Së bashku kundër heshtjes: Ndërgjegjësimi etik për dhunën me bazë gjinore

 „Bota nuk do të shkatërrohet nga ata që bëjnë keq, por nga ata që i shohin ata që shkatërrojnë, e nuk bëjnë asgjë!“ – Albert Ajnshtajn

Shkruan: Marina Tuneva (foto e përdorur me leje nga Respublica)
Shkruan: Marina Tuneva (foto e përdorur me leje nga Respublica)

Në një kohë kur titujt po konkurrojnë vazhdimisht për vëmendjen tonë, një çështje shumë e rëndësishme humbet shpesh nga horizonti: përfaqësimi i dhunës me bazë gjinore në media. Mënyra se si (do) trajtohet ky problem në kuadrin social, përfshirë komunikimin publik, do të varet nëse problemi do të vazhdojë të ekzistojë apo nga ana tjetër do t’i hapet rruga zgjidhjes graduale të tij. Në këtë proces mediat luajnë një rol jashtëzakonisht të madh.

Në nivel global, shqetësimet për trajtimin e dhunës me bazë gjinore po rriten vazhdimisht. Lëvizja #Metoo, e cila filloi në SHBA dhe u përhap në mbarë botën, ka nxjerrë në dritë raste të shumta ku mediat ose kanë heshtur ose kanë vepruar keq në raportimet për ngacmime dhe sulme seksuale. Rastet e profilit të lartë, të tilla si ato që lidhen me akuzat kundër manjatit të Hollivudit, Harvey Weinstein, kanë treguar jo vetëm sjellje të pahijshme individuale, por edhe dështime mediatike në raportimin e çështjeve të tilla.

Media në Mbretërinë e Bashkuar u përball me një reagim të ashpër për mënyrën se si mbuloi rastin Sarah Everard në vitin 2021, me kritika që tregonin theksimin e vazhdueshëm në masat e sigurisë që gratë duhet të marrin në vend që të trajtojnë siç duhet çështjen e dhunës ndaj tyre.

Raportimi joadekuat, pa respektuar standardet etike, shumë lehtë mund të ketë efektin e kundërt dhe të kontribuojë në diskriminim dhe pabarazi gjinore më të madhe në shoqëri. Alarmizmi i këtij problemi nuk mund të mbivlerësohet dhe media duhet të njohë fuqinë dhe përgjegjësinë e saj.

Peizazhi mediatik dhe sfidat e informimit

Një analizë e fundit e kryer nga Instituti për Studime të Komunikimit, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), konfirmoi se temat që lidhen me dhunën me bazë gjinore nuk kanë prioritet në mbulimin mediatik. Raportimit të pamjaftueshëm i kontribuojnë dominimi i ngjarjeve ditore politike, burimet e kufizuara në redaksi, mungesa e gazetarëve të specializuar, mungesa e burimeve dhe perceptimi se këto tema nuk kanë rëndësi parësore në informim.

Është e qartë se ka nevojë për raportim më gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm mbi dhunën me bazë gjinore, dhe historive mbi këtë temë shpesh u mungon vazhdimësia. Megjithatë, sfida më e madhe qëndron në mungesën e një politike të qartë editoriale, si dhe udhëzimeve që do t’i ndihmonin gazetarët të drejtojnë narrativën në drejtimin e duhur.

“Busulla etike” e informimit

Konsistenca në raportimin meditik është thelbësore. Ndër të tjera, kësaj i referohen edhe Rekomandimet për informimin mediatik për dhunën me bazë gjinore, të cilat rezultojnë nga analiza e Institutit për Studime të Komunikimit. Ata, mbi të gjitha, theksojnë rëndësinë e vërtetësisë, ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë në informim.

Gjatë raportimit të dhunës me bazë gjinore, është thelbësore të ruhet dinjiteti dhe privatësia e të viktimave, t’u ofrohet atyre mundësia për të ndarë përvojat e tyre, por edhe për të inkurajuar një kuptim më të thellë të problemit dhe ndryshime pozitive në shoqëri.

