Shalli dhe religjioni (1)

Ibrahim Rugova (1944-2006), shkencëtar, kritik letrar, babai themelues i nacionalizmit modern kosovar, lider karizmatik, personalitet ‘i jashtëzakonshëm’, emër që lakohet bashkë me figurat pacifiste më në zë në përmasa botërore. Ai nga analistë të jashtëm është cilësuar si une homme libre (një njeri i lirë) që si vizion ka pasur lirinë, çlirimin e një shoqërie nga diktatura, nga okupimi, nga terrori. Atij iu vendos një nofkë domethënëse romantike: “Gandi shqiptar”. Ai ka udhëtuar në të katër anët e botës, duke paraqitur dhe elaboruar idenë e tij, e cila në fillim dukej utopike dhe donkishoteske, për “Kosovën jashtë Serbisë”, për Kosovën e pavarur. Siç shprehet vetë ai: “Aspirata jonë finale është shtetësia e Kosovës.” (Henry-Levy, 1999: 57) Enciklopedia “Britannica” e quan atë “arkitekt të pavarësisë së Kosovës”. Në dy fjalorët tonë, njëri autorial, Fjalor i sociologjisë (2009) dhe tjetri bashkëautorial (me M.E. Dağ), Fjalor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i diplomacisë (2019) në dy zëra e kemi përfshirë këtë figurë të veçantë të shqiptarisë, që po i japim në vijim:

Mosbindja qytetare (désobéissance civile, civil disobedience). Kundërshtim i veprimeve dhe politkës së qeverisë përmes mospjesëmarrjes aktive në politikë, mosdhënies së taksave, bojkotit e të veprimeve të tjera të ngjashme. Më tepër është shkelje simbolike ose ritualistike e ligjit sesa refuzim i sistemit si tërësi. Ndryshe quhet edhe rezistencë pasive: refuzim për t’i respektuar kërkesat ose urdhëresat e një qeverie ose force okupuese, pa përdorur dhunë ose mjetet aktive të kundërshtimit; qëllimi i zakonshëm i mosbindjes qytetare është arritja e lëshimeve nga pala sunduese. Taktikë ose filozofi e lëvizjeve nacionaliste në Afrikë dhe Indi, në Kosovë (rugovizmi), në lëvizjen  amerikane për të drejtat e njeriut, për të drejtat e punës, në lëvizjet anti-luftë.

Gandizmi (Gandhism) – Filozofi dhe koncept politik i Mohandas Karmehand Gandhi-t (1869-1948), thelbi i së cilës është kundërshtimi i oponentit pa përdorur dhunë, pa i shkaktuar atij dhembjen fizike, dëmtimi i kundërshtarit duke i shkaktuar dhembje të pandalshme shpirtërore. Metodë qëndrese që ka paralizuar pushtetin kolonial anglez, që ua bëri të pamundshme jetën kolonialistëve anglezë në hapësirat indiane. Lëvizje që në sipërfaqe duket e qetë dhe e butë, por në brendinë e saj është jashtëzakonisht e fuqishme, sepse mbështetet në parime të larta morale dhe në vendosmëri të madhe shpirtërore. Mosbindje qytetare si qëndresë paqësore vepruese. Motoja e kësaj teknike politike, e shpalosur nga mendimi filozofik-fetar dhe nacional-politik i prijësit të luftës së indianëve kundër kolonializmit britanik, është kjo: „Jo rrugët që do t’i shkaktojnë vuajtje armikut, por rrugët të cilat do t’i shkaktojnë vuajtje vetvetes. Kundërshtari të largohet nga mëkatet e tij me durim dhe mirëkuptim“. Gandizmi lidhet me maturinë në aksione kundër çdo lloj dhune, kundërvënien pasive, metodë kjo që sipas shumë analistëve ka qenë specifikë e kulturës rezistuese të një pjese të mirë të shqiptarëve të Kosovës – promovuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova – gjatë periudhës së regjimit gjakatar të Millosheviqit. (Berisha, 2001: 48-51; Qosja, 1997: 347)

Shalli i lirisë: Ibrahim Rugova, përherë në kufijtë e arrestimit nga establishmenti serbomadh, i ndjekur dhe i përgjuar, mobilizues i grigjës për rezistencë joviolente, ka fituar një sërë çmimesh të njohura ndërkombëtare: Çmimi për Paqe dhe Liri për vitin 1995 dhënë nga Fondacioni Danez PL-Fonden, atë për lirinë e mendimit, i quajtur pas disidentit të guximshëm rus, Andrej Saharov, ndërkohë që ishte propozuar nga shumë anë për Çmimin Nobel për Paqen. (Jutarnji List, 2006) Sipas Çapriqit (2006), “ai krijoi një imazh paqeje në Ballkan gjatë periudhës së luftërave të egra, veçanërisht në Kosovë. Ishte një politikan atipik për këto hapësira. Ai u angazhua për një zgjidhje paqësore në një kohë kur të gjithë të tjerët po angazhoheshin për zgjidhje ushtarake dhe luftarake.” Rugovizmi mbetet një lëvizje apo ideologji independiste, frymë rreth një intelektuali dhe qarku që dinte të notojë në ujëra tepër turbulente ballkanike ku nacionalizmat destruktivë kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve në vitet 1990. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.