Seancë qeveritare me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit në NATO: RMV-ja faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor

Me rastin e katër vjetorit nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, Qeveria mbajti seancë formale të cilën e kryesoi kryeministri teknik Talat Xhaferi. Në seancë Xhaferi iu referua rrugës së anëtarësimit dhe theksoi se që nga viti 1993, kur është miratuar Rezoluta në Kuvend, janë bërë shumë ndryshime. Hyrja në NATO u sigurua me reforma dhe me Marrëveshjen e Prespës, siç tha ai, “me vendime të mençura dhe të guximshme shtetërore të qeverisë së atëhershme”. Ai theksoi se anëtarësimi në Aleancë bashkoi edhe qytetarët edhe subjektet politike, transmeton Portalb.mk

Ai theksoi se me anëtarësimin në Aleancë ne jemi pjesë e demokracive më të zhvilluara në botë dhe jemi pjesëmarrës në ruajtjen e paqes për mbi një miliardë njerëz,

“Besoj se të gjithë qytetarët janë krenarë me pamjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut që valëvitet para selisë së NATO-s në Bruksel. Është një pamje e historisë dhe e së ardhmes në një vend. Jam krenar që arritëm të shkruajmë një histori të tillë. Sot Maqedonia e Veriut është një anëtare e çmuar e Aleancës, jo vetëm që jetojmë në stabilitet dhe siguri, por jemi faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Xhaferi.

Duke parë krizat aktuale në botë dhe të gjitha pikat e nxehta, ai theksoi se “është dëshmuar korrektësia e të gjitha vendimeve të vështira që na çuan në anëtarësimin e sotëm në NATO”.

“Ne shohim dhe dëgjojmë tmerret nëpër botë, por pa frikë për ne, sepse e dimë se NATO është garancia më e fortë e sigurisë. Është dëshmi se çdo sakrificë e bërë ia vlente”, theksoi Xhaferi, duke shtuar se NATO është edhe më e bashkuar dhe me vizion të qartë të aleancës me bashkimin e Finlandës dhe Suedisë në dy vitet e fundit.

Ai po ashtu theksoi se anëtarësimi nuk na sjell vetëm privilegje, por edhe obligime për forcimin, siç tha ai, që të jemi më rezistent dhe më të fortë dhe të përballemi me sfidat e mbrojtjes që sjellin trendet.

Përvjetorin e anëtarësimit në NATO e uroi edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili theksoi se këto katër vite nënkuptojnë siguri sepse anëtarësimi ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe se ka ardhur në momentin e duhur “përpara fillimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.”

“Mund ta imagjinojmë se si do të ishte situata në rajon nëse nuk do të ishim anëtar i NATO-s, në ato kushte të ambicieve perandorake ruse. Ukraina është vetëm një stacion i atyre ambicieve të Rusisë dhe një nga ato stacione do të ishte Ballkani Perëndimor”, tha Osmani, duke nënvizuar kontributin e vendit në sigurimin e stabilitetit dhe ndihmës për Ukrainën. Ai vuri në dukje edhe pjesëmarrjen në misione të tjera të ushtrisë sonë dhe se ne kemi arritur 2 për qind të PBB-së si detyrë.

Lidhur me jubileun e 75 viteve nga themelimi i NATO-s (4 prill 1949), kreu i diplomacisë theksoi se politika e dyerve të hapura është një nga politikat më të suksesshme të Aleancës.

“Dua të shpreh kënaqësinë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, ne nuk jemi më anëtarët më të rinj. Me aftësitë e tyre mbrojtëse, roli i NATO-s dhe i të gjithë aleatëve me siguri do të forcohet. Por, integrimi evropian është edhe çështje sigurie, kështu që BE-ja do të duhet të vazhdojë me politikën e dyerve të hapura, sepse anëtarësimi në Union tashmë shihet, para së gjithash, si çështje sigurie që do ta konsolidojë rajonin edhe në atë drejtim”, tha Osmani. 

Në seancë folën edhe zëvendëskryeministri i parë Bojan Mariçiq dhe ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska.

Maqedonia e Veriut u bë vendi i 30-të anëtar i Aleancës më 27 mars 2020, 27 vjet pasi Kuvendi në vitin 1993 njëzëri miratoi Rezolutën që përcakton prioritetet e politikës së jashtme të vendit – anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Më 15 nëntor 1995, vendi nënshkroi dokumentin kornizë për anëtarësim në programin Partneriteti për Paqe, më 14 qershor 1996 u hap Zyra Ndërlidhëse dhe në fund të vitit 1997 Misioni i Përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në prill të vitit 1999, në Samitin e NATO-s në Uashington, Republika e Maqedonisë fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Aleancë, pas së cilës filloi përgatitja dhe zbatimi i Planit të Veprimit për anëtarësim.

Ftesa e anëtarësimit pritej në Samitin e NATO-s 2008 në Bukuresht. Më pas e morën Kroacia dhe Shqipëria, por në deklaratën përfundimtare të atij samiti, Aleanca mori vendim që vendi të merrte ftesën për anëtarësim pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.