Problemet që kanë të bëjnë me dhunën me bazë gjinore nuk janë incidente të izoluara. Ato janë të rrënjosura thellë në strukturat shoqërore dhe normat kulturore. Ato ushqehen dhe mbahen përmes pabarazisë gjinore dhe përsëritjes së vazhdueshme të qëndrimeve të dëmshme ndaj burrave dhe grave, të cilat manifestohen në forma të ndryshme, si dhuna në familje, sulmet seksuale, ngacmimet, trafikimi i qenieve njerëzore etj. Për të njohur rrënjën e këtij problemi, raportimi profesional dhe i përgjegjshëm i medias është thelbësor.

Në thelb të gazetarisë së përgjegjshme, është veçanërisht e rëndësishme shmangia e sensacionalizmit, pasi një raportim i tillë mund të çojë në banalizimin e problemit, në përforcimin e stereotipeve ose të shkaktojë dëm ose riviktimizimin e personave që kanë pasur përvoja të tilla. Gazetarët duhet të përmbahen nga publikimi i informacioneve delikate pa marrë pëlqimin ose pa vlerësuar ndikimin e një informacioni të tillë në publik.

Fuqia e informimit mediatik gjithëpërfshirës

Një gazetari e tillë njeh realitetin e shumëanshëm të dhunës me bazë gjinore. Nëpërmjet raportimit gjithëpërfshirës për këtë çështje, theksohet edhe beteja e komuniteteve të margjinalizuara, duke çliruar peizazhin e zërave që informojnë dhe transformojnë. Duke theksuar sfidat me të cilat përballen grupe të ndryshme, gazetarët mund të inkurajojnë zhvillimin e shërbimeve mbështetëse që janë të aksesueshme dhe të rëndësishme për të gjithë të mbijetuarit, pavarësisht nga identiteti apo statusi i tyre social.

Në një botë të përfshirë nga rrjetet sociale, e vërteta është vetëm një frymë larg nga një gënjeshtër. Prandaj, kontrolli i fakteve është mburoja që mund të ndihmojë më së shumti, duke mbrojtur të mbijetuarit dhe shoqërinë nga dëmet e tregimeve të rreme. Vetëm kështu do të hapet rruga e besimit dhe autenticitetit.

Çështje globale, përgjegjësi vendore

Narrativa rreth dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm një përgjegjësi mediatike – është një detyrim shoqëror. Çdo histori që tregojmë, çdo zë që ngremë dhe çdo e vërtetë që nxjerrim në pah ka fuqinë për të riformuar të menduarit, për të sfiduar paragjykimet e rrënjosura thellë dhe për të nxitur ndryshimin në shoqëri.

Por beteja kundër dhunës me bazë gjinore është një përgjegjësi e përbashkët. Gazetarët, institucionet dhe komunitetet duhet të bashkohen në këtë betejë, duke avokuar për një botë që qëndron e vendosur kundër dhunës dhe shkatërron normat toksike. Kështu, historitë gazetareske jo vetëm që do të informojnë, por gjithashtu do të frymëzojnë, inkurajojnë dhe çojnë në ndryshim.

Përtej vetë historive dhe titujve qëndron një imperativ më i thellë. Është nevoja për të kultivuar një mjedis mirëkuptimi dhe ndjeshmërie, ku të mbijetuarit nuk do të jenë thjesht statistika, por zëra që duhen dëgjuar dhe kuptuar në momentin e duhur. Nëpërmjet veprimit kolektiv, llogaridhënies së vazhdueshme dhe përkushtimit ndaj raportimit etik, jo vetëm që do të jetë e mundur të riformulohet narrativa, por edhe t’i kujtojmë vetes si shoqëri se mbrojtja, liria dhe siguria janë të drejta universale të njeriut.

Burimi: Respublica