze të dëshmuar në një procedurë në të cilën garantohen të drejtat e tyre për një gjykim të drejtë” (paragrafet 36-38). Rrjeti Evropian i Këshillave Gjyqësorë (nën kupolën e BE-së, ku Maqedonia është vëzhguese) në Përmbledhjen e tij të vitit 2021 për Pavarësinë e Këshillave Gjyqësorë thekson nevojën që anëtarët e Këshillit të kenë të njëjtat garanci si gjykatësit edhe në aspektin e sigurisë së mandatit.

Ky dokument, si dhe Plani i Veprimit i Këshillit të Evropës, përmbajnë qëndrimin se ndryshimet në kornizën ligjore për punën e këshillave gjyqësorë nuk duhet të çojnë deri në përfundimin e parakohshëm të mandateve të personave të zgjedhur sipas kornizës së mëparshme. me përjashtim të rasteve kur ndryshimi i kornizës ligjore synon të përforcojë pavarësinë e përbërjes së këshillit. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vendimin për çështjen Grzęda vs. Polskago e trajton shkarkimin e parakohshëm të një anëtari të këshillit, pa bazë kushtetuese, si një kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit, e cila nga ana tjetër është një parakusht për sundimin e të drejtës. Në një aktgjykim preliminar të vitit 2019 (përsëri një lëndë nga Polonia) Gjykata e Drejtësisë e BE-së udhëzon gjykatën kombëtare që, midis të tjerash, ta shqyrtojë pavarësinë e Këshillit Gjyqësor kundrejt pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv si një faktor për të përcaktuar pavarësinë e gjykatës së zgjedhur nga ai. Standardet evropiane sa u përket prokurorëve publikë janë më të kujdesshëm në raport me “pavarësinë”, kështu që në radhë të parë te ato flitet për “autonomi” dhe ende nuk është krijuar një standard i vetëm për ekzistimin e një këshilli të pavarur për prokurorët publikë, ndonëse përpjekjet po shkojnë në atë drejtim. Megjithatë, ndërprerja e parakohshme e mandatit të një organi të pavarur tashmë të krijuar do t’u nënshtrohet kritikave.

Është evidente kontradikta e Programit të Qeverisë në raport me Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorëve Publikë. Nuk është e mundur që njëkohësisht të respektohen standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe të shpërndahen këto dy organe, pra t’u ndërpritet mandati anëtarëve të tyre. I pëlqen apo jo, Qeverisë do t’i duhet ta zgjidhë këtë kontradiktë. Sigurisht që do të jetë më e vështirë sipas standardeve evropiane. Shumë më e lehtë do të jetë të ndërpritet mandati me një ligj. Dhe le të shpresojmë se do të zgjidhen anëtarë me integritet dhe kapacitet, të cilët nuk do të bien pre i ndikimeve, në çfarëdo mënyre të re që të zgjidhen. Megjithatë, këtë nuk mund të na garantojë asnjë model, qoftë edhe perfekt në letër. (Dhe se nuk ka modele të përsosura apo praktika të përsosura tregon edhe Raporti i KE-së për sundimin e të drejtës). Përkundrazi, dyshimi do të jetë edhe më i madh se mandati i ndërprerë me dhunë është vetëm një hyrje në politizimin edhe më të madh të këtij organi. Realisht, rezultati i shpërbërjes eventuale do të jetë vetëm një rreth vicioz i ndërhyrjes politike në gjyqësor.

Një tjetër pasojë e rrezikshme e një hapi të tillë eventual është se shumica parlamentare do të anulonte gjithçka që është bërë me reformat në drejtësi që nga pavarësia e deri më sot – gjatë qeverisjes apo opozitës së të gjitha partive. Gjithashtu vështirë do të kalonte edhe justifikimi se ky ndryshim po bëhet për të garantuar pavarësinë, sepse të gjithë ndryshimet e mëparshme, të gjitha ato “reforma”, ishin me një pretekst të tillë.

Vitin e ardhshëm do të duhet ta shënojmë anëtarësimin 30-vjeçar të Maqedonisë në Këshillin e Evropës – organizatë në të cilën janë ndërtuar (me pjesëmarrjen tonë!) shumica e standardeve të sundimit të së drejtës që janë pjesë e acquis-it të BE-së. Ndërsa reformat në drejtësi të frymëzuara nga orientimi i ri strategjik filluan disa vite më parë. Maqedonia ishte e para në rajon që aplikoi një këshill të pavarur gjyqësor.

Është e lehtë të konkludohet se asgjë nuk ka funksionuar, kështu që le të fillojmë përsëri nga e para. Vetëm se në këtë rast nisja nga fillimi në fakt nuk do të ishte një fillim i ri, por një tjetër garë në pista të shkurtra, në kondicion më të keq, nga një pozicion më i keq.

Kjo gjë i ngjan premtimit të përjetshëm për dietë: “Edhe tani do ta prish dhe nga e hëna do filloj dietën”. Dhe ajo e hënë e shkretë gjithmonë fillon me një tepricë problemesh të shtresuara.

Një element kyç që mungon në këtë histori është dialogu i bazuar në argumente, të cilat nga ana tjetër duhet të rrjedhin nga analiza. Me sa duket ka nisur një lloj dialogu me përfaqësuesit e huaj. Për fat të keq dialogu i nevojshëm i brendshëm dhe i strukturuar me të gjithë faktorët mungon plotësisht. Mungesa e një dialogu të tillë, si dhe mungesa e transparencës, mbart rrezikun e humbjes së mbështetjes për reformat nga palët e interesuara dhe nga sektori civil.

Zgjidhje ka gjithmonë, pyetja është nëse ka vullnet për t’i gjetur ato. Dilema mbetet nëse bëhet fjalë për mungesë njohurie apo ajo më e rrezikshmja – shkelja e vetëdijshme e parimeve.