Sasho Drango, i cili vrau një ari u shkarkua nga posti i zëvendës drejtorit të NP “Rrugët e Maqedonisë”

Me kërkesë të prokurorit publik dhe në bazë të urdhëresës së gjykatës, është kryer bastisje te ish-zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Sasho Drango dhe po ndërmerren veprime në procedurë para hetimore, njofton Prokuroria, transmeton Portalb.mk.

“I denoncuari është marrë në pyetje dhe po kryhet ekspertiza në celularin e tij”, tha Prokuroria.

Nga atje shtojnë se prokurori publik kompetent ka lëshuar disa urdhra për Ministrinë e Punëve të Brendshme, disa prej të cilave ende janë duke u vepruar.

“Pas përfundimit të të gjitha veprimeve do të merret vendim i prokurorit publik”, thuhet në informacionin e Prokurorisë.

Informatat nga Prokuroria vijnë në përgjigje të pyetjeve gazetareske për ecurinë e procedurës ndaj Drangos pasi paraprakisht në media u bë e ditur se “Rrugët e Maqedonisë” ka zëvendësdrejtor të ri.

Sasho Drango zv. drejtor i NP “Rrugët e Maqedonisë” është shkarkuar  dhe në vend të tij është emëruar Aleksandar Shukovski

Në këtë pozitë është emëruar Aleksandar Shukovski, i cili me një postim në profilin e tij në Facebook e ka bërë të ditur pozitën që ka marrë.

“Besimi i dhënë është obligim i madh, por edhe përgjegjësi, prandaj mund të premtoj se do të punoj shumë për ta arsyetuar besimin që më është dhënë”, ka shkruar Shukovski.

Nga Qeveria nuk ka informacione për emërimin e Shukovskit zëvendës drejtor në “Rrugët e Maqedonisë”.

Ish-zëvendësdrejtori Sasho Drango, për opinionin u bë i njohur pas pozimit në një foto me një arush që e kishte vrarë në dhjetor të vitit 2024, për të cilën reagoi OJQ për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”.

Ariu është klasifikuar si kafshë e egër e mbrojtur, që do të thotë se gjuetia persekutimi ose ngacmimi i tij është rreptësisht i ndaluar.