Shefi i diplomacisë gjermane sot viziton Shkupin, në fokus: zgjerimi i BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadeful, mbërrin në Shkup këtë pasdite, në kuadër të turneut të tij në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Siç është njoftuar, Wadeful do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski. Një takim dypalësh i dy delegacioneve është planifikuar të mbahet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Shefi i diplomacisë gjermane filloi turneun e tij tre-ditor në vendet e Ballkanit Perëndimor të dielën nga Sarajeva, dhe dje qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin e vendit, Aleksandar Vuçiq, me ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq, si dhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Wadeful paraprakisht vizitoi Malin e Zi dhe Shqipërinë. Në Mal të Zi, ai bisedoi me kryeministrin Milojko Spajiq dhe ministrin e Jashtëm Ervin Ibrahimoviq. Në Shqipëri, dje pasdite, ai u takua me ministren e Jashtme Elisa Spiropali dhe kreun e Prokurorisë Speciale të Shtetit për Luftën kundër Korrupsionit, Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit.

Shefi i diplomacisë gjermane vjen në Shkup nga Prishtina, ku u takua mepresidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin me mandat teknik Albin Kurti dhe me ushtarët gjermanë në misionin KFOR.

Ministria e Jashtme gjermane deklaroi në njënjoftim se Berlini mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo konfirmohet nga turneu i Wadeful.

Fokusi i vizitës në Maqedoninë e Veriut, siç u tha, do të jetë progresi dhe sfidat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa temat e diskutimit do të përfshijnë gjithashtu reformat dhe stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.