Seanca e organizatorëve të dhunës në Kuvendin e RMV-së u shty për më 30 prill

Gjykimi për rastin “Organizatorët e 27 prillit” është shtyrë për më 30 prill të këtij viti. Në fillim të seancës së sotme, gjyqtari Ilija Trpkov informoi se anëtarja e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarja Diana Gruevska mungon dhe seanca është shtyrë për 30 prill, transmeton Portalb.mk.

Seanca e sotme është e para në Gjykatën e shkallës së parë, pasi që dje Gjykata Supreme nuk e pranoi iniciativën e avokatit të të akuzuarit Vladimir Atanasovski, për të vendosur nëse amnistia për sulmin e Kuvendit do të aplikohet në rastin e organizatorëve të 27 prillit.

Tani i takon Këshillit Gjyqësor që të vendosë për rastin në rrjedhën e procedurës pas kërkesës së avokatëve mbrojtës për zbatimin e Ligjit për amnisti në ngjarjet e 27 prillit.

Të akuzuar në këtë rast janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat për transport dhe lidhje dhe arsim, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski.

Ata akuzohen për veprën penale “rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë nga korriku i vitit 2021, me të cilin Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg, ish-ministrat Janakieski dhe Ristovski u dënuan me 6 vjet e tre muaj burgim, ndërsa ish-drejtori i DSK-së Atanasovski u dënua me gjashtë vjet burgim dhe lëndën e ktheu në rigjykim.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ilija Trpkov, ndërsa përfaqësuese e prokurorisë është prokurorja publike Iskra Haxhi Vasileva.

Kujtojmë se nga dhuna e 27 prillit në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.