Shaban Saliu shpalli kandidaturën për kryetar të Shuto Orizarit

Ministri pa resor, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022-2030 dhe kryetari i partisë Forcat Demokratike të Romëve, Shaban Saliu, dje njoftoi kandidaturën e tij për kryetar të komunës së Shkupit, Shuto Orizarë, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij para banorëve të Shuto Orizarës, Saliu prezantoi programin për një komunë moderne, funksionale dhe dinjitoze.

Ai njoftoi se përparësia e tij do të jetë ndërtimi i infrastrukturës që do t’u sjellë jetë cilësore të gjithë banorëve, siç janë rrugët e shtruara në çdo shtëpi, furnizimi me ujë dhe kanalizime i zgjeruar, ndriçimi LED dhe shtigjet e sigurta për këmbësorë, si dhe banesa të reja sociale.

Ai njoftoi krijimin e një ekipi shëndetësor mobil, rinovimin e plotë të klinikës ambulatore, ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit dhe krijimin e një Fondi për Mbështetjen e Familjeve në Nevojë.

“Shuto Orizari do të bëhet një komunë mundësish duke ndërtuar fabrika, duke hapur vende të reja pune, duke mbështetur sipërmarrësit e rinj dhe duke zhvilluar një treg për produktet kulturore artizanale”, tha Saliu.

Saliu ishte drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga viti 2008 deri në vitin 2017, dhe së bashku me disa persona të tjerë që kishin shërbyer si drejtorë të DMSh gjatë dhjetë viteve të fundit, ai u gjend i dyshuar në hetimin për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Puls” në Koçan, në të cilin vdiqën 62 persona dhe u plagosën pothuajse 200.

Ai u arrestua në mesin e prillit, së bashku me 22 persona të tjerë si pjesë e zgjerimit të hetimit për zjarrin katastrofik. Ndër të arrestuarit në atë kohë ishte edhe drejtori aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami, kuadër i VLEN-it.

Për shkak të nevojave të hetimit, ministri pa resor dhe kryetar i partisë Forca Demokratike e Romëve kaloi një periudhë të caktuar në paraburgim efektiv.

Ai u lirua nga atje në fund të majit, kur paraburgimi i tij u zëvendësua me masa paraprake.