Liderë botërorë reaguan ndaj fitores së pritur të Trumpit
Liderë botërorë politikë kanë reaguar pasi republikani Donald Trump ka shpallur fitoren në garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris – fitore që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Trumpi – që kishte udhëhequr administratën amerikane si president nga viti 2017 deri më 2021 – i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.
Rezultatet e zgjedhjeve do të ndikojnë në politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se e ka uruar Trumpin dhe se mezi pret të punojë me të për ta “përparuar paqen përmes forcës në NATO”.
“Lidershipi i tij do të jetë përsëri kyç për të mbajtur Aleancën tonë të fortë”, tha Rutte në një postim në X.
Gjatë fjalimit të tij para mbështetësve në Florida, kur shpalli fitoren, Trump tha se do të investojë më shumë në ushtrinë amerikane dhe se do t’i përfundojë luftërat në botë.
Një nga rajonet që ka pasur vëmendje të madhe gjatë fushatës presidenciale ka qenë Lindja e Mesme, shkaku i luftës në Gazë dhe tensioneve mes Izraelit dhe Iranit e Libanit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti fitoren e pretenduar të Trumpit një rikthim historik për ish-udhëheqësin amerikan dhe një fillim të ri për aleancën SHBA-Izrael.
“Urime për rikthimin më të madh në histori! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një angazhim të fuqishëm për aleancën e madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe!” tha Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Gatishmëri për bashkëpunim shprehu edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili uroi për më shumë paqe dhe prosperitet.
“Urime, President Donald Trump. Gati për të punuar së bashku ashtu siç dinim të bënim për katër vjet”, shkroi Macron në X.
Liderët e Bashkimit Evropian – presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel – iu bashkuan thirrjeve të Macronit për bashkëpunim.
“BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë se thjesht aleatë. Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë midis popujve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Prandaj, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike që vazhdon t’u sjellë përfitime atyre”, shkroi von der Leyen.
Ndërsa, Michel tha se “BE-ja do ta ndjekë rrugën e saj në përputhje me agjendën strategjike si një partner i fortë, i bashkuar, konkurrues dhe sovran, ndërsa mbron sistemin multilateral të bazuar në rregulla”.
Kryeministrja e krahut të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, e përgëzoi Donald Trump-in dhe tha se ky rezultat do të forcojë lidhjet midis dy vendeve.
Në një postim në X, Meloni i ofroi Trump-it “përgëzimet më të sinqerta” dhe tha se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të patundur”.
“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se do ta forcojmë edhe më shumë tani”, tha ajo.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, iu bashkëngjit urimeve për Trumpin dhe tha se pret të punojë me të.
“E di se marrëdhënia speciale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së do të vazhdojë të përparojë në të dy anët e Atlantikut për shumë vite që do të vijnë”, tha Starmer në X.
Përderisa rezultatet filluan të anonin në favor të Trump-it, Kina tha se shpreson për një “bashkëjetesë paqësore” me Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të vazhdojmë t’i qasemi dhe trajtojmë marrëdhëniet Kinë-SHBA mbi bazën e parimeve të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitim të përbashkët,” tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme Mao Ning në një konferencë të rregullt për shtyp.
“Ne e respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan”.