Dymijë vjet të parë Ciceroni pat thënë: “Ligjet bëhen ende më të dështuara ndërsa perandorisë i afrohet fundi”. Çmenduria e Romës së lashtë shkoi aq larg sa Kaligula e shpalli kalin e tij për senator, kurse Neroni dogji Romën për të marrë frymëzim për të shkruar një poezi.
Për një kohë të gjatë, Ballkani Perëndimor ka mbetur peng i gjendjes mendore të Vuçiqit dhe shërbëtorit të tij besnik Dodik. Një analist serb thotë “Ai është një shembull tipik ballkanik sesi në vend të rehabilitimit në institute të shëndetit mendor, ai drejton shtetin”! E gjithë kjo në emër të njëfarë lumturie personale, dhe në kurriz të të gjitha pakënaqësive kolektive. Ndërsa Dodiku si në cirk preferon këngën irituese “Jemi më i fortë se fati” në duel me shefin e tij këndej Drinës, miliona të rinj serbë mbyllin veshët. Por, ata kanë kujdes për atë se një djall nuk luftohet me një djall tjetër, sepse atëherë do kemi punë me dy djaj! Ata janë lodhur nga politikanë profiterë, të cilët sa herë që zbulohet, kërcënojnë me shkëputje. Kurse në kohë të zakonshme luajnë rolin e një nëne të qetë e të qeshur të një fëmije të edukuar, e që në shtëpi bërtet si e çmendur. Prej vitesh premtojnë mjaltë e qumësht, kurse realizojnë bukë e ujë.
Kjo në një kohë kur pllakat tektonike të sigurisë ndërkombëtare tepër janë zhvendosur. OKB-ja, Këshilli i Sigurimit, OSBE-ja dhe do struktura tjera të sigurisë ndërkombëtare, tashmë u ngjajnë shoqatave joqeveritare. E vetmja formulë funksionale e sigurisë mbetet – “gjindu vet”! Tani aktorët e bashkësisë ndërkombëtare nuk bien dot dakord as për ditët e javës! A këtu në Ballkan, shpejt paqja na bëhet e mërzitshme! Andaj gazetari me fame Franko Egro, synon temën ta trajtojë me kohë.
Pas thyerjes së timonit të NATO-s, Vuçiq dhe Dodik u nisën drejt fantazisë së tyre të kahershme të quajtur “bota serbe”, e cila është sinonim dhe akronim për “Serbinë e Madhe”. Një projekt i tillë ogurzi do i përfshinte Serbinë, Republikën Srpska, Kosovën dhe Malin e Zi (madje edhe Maqedoninë)! Dodik shpalli shkëputjen nga Bosnje-Hercegovina për të disatën herë, por fatkeqësisht varka e tij gjithherë ngeci diku! Këtë punë nuk e duan më shumë se 9% të Serbëve të BeH, andaj karroca i mbetet në baltë. Madje edhe ushtimi i “topit ushtues” i Beogradit nuk u dëgjua nga heshtja 16 minutshe e studentëve!
Ndërkohë, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një “Deklaratë të Bashkëpunimit të Mbrojtjes”, e cila është sinonim i një lloj aleance të përbashkët mbrojtëse ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Republika Srpska. Të tre shtetet rajonale synojnë “do rrisin sigurinë në Evropën Juglindore dhe do përmirësojnë gatishmërinë kundër kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme”. Burime kredibile thonë se tani po zhvillohen diskutime për përfshirjen edhe të Bullgarisë në këtë shoqëri. Duket se projekti serb për një “Serbi të madhe” është bërë një akumulues i mirë i zemërimit kolektiv rajonal.
Të tre vendet synojnë “bashkëpunimin trepalësh për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe rajonin Adriatiko-Jonian”, duke theksuar “rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të kërcënojnë stabilitetin evropian dhe ndërkombëtar të rajonit”.
Serbia pat protestuar ashpër për gjoja shkelje të një marrëveshjeje rajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, u përgjigj në “X” se ka kaluar ajo kohë kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohet dhe si duhet bërë. Për sa i përket përmbajtjes së Deklaratës, ai vuri në dukje se Deklarata identifikon katër fusha bashkëpunimi – promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin industrial; përmirësimi i ndërveprimit përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; luftimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë dhe mbështetjen e integrimit euroatlantik. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se do të hulumtohen “mundësitë për zhvillimin dhe përvetësimin e aftësive mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve shumëkombëshe për rritjen e gatishmërisë së forcave ushtarake”, si dhe do të shtohen “investime në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes”.
