Rregull i ri për udhëtimin në BE: Nga fundi i vitit do të nevojitet autorizim elektronik, i cili do të kushtojë 20 euro

Udhëtimi në Bashkimin Evropian për qytetarët e vendeve jashtë BE-së po bëhet më kompleks. Pasi të dielën përfundoi periudha fleksibile e zbatimit të sistemit të ri për hyrje-dalje (EES), deri në fund të këtij viti pritet të nisë edhe ETIAS, autorizimi elektronik për udhëtim, i cili do të kushtojë 20 euro, transmeton Portalb.mk.

Me përfundimin e periudhës fleksibile të zbatimit të EES-it, për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian rihapet çështja e pritjeve të mundshme të gjata dhe kolonave në kufij.

Edhe pse periudha e zbatimit fleksibil përfundoi zyrtarisht para tre ditësh, situata në terren tregon se rregullat e reja ende nuk zbatohen në të njëjtën mënyrë kudo dhe në masë të madhe varen nga shteti dhe pika kufitare.

Në disa pika kufitare, për shkak të problemeve teknike, regjistrimi në EES ende bëhet manualisht, ndërsa vende si Greqia dhe Kroacia i zbatojnë kontrollet në mënyrë selektive ose i anashkalojnë fare për shkak të turmave.

ETIAS-i, i cili shpesh shkakton konfuzion te udhëtarët, nuk është i njëjtë me EES-in.

EES dhe ETIAS shpesh përmenden së bashku, por bëhet fjalë për dy sisteme të ndryshme, me qëllime të ndryshme, të cilat zbatohen në faza të ndryshme të udhëtimit.

EES është sistem për menaxhimin e kufijve dhe përdoret gjatë kalimit të kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian. Në vend të vulave në pasaporta, sistemi regjistron të dhënat e udhëtarit, përfshirë fotografinë e fytyrës dhe shenjat e gishtërinjve. Regjistrohen gjithashtu datat dhe vendet e hyrjes dhe daljes, si dhe refuzimet eventuale të mëparshme për hyrje në BE.

ETIAS-i, zbatimi i të cilit është planifikuar për fundin e vitit 2026, është autorizim për udhëtim që merret para nisjes dhe u referohet ekskluzivisht shtetasve të vendeve, qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për vizë. ETIAS-i nuk garanton automatikisht se do të mund ta kaloni kufirin. Zyrtari kufitar ende mund t’ju refuzojë hyrjen nëse nuk i përmbushni kushtet.