Shkrimtari nacionalist rus Prilepin u plagos në një sulm me makinë-bombë
Shkrimtari rus Zakhar Prilepin, i njohur për mbështetjen e tij ndaj “operacionit special” të Moskës në Ukrainë, tashmë në muajin e 14-të, u plagos në një shpërthim makine sot, transmeton Anadolu.
Një pajisje shpërthyese ishte fiksuar poshtë makinës së tij, duke vrarë shoferin e Prilepinit, ndërsa gjendja e saktë e shkrimtarit të plagosur nuk dihet, tha agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke cituar burime të zbatimit të ligjit.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, akuzoi SHBA-në, NATO-n dhe Ukrainën për organizimin e sulmit, duke shtuar: “Washingtoni ushqeu një celulë tjetër terroriste – regjimin e Kievit”.
“Bin Laden, DEASH, tani (presidenti ukrainas Volodymyr) Zelenskyy me banditë. (Kjo është) përgjegjësi e drejtpërdrejtë e SHBA-së dhe Britanisë. Ne lutemi për Zakharin”, shkroi ajo në Telegram.
Incidenti vjen në një kohë tashmë të tensionuar, vetëm disa ditë pasi Rusia akuzoi Ukrainën si përgjegjëse për një sulm të penguar me dronë ndaj Kremlinit.
Kievi ka mohuar çdo përgjegjësi.