Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum Tetovë nesër do të sjellë orën letrare me poetë evropianë dhe shqiptarë
Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum Tetovë, nesër me fillim nga ora 17.30 në hapësirat e Qendrës Ballkanike “Loja” në Tetovë, do të realizojë projektin, “Ngjyra e emocione në vargje poetike, poetë evropianë dhe shqiptarë – orë letrare nga Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum Tetovë “, shkruan Portalb.mk.
“Në zemër të qytetit tonë, ku kultura dhe kreativiteti lulëzojnë, ne jemi të lumtur të organizojmë një orë letrare të veçantë, e cila do të realizohet nga Departamenti i të Rinjëve i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum Tetovë.
Ora letrare titullohet “Ngjyra e emocione në vargje poetike, poet evropian dhe shqiptar”, një udhëtim i thellë në botën e brendshme të çdo individi, ku emocionet marrin formë dhe ngjyrë.
Qëllimi kryesor i kësaj ore letrare është të nxisë kreativitetin dhe shprehjen artistike të të rinjve. Do të përzgjidhet një poezi nga një autor evropian dhe shqiptar dhe do të lexohet nga vetë krijuesit tetovar që do të jenë të pranishëm.
Do të ketë gjithashtu pikë muzikore me flautë dhe kitarë.
Të gjithë pjesëmarrësit do të shijojnë krijimet më të bukura e të përzgjedhura dhe do të kenë mundësinë të eksplorojë botën e brendshme, duke interpretuar emocionet e ndryshme përmes gjuhës së artit.
Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të ndarë perspektivat unike dhe për të festuar diversitetin e shprehjes.
“Pjesa e dytë e orës letrare do të përfshijë leximin e poezive autoriale të poetëve vendas, tetovar. Ky është një stimulim për të rinjtë që të vazhdojnë të zhvillojnë pasionin e tyre për letërsinë”, thuhet në njoftim.
