Shërbimi profesional i shkollës dhe instrumentet matëse të punës së realizuar
Shkruan: Syrja Etemi

Si pjesëtar i këtij ekipimi të shkollës (pedagog shkollor), nuk mund t’i jap vetes komoditet e të mos hamendësohem në lidhje me një problematikë mjaftë të mprehtë që prek sot shkollën dhe arsimin tonë (fillor dhe të mesëm) në RMV, andaj, që në fillim të trajtesës duhet të pranojmë se mekanizmat për matjen e punës sonë (profilit shumë të rëndësishëm shkollor), fatkeqësisht ende mungojnë.
Por, se, a duhet të justifikohemi vetë në mospërmbushjen e veprimtarive dhe aktiviteteve tona me nxënës, mësues apo prindër, për shkak të financimit të “vakët” të shtetit në mbajtjen e këtij shërbimi, kjo nuk mund të arsyetohet e të përligjet, duke pasur parasysh misionin dhe strategjinë e punës sonë.
Nëse neve punëtorëve të shërbimit profesional psikologjiko-pedagogjik do të na linin të vendosim vetë për „vëllimin” e punës sonë gjatë një njësie kohore, që mund të ishte vit mësimor, muaj apo javë mësimore, cili do të ishte rezultati? Mendoj se do të varionte shumë. Një kuadër i tillë, mund të kryejë një aktivitet në muaj, ndërkohë që një tjetër mund të kryejë një në javë, pavarësisht se veprimtaria mund të ishte: këshillim individual, këshillim grupor, një takim me Parlamentin e Nxënësve apo një veprimtari në ditën botërore të Shëndetit mendor, etj.
Nga ana tjetër duhet nënvizuar se, më kryesorja nuk është sasia e veprimtarive, sesa lloji i veprimtarisë, hartimi i platformës së saj, organizimi dhe realizimi me sukses dhe, më në fund, arritja e objektivit të parashikuar.
A mund të maten objektivat e parashikuara të shërbimit profesional?
Natyrisht, për ne punëtorët shumëvjeçarë në cilësinë e këtij profili, duhet të pranojmë se, nëse një objektiv nuk mund të matet, atëherë ai nuk mund të konsiderohet i tillë. Por, duke qenë se fusha e punës sonë është aq e gjerë, nuk është dhe aq e lehtë të hartohen e të zbatohen objektiva specifikë, të qartë e të matshëm.
Përderisa kjo dilemë që po përsëritet e po shpërfaqet nga viti në vit, numri nxënësve që kërkojnë ndihmë për probleme të ndryshme pranë shërbimit profesional psikologjik-pedagogjikë ka ardhur në rritje. Ky fakt është një matës indikativ i punës së shërbimit profesional ( psikologut, pedagogut, sociologut apo punëtorit social, edukatorit rehabilitues).
Pa dashur të mohojmë punën e askujt, duhet të theksojmë se, numri në rritje i nxënësve që drejtohen tek psikologu, pedagogu apo sociologu i shkollës, tregon rritjen e rolit të këtij shërbimi dhe, kjo është në kahjen e duhur. Por, nga ana tjetër, thjesht, këtë fakt nuk mund ta konsiderojmë arritje të matshme. Mendoj se shërbimi profesional duhet të masë punën e tij në disa fusha apo drejtime më konkrete: Sa nxënës „problematikë” ka arritur psikologu, pedagogu apo sociologu t’i fusë „në binarë”.
Sa mosmarrëveshje apo konflikte: mësues – nxënës ka zgjidhur. Sa mosmarrëveshje nxënës-nxënës ka sheshuar. Sa nxënës ka çliruar realisht nga kthetrat e substancave psiko-trope. Sa këshillime me prindër (fëmijët e të cilëve kanë “devijuar”, cënuar apo shkelur rregulloret e shkollës) – janë realizuar gjatë një viti mësimor, etj., etj.
Opsione për të ardhmen e shërbimit profesional të shkollës
Mendoj se MASH në RMV dhe BZHA, krahas disa sipërmarrjeve shumë pozitive që ka marrë përsipër t’i implementojë dhe ku implementimi i tyre ka dhënë frytet e veta, duhet seriozisht të mendojë edhe për shërbimin profesional (psikologjiko – pedagogjikë) të shkollave fillore dhe të mesme.
Së pari, mendoj se ky shërbim duhet standartizuar sikurse edhe fushat dhe profilet tjera. (Ndoshta barra për këtë i bie më tepër BZHA-së). Natyrisht si bazë për këtë mund të merren standardet e përmbajtjes dhe të arritjes në shërbimin profesional psikologjiko-pedagogjik në vendet e Bashkimit europian, por pa mos braktisur edhe përvojat pozitive të vendit tonë.
Së dyti, MASH duhet të hartojë në mënyrë të plotë dhe të detajuar obligimet, qëllimet dhe detyrat e shërbimit të lartëpërmendur; marrëdhëniet e tij me institucionet arsimore, rekrutimi dhe zhvillimi në karrierë, kritere profesionale të qarta për të ushtruar këtë profesion, trajnimi, çertifikimi dhe bartja e krediteve, si edhe elementë të tjerë, që do ta bënin pozicionin e tij shumë të qartë në praktikë.
Së treti, Ministria e Arsimit duhet të rishikojë mundësinë e ofrimit të shërbimit profesional për të gjithë nxënësit, pavarësisht qendrave të tyre të banimit. Nuk duhet lënë jashtë hartës së shërbimit psikologjiko-pedagogjikë nxënësit e zonave të largëta rurale, për shkak të distancës nga qendrat urbane. Të ballafaquar me dukuritë negative të përditshme, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e tyre ndodhin pikërisht në këto zona, ku si shkaqe kryesore përmenden niveli i ulët ekonomik dhe kulturor i komuniteteve të tyre.
Së katërti MASH dhe BZHA duhet të hartojnë programe periodike dhe të orientuara trajnimi për kuadrin e shërbimit profesional të shkollës, me synim që ky kuadër i profilizuar të merr përsipër trajtimin dhe shërbimin e të gjithë nxënësve të prekur nga simptomat e dukurive negative të reja, të cilat nxiten nga zhvillimet shpesh herë të pakontrolluara të shoqërisë së konsumit, sidomos të ndikimit të situatave të krijuara si reflektim nga ana e krizave të natyrave të ndryshme, me ç’rast nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme po ballafaqohen në kohën e “makutërisë” globale.