SHBA shpalli non-grata për korrupsion një ish-funksionar të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën të premten si person të padëshiruar ish-drejtorin e Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Nexhat Krasniqin për përfshirje në “korrupsion të konsiderueshëm”, raporton VOA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi shpërdoroi postin e tij publik duke marrë rryshfet në shkëmbim të dhënies së kontratës për ndërtimin e parkut industrial në komunën e Drenasit kompanisë Eltoni,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Matthew Miller.

Ky veprim, sipas deklaratës, “dëshmon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të atyre që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë në Kosovë dhe konfirmon përkushtimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë korrupsionit, që dëmton interesin publik, pengon përparimin ekonomik të vendeve dhe kufizon aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve të tyre.”

Në vitin 2015, Nexhat Krasniqi ishte dënuar 26 muaj heqje lirie nën akuzat për shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Emri i tij ishte përmendur në procesin kundër ish ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit Fatmir Limaj nën dyshimet për korrupsion, krim të organizuar e shpërdorim të pozitës zyrtare.

Në vitin 2017 zoti Limaj dhe katër të tjerë të përfshirë në akuzë, u shpallën të pafajshëm.