Sevdije Koxha u shkarkua nga pozita e drejtoreshës, aplikoi me certifikatë të falsifikuar të gjuhës angleze nga Plovdivi i Bullgarisë
Spitali i përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar Dibër ka nga sot drejtor të ri, mëson “Sloboden Peçat”. Drejtoresha e mëparshme e spitalit, mjekja pediatre Sevdije Koxha, është shkarkuar nga pozita e drejtoreshës së spitalit të Dibrës, pasi në gjykatë është deklaruar fajtore për përdorimin e një certifikate të falsifikuar të gjuhës angleze nga personi juridik “Julia Tso. LTD” Plovdiv Bulgaria, erdhi në pozitën, gjegjësisht aplikoi në thirrjen publike për pozitën e drejtoreshës në spital, transmeton Portalb.mk.
Mersim Koleçi nga sot është drejtor i ri i Spitalit të Përgjithshëm Dibër. “Sloboden Peçat” ka kontaktuar me Koleçin, i cili ka konfirmuar se të premten Ministria e Shëndetësisë e ka njoftuar përmes telefonit për emërimin e tij dhe pritet që brenda ditëve në vijim të marrë një vendim zyrtar.
Përndryshe, shkarkimi i Sevdije Koxhës vjen pasi ajo u dënua me kusht për falsifikim të një dokumenti – vërtetimi në gjuhën angleze, kusht i domosdoshëm ligjor për postin e drejtoreshës.
“E pranoj se ishte gabim. Nuk isha në dijeni të këtij gabimi, sepse më kërkuan të jem u.d drejtoreshë për gjashtë muaj në Spitalin e Përgjithshëm Dibër. Jam penduar për atë që kam bërë dhe nuk do të ndodhë më”, tha ajo në Gjykatën Penale të Shkupit kur u deklarua fajtor3 për falsifikim dokumentesh.
Aktgjykimi se ajo është fajtore për falsifikimin e një dokumenti është marrë më 4 tetor të këtij viti. Në aktgjykim bëhet e ditur se ajo është shpallur fajtore me pranim fajësie, pasi me datë 14.07.2023 ka përdorur si dokument të vërtetë të rremë një vërtetim të njohjes së gjuhës angleze nga shkolla e gjuhës JULIJA CO. LTD nga Plovdiv, Bullgari dhe ETS TOEFL iBT, raporti i rezultateve të provimit nga data 26.11.2022, megjithëse dokumente të tilla nuk janë lëshuar, në atë mënyrë që ajo i ka përdorur si dëshmi se ka njohuri të gjuhës angleze dhe posedon një certifikatë TOEFL iBT gjatë aplikimit të saj në Konkursin për emërimin e drejtoreshës së Spitalit të Përgjithshëm Dibër me aktivitet të zgjeruar nga data 29.06.2023, që ishte një nga kushtet për përzgjedhjen e konkursit, pas së cilës u emërua drejtoreshë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nga 11.09.2023.
Të njëjtën ditë, më 4 tetor, së bashku me drejtoreshën e spitalit të Dibrës, fajësinë për falsifikimin e të njëjtit vërtetim në gjuhën angleze e ka pranuar edhe një ish-drejtoreshë tjetër e një shkolle në Draçevë të Shkupit, T.K.
“Sinqerisht pendohem dhe e mbaj si përgjegjësi, sepse nuk kam dëmtuar askënd më parë”, tha ajo në gjykatë.
Certifikata të tilla të falsifikuara janë objekt i një interesi të madh publik këto ditë. Dy drejtoreshat e dënuara nuk janë të vetmet që kishin një certifikatë të njohjes së gjuhës angleze në të cilën figuronte emri i personit juridik Julia Co. LTD. Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski kur ka aplikuar për zgjedhjen e asistentit në Fakultetin e Sigurisë ka dorëzuar edhe diplomën TOEFL nga personi juridik Julia Co. LTD. Nuk është kontrolluar nëse është e njëjta kompani nga Plovdivi apo tjetër.
Nga aktgjykimi i dy drejtoreshave siguruar nga Sloboden Peçat, është evidente se gjykata nuk është marrë me faktin se si dy drejtoresha të ndryshme në dy qytete të ndryshme, Shkup dhe Dibër, kanë falsifikuar certifikatat e tyre duke keqpërdorur emrin e një kompanie qindra kilometra larg Maqedonisë, në Bullgarinë fqinje. A ka rrjet në Maqedoni për lëshimin e certifikatave të tilla të rreme TOEFL me qëllim që personat e emëruar të plotësojnë zyrtarisht dhe ligjërisht detyrimin ligjor për të dorëzuar certifikatën e njohjes së gjuhës angleze, është një pyetje në të cilën ky aktgjykim nuk jep përgjigje.