Shkup, 144 gjoba për një ditë: Tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq, pa patentë shoferi…

Policia e trafikut nga Sektori i Punëve të Brendshme të Shkupit gjatë ditës së djeshme kanë shkruar gjithsej 144 gjoba për vepra të ndryshme, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

“Në mesin e të dënuarve ka për vozitje me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar (47 dënime), pastaj janë shqiptuar edhe 7 masa për drejtim automjeti pa patentë shoferi, tre dënime për kalim në sinjal të mbyllur (dritë të kuqe), 7 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga aty shtojnë se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Apelojmë te qytetarët që t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut për të rritur sigurinë në trafik dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.