Shifra të frikshme dhe mungesë strategjie

Shpesh flitet dhe shkruhet për shkaqet e shpërnguljes së banorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por nuk ka asnjë strategji që do ta parandalonte shpopullimin, i cili nuk ndalet me shkresurina, me fjalë të bukura dhe me parulla.

Me kalimin e viteve, vendet do të boshatisen edhe më shumë. Do të ketë mungesë së fuqisë punëtore. Do të shuhen dritat në shumë shtëpi. Shumë shkolla do të mbeten pa nxënës e nxënëse.

Sipas ekspertëve të demografisë, shkaqet e shpërnguljes marramendëse dhe të frikshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë: mungesa e perspektivës, standardi i dobët social, jetësor dhe ekonomik, kujdesi i dobët shëndetësor, klientelizmi, korrupsioni i lartë etj.

Sipas projektimeve, deri në vitin 2050 pritet që Shqipëria të ketë 15.8 për qind më pak popullatë rezidente; Bosnja e Hercegovina minus 18.2 për qind; Mali i Zi minus 6.2 për qind; Maqedonia e Veriut minus 10.9 për qind; Serbia minus 6.7 për qind. Mungojnë projektimet për Kosovën. (Shih: N. Oruç, “Emigration from the Western Balkans”, bpb.de, 4.4.2022.)

Sipas një studimi të fondacionit “Friedrich Ebert”, rreth 43 për qind e të rinjve nga Maqedonia e Veriut duan të largohen nga vendi.

Shpërngulja e të rinjve do të vazhdojë në vitet vijuese dhe do të ketë pasoja të rënda për vendet përkatëse. Plakja e popullsisë do të ndikojnë negativisht në ekonomitë vendore. Mungesa e fuqisë punëtore do të ndjehet në shumë sektorë. Shpërngulja e personelit mjekësor do të krijojë vështirësi në funksionim e sistemit shëndetësor. Vetëm Gjermania ka 1.6 milionë vende të lira pune në sistemin e kujdesit shëndetësor, që i josh mjekët dhe infermierët nga vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë dhe të punojnë atje. (Grup autorësh, “Balkans, dreaming of a future elsewhere”, OBCT, 6.12.2019)

Përderisa vazhdon emigrimi i banorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor me ritëm të frikshëm, qeveritë e vendeve përkatëse nuk kanë strategji si ta parandalojnë këtë proces.  Zgjidhja është shumë e thjeshtë: duhet ekonomi e zhvilluar dhe shtet ligjor e social.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.