Seanca e parë e Qeverisë së RMV-së në fund të javës, projektligji për rritje lineare të pensioneve një nga hapat e parë

Kryeministri Hristijan Mickoski, disa orë pas marrjes së detyrës, sot ka vizituar Shtipin, ku ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të sallës së re sportive “Xhakson”, ka inspektuar ndërtimin e bulevardit të ri “Ilindenska”. Në këtë ngjarje ai njoftoi se deri në fund të kësaj jave do të mbahet seanca e parë e qeverisë, në të cilën, siç tha ai, do të merren disa vendime formale, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski njoftoi se tashmë do të fillojnë të punojnë për zgjidhjen e re ligjore për rritje lineare të pensioneve.

“Në vitin e parë të kemi një rritje lineare prej 5000 denarë për secilin pensionist. Fillojmë me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani dhe ministren e Financave Gordana Dimitrievska-Koçovska që nesër ose pasnesër të kenë një takim pune. Edhe ne po fillojmë ta hartojmë këtë ligj që së shpejti do të jetë në parlament. Diçka që premtuam në fushatë, se nuk do ketë dualizma, se do të ketë reduktim të institucioneve, nuk do të kemi zyrtarë që do të jetojnë me paratë e qytetarëve, por thjesht do të jemi ato që kemi thënë në programin tonë”, tha Mickoski i pyetur se cili do të jetë vendimi i parë që mund të pritet.

Në lidhje me arsyen pse ditën e parë të punës e nis nga Shtipi, Mickoski tha se mesazhi është i qartë se shumë monumente dhe projekte të dështuara janë trashëguar nga qeveria jashtëzakonisht e dështuar e LSDM-së dhe BDI-së dhe të gjitha duhet të shndërrohen në projekte, dhe një i tillë, sipas tij, është Spitali klinik në Shtip.

“Duhet të kemi një fillim të shpejtë dhe fluturues për të treguar dhe vërtetuar se ajo që themi do të zbatohet në praktikë. Të tilla projekte duhet të ketë çdo ditë në Tetovë, në Kërçovë, në Ohër dhe në Manastir dhe në mbarë Maqedoninë, sepse vetëm kështu do ta tregojmë votën që dhanë më shumë se 600 mijë qytetarë për koalicionin “Maqedonia juaj”,  e udhëhequr nga VMRO-ja, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM ofron shpresë”, tha Mickoski.

Ai bëri të ditur se qeveria e re do të ndërtojë aty ku, siç tha, paraardhësit e saj i lanë projekte dhe monumente të dështuara një kohe të keqe, të korruptuar.

Mickoski, i cili sot në ditën e tij të parë të punës është shfaqur me kostum dhe kravatë portokalli, është pyetur edhe nëse ka ndonjë mesazh sepse ajo ngjyrë të kujton një kohë tjetër. Në përgjigje, Mickoski tha se ngjyra portokalli i kujtoi qirinjtë në tortën e fundit të ditëlindjes së djalit të tij.

“Meqë ra fjala, portokallia është një nga ngjyrat e mia të preferuara. Këtë kravatë e mora dhuratë nga një mik dhe e vendosa spontanisht sot në mëngjes pa asnjë mesazh. Por pres ditë të mira”, tha Mickoski.

Mickoski sot e mori funksionin e kryeministrit nga paraardhësi i tij Talat Xhaferi.

Me 77 vota “për” dhe 22 vota “kundër”, Kuvendi zgjodhi mbrëmë Qeverinë e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski. Koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM.

Në votimin e mbrëmshëm “kundër” Qeverisë së re u deklaruan deputetët e LSDM-së dhe të Majtës, ndërsa deputetët e koalicionit “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja e lanë seancën para përfundimit të saj.

Hristijan Mickoski e mori mandatin për të formuar qeverinë e re pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti dhe fitoi 58 ulëse në Kuvend.