SHBA-të pezulluan shumicën e vizave për personat me pasaportë palestineze
SHBA-të ka pezulluar shumicën e vizave për personat me pasaportë palestineze, raportojnë mediat amerikane. Vendimi, i zbuluar përmes një kabllogrami diplomatik të datës 18 gusht dhe i cituar nga New York Times dhe CNN, u kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat jo-emigruese për të gjithë mbajtësit e pasaportës së Autoritetit Palestinez, përfshirë ata që udhëtojnë për biznes, studime apo trajtim mjekësor. Departamenti i Shtetit nuk e konfirmoi hapur masën, por deklaroi se “po ndërmerren hapa konkretë në përputhje me ligjin amerikan dhe sigurinë kombëtare”, raporton Klan.
Ky zhvillim vjen disa ditë pasi rreth 80 zyrtarë palestinezë, mes tyre edhe presidenti Mahmoud Abbas, u penguan të merrnin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, pas revokimit të vizave të tyre nga autoritetet amerikane. Më herët gjatë gushtit, SHBA-të pezulluan përkohësisht vizat për qytetarët që udhëtonin nga Gaza, ndërsa masa e re shtrihet edhe në Bregun Perëndimor dhe diasporën palestineze.