Sido që të jetë, fakti është se anija e “Botës Serbe” (Serbia e Madhe) po lundron nëpër ujëra të egra tejet të rrezikshme dhe se është çështje kohe kur do thyhet në ato shkëmbinj të mëdhenj. Nuk thuhet kot – me gurin e vet kokës së vet! Pretendimet se Serbia tani po diskuton bllokun e saj ushtarak janë qesharake. Sipas Kuririt serb, Vuçiq dhe kryeministri hungarez Orban tashmë janë në negociata për një kundër-aleancë, ku gjoja do përfshihej edhe Maqedonia dhe Republika Srpska! Duhet shtuar se në këtë moment lajmi për një aleancë të tillë të mundshme nuk është konfirmuar zyrtarisht, por kjo do të ishte rruga më e shkurtër e mundshme për një grusht vendimtar evropian ndaj Orbanit, pa dallim konsensusin. Ai tashmë ka mbushur shumë thasë me mllef në Bruksel.
Por, të rinjtë serbë janë zgjuar. Ata nuk duan mbi ardhmërinë e tyre t’i kenë interesat financiare të Vuçiqit, Vulinit dhe Dodikut, në emër të serbizmit. Ata dëshmuan se mund të mbledhin mbi gjysmë milioni njerëz që pajtohen me ta. Të përpiqesh të shkelësh mbi këtë numër – të paktën, mund të përfundosh si Çaushesku.
Vetëm serbët nuk mund të jetojnë me të tjerët?!
Ballkani ka qenë në torturë psikologjike për dekada të tëra për shkak të aspiratave të politikanëve serbë për një Serbi të madhe. Në emër të një “ideali” të tillë të tyre, në rajon u zhvilluan disa luftëra të përgjakshme. Edhe një Francë e fortë pajtohet që më shumë se katër milionë e gjys francezë etnikë të jetojnë jashtë vendit të tyre (rreth 24 përqind e popullsisë në Belgjikë janë francezë dhe në Zvicër rreth 20 përqind). Edhe Gjermania e fortë nuk e kundërshton se rreth 29 për qind e gjermanëve etnikë jetojnë në vende të tjera – Austri, Holandë dhe Zvicër. Edhe rusët jetojnë në tre vendet baltike. Ata janë në luftë me Ukrainën për arsye të tjera, dhe përkatësia etnike është vetëm një mbulesë. Me çfarë logjike Vuçiq, si paraardhësit e tij që bënë luftëra të përgjakshme, mendon se të gjithë serbët duhet të jetojnë në të njëjtin shtet? Serbia ka Sanxhakun ku jetojnë popuj të tjerët, pastaj çfarë do bëjë me Vojvodinën multietnike, me Luginën e Preshevës etj?!
Shpresa që “nëna” Rusia është këtu është një fantazi e madhe. Ajo ka tre vjet që ka ngecur në baltën e Ukrainës. Në një kohë, ajo pushtoi Hungarinë (1956) dhe Çekosllovakinë (1968) brenda pak orësh, por tani kjo është një e kaluar e largët. Gjërat kanë ndryshuar. Rusia tashmë është shumë e dobësuar. Ukraina ka promovuar këto ditë raketën e saj mrekullibërëse të quajtur “Neptun”, e cila konsiderohet si një raketë legjendare e lundrimit me një rreze veprimi prej mbi 1000 kilometrash. Javën e kaluar, ajo testoi me sukses këtë raketë, duke goditur një rafineri ruse nafte në Tuapse, në rajonin Krasnodar. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh që zjarrfikësit e luftuan për tre ditë. Ukraina tashmë ka arritur të çaktivizojë rreth 10 për qind të kapacitetit të përpunimit të naftës të Rusisë.
Maqedonia pa kompas?
Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të ndalojë së flirtuar me regjimet e Vuçiqit, Dodikut dhe Orbanit. Kur Orbani është anatemuar nga e gjithë Europa, neve na është bërë “vëlla i madh”! Se ai do të na zgjidhë problemet me Kubin e tij të Rubikut është përtej çdo mendjeje elementare! Qeveria bëri një gabim thelbësor duke e sjellë Dodikun në Shkup, të cilin përveç Serbisë, Hungarisë dhe Rusisë, asnjë shtet tjetër evropian nuk e pranon, sepse është në të gjitha listat e zeza të mundshme. As kapela e Trump (MAGA) nuk e ndihmoi. Qeveria në emër të luftës me djallin, na e sjell ferrin! Duhet të kuptojmë se nuk jemi të kualifikuar për lojëra të mëdha, që s’mund t’i gëlltitim sepse na e zënë fytin! Detyra jonë e parë duhet të jetë të kujdesemi për të rinjtë që janë gjithnjë e më pak këtu! Disa prej tyre prej së gjalli përfundojnë në ferr! Nevojitet një hetim i ri, duke përfshirë shitjen e spitaleve modulare të ndezshme nga një pronarë që po ashtu është në listën e zezë amerikane!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.