“Shok i madh”… Kështu e përshkruanin zyrtarët e Serbisë deri së fundi liderin tashmë të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduron, raporton Radio Evropa e Lirë. Ndërsa rrëzimin e tij në një aksion amerikan e vlerësuan si “të drejtën e forcës” dhe “të drejtën e më të fortit”.
“Konstatimi nuk ishte kështu kur, në vitin 2022, Rusia e filloi luftën në Ukrainë”, tha për REL-in Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane joqeveritare në Serbi.
Beogradi zyrtar mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë dhe vazhdoi të mbajë lidhje me Moskën.
Serbia forcoi marrëdhëniet me Venezuelën dhe regjimin e saj autoritar, ndërkohë që ky vend, i afërt me Rusinë, ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Maduro u arrestua së bashku me bashkëshorten e tij më 3 janar në një aksion të SHBA-së në Venezuelë, nga ku u transferuan në Nju Jork, ku do të përballen me akuza për trafik droge.
Një ditë pas këtij aksioni, Vuçiq tha se po shembet rendi i vjetër botëror dhe se asnjë rregull nuk vlen, duke vlerësuar se dominon e drejta e forcës dhe se “kush është më i fortë, ai shtyp”.
Ndërsa, fjalë më të rënda, siç tha ai, nuk u përdorën për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Vlerësimet e presidentit të Serbisë për Jelica Miniq, nga Lëvizja Evropiane, janë pjesërisht rezultat i interesave në marrëdhëniet dypalëshe “ashtu siç i sheh ai”.
“Dhe pjesërisht frikë se Serbia po jep mjaft arsye në skenën ndërkombëtare, të cilat mund të shfrytëzohen për ndonjë ndërhyrje të re, të këtij apo atij lloji, kundër regjimit të tij”, shtoi ajo.
Vuçiq më 5 janar deklaroi se i kupton interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se e respekton jashtëzakonisht shumë si presidentin Donald Trump, ashtu edhe SHBA-në, por se Serbia nuk ka alternativë tjetër përveçse të respektojë të drejtën ndërkombëtare.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështetën aksionin amerikan, duke deklaruar se bëhet fjalë për një regjim narko-kriminal dhe se Maduro është diktator që nuk erdhi në pushtet falë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Departamenti amerikan i Shtetit deri në publikimin e këtij teksti nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me reagimin e presidentit të Serbisë ndaj rrëzimit të Maduros.
Aksionin e SHBA-së e dënuan Irani, Rusia dhe aleatë të tjerë të vendit të Amerikës së Jugut, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se aksioni ushtarak amerikan përfaqëson një “precedent të rrezikshëm”.
Shumë aleatë të Uashingtonit, edhe pse deklaruan se nuk kanë simpati për Maduron apo regjimin e tij, paralajmëruan për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Rrëzimin e Madurit e përshëndetën venezuelianët që jetojnë në mërgim.
Miqësia për shkak të Kosovës
Zyrtarët në Serbi vitet e kaluara kanë deklaruar se Serbia dhe Venezuela janë “miq të vërtetë”.
Miqësia buronte nga refuzimi i Venezuelës për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa në forcimin e lidhjeve, Serbia dhe Venezuela në mesin e vitit 2023 nënshkruan Marrëveshjen për heqjen e vizave.
Duke komentuar reagimin e presidentit të Serbisë, Jelica Miniq vlerësoi se “Maduro konsiderohej ‘mik’ dhe aleat për shkak të afërsisë së regjimeve”.
Sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, Serbia është një vend me demokraci të dëmtuar, ku cenohen liritë qytetare dhe ushtrohet presion mbi mediat e pavarura.
Qëndrimi ndaj legjitimitetit të Maduros
Serbia, pavarësisht sanksioneve të BE-së, disa prej të cilave i ka mbështetur edhe vetë, nuk e ka vënë në dyshim legjitimitetin e Maduros.
Njëkohësisht, ajo mbështeti deklaratën politike të BE-së me të cilën vihet në dyshim procesi zgjedhor i 28 korrikut 2024 dhe thuhet se Maduro nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, por gjithashtu pati përfaqësuesin e saj në inaugurimin e tij.
Kryetarja e Parlamentit, Ana Bërnabiq, mori pjesë në janar të vitit2025 në inaugurimin e Maduros në Karakas, ku ai filloi mandatin e tretë gjashtëvjeçar.
Bërnabiq deklaroi atëherë se Venezuela, si “mike e madh e Serbisë”, ndihmon që qëndrimi për paprekshmërinë e kufijve të ndahet nga një numër i madh vendesh të Amerikës Latine dhe vendeve të Karaibeve.
Beogradi, ndër të tjera, llogarit edhe në këtë grup vendesh në luftën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Mosnjohjen e Kosovës e theksoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një bisede telefonike me Maduron në gusht të vitit 2025.