Shënimi i Ditës Botërore të Sklerozës Multiple, vitin e kaluar në vend u regjistruan 115 pacientë të rinj
Sipas evidencave zyrtare, në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka rreth 2.500 pacientë të diagnostikuar me Sklerozë Multiple. Trendi i zbulimit të pacientëve të rinj është në rritje, gjë që konfirmohet nga 115 pacientët e rinj të diagnostikuar gjatë vitit 2025, theksoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Universitare të Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, në një konferencë për media me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Sklerozës Multiple, transmeton Portalb.mk.
Ai informoi se klinika është në proces intensiv për furnizimin me një aparat të ri të rezonancës magnetike, i cili do ta shkurtojë ndjeshëm kohën për vendosjen e diagnozës dhe vlerësimin e sëmundjes. Gjithashtu, është rritur edhe buxheti i klinikës për furnizimin me barna për vitin 2026, i cili tani arrin në 451 milionë denarë.
“Ky rritje mundëson qasje në trajtim për një numër më të madh pacientësh, nga 961 pacientë në vitin 2025 në 1.020 persona që do të marrin terapi. Ajo që është edhe më e rëndësishme, në përputhje me trendet botërore mjekësore, afro 600 pacientë janë në trajtim me terapi modifikuese me efikasitet të lartë, duke parandaluar drejtpërdrejt rikthimet e sëmundjes dhe invaliditetin afatgjatë”, tha Bozhinovski.
Nga Shoqata Kombëtare për Sklerozë Multiple theksuan se po fillon decentralizimi i trajtimit të pacientëve me Sklerozë Multiple në tri institucione publike shëndetësore: Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit 8 Shtatori, Spitalin Klinik në Shtip dhe Spitalin e Specializuar për Ortopedi dhe Traumatologji në Ohër.
Sipas drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, nëse kjo fazë pilot jep rezultatet e pritura, decentralizimi do të zgjerohet edhe në qytete të tjera me qëllim që terapia të jetë më afër shtëpisë së pacientëve, duke eliminuar udhëtimet e lodhshme dhe shpenzimet e transportit.
Kujtojmë se shkaku i sklerozës së shumëfishtë është ende i panjohur dhe ende nuk ka kurë, por ka medikamente që mund t’i ndihmojnë njerëzit me të marrin nën kontroll sëmundjen dhe ka shumë mundësi për përmirësimin dhe menaxhimin e simptomave.