Ndërmarrja e Rrugëve thotë se nuk ka dhënë urdhër për tabelën e re në Tabanoc pa gjuhën shqipe: Makedonijapat është përgjegjëse

Pas bujës së krijuar në opinion për tabelën e re e cila e përjashton gjuhën shqipe dhe e ciëa është e vendosur në pikën kufitare Tabanoc, ku thuhet “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore thotë se kjo nuk është kompetencë e tyre, raporton Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore i tha Portalb.mk se nuk ka dhënë urdhër për ndryshimin e tabelës informuese.

“Mirëmbajtja e rrugëve, si dhe përgatitja dhe vendosja e sinjalizimit vertikal dhe horizontal në rrugë, janë në kompetencë të Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale (Makedonijapat)”, thanë nga Rrugët Shtetërore.

Portalb.mk dje drejtoi pyetje edhe te ndërmarrja Makedonijapat, por nuk morëm përgjigje.

Kjo tabelë e vendosur së fundmi mban mbishkrim vetëm në maqedonisht, anglisht dhe në frengjisht, ndërsa jo edhe në gjuhën shqipe.

Tabela në pikën kufitare me Serbinë, Tabanoc ku nuk figuron gjuha shqipe. Foto e edituar nga rrjetet sociale
Tabela në pikën kufitare me Serbinë, Tabanoc ku nuk figuron gjuha shqipe. Foto e edituar nga rrjetet sociale

Lidhur me këtë, në opinion dhe rrjetet sociale ka pasur reagime të ndryshme të cilat kritikojnë institucionet, mes tyre reagime pati edhe nga përfaqësuesit e opozitës shqiptare, si Bujar Osmani.

Në ndërkohë zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti publikoi një video ku e tregon një tabelë në këtë lokacion e cila ka mbishkrim edhe në gjuhën shqipe.

Megjithatë, kjo tabelë në këtë lokacion është vendosur vite më parë kur shteti e ndryshoi emrin. Ndërkaq kjo e cila u vendos së fundmi është tjetër.

Se në këtë lokacion janë dy tabela, mund të shihet edhe nga pamjet në terren.

Kufiri në Tabanoc. Foto: Printscreen nga Google Maps
Kufiri në Tabanoc. Foto: Printscreen nga Google Maps

Kjo nuk është hera e parë që gjuