Danimarka miratoi rregulla për punësim më të lehtë të shtetasve të huaj, vlen edhe për qytetarët e RMV-së

Parlamenti i Danimarkës më 3 shtator miratoi dy propozime të rëndësishme ligjore që lidhen me punëtorët e huaj dhe kompanitë që operojnë në Danimarkë, duke prezantuar një skemë të re të punësimit të bazuar në marrëveshjet kolektive, transmeton SDK.

Rregullorja e re synon të lehtësojë procesin e punësimit të kuadrove të huaja nga 16 vende, duke ruajtur njëkohësisht standardet daneze të punës, ndërsa zbatimi do të nisë më 1 janar 2027.

Skema është paraparë ekskluzivisht për kompani të certifikuara që garantojnë kushte të përshtatshme pune dhe kompensim të drejtë dhe që janë të përfshira në një marrëveshje përkatëse kolektive.

Kompanitë daneze që dëshirojnë ta përdorin këtë model fillimisht duhet të kalojnë nëpër procesin e certifikimit pranë autoriteteve daneze të imigracionit. Ndër kushtet kryesore për certifikim është që subjekti afarist të ketë së paku dy vjet që operon, të ketë dorëzuar raportin vjetor dhe në momentin e aplikimit të ketë të punësuar së paku 10 persona me orar të plotë dhe kontratë pune pa afat.

Punësimi i shtetasve të huaj do të realizohet ekskluzivisht në pozita të rregulluara me marrëveshje kolektive të njohur. Për kandidatët ekziston edhe një prag financiar, sipas të cilit pozita e ofruar e punës duhet të parashikojë pagë vjetore prej të paktën 322 mijë korona daneze, e llogaritur sipas nivelit të përcaktuar për vitin 2026.

Këto rregulla të lehtësuara për punësim vlejnë për punëtorët që vijnë nga vende të treta të përcaktuara saktësisht, me të cilat Danimarka mban partneritete ekonomike dhe tregtare.

Nga rajoni evropian në listë janë Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Moldavia.

Nga kontinenti amerikan përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Brazili, ndërsa nga rajoni Azi-Paqësor janë përfshirë Kina, Japonia, Australia, Singapori, Malajzia dhe India.

Të gjitha kompanitë që dëshirojnë të punësojnë punëtorë përmes këtij programi do të duhet të sigurojnë përputhshmëri të plotë me rregullat e reja përpara fillimit të zbatimit të tyre në vitin 2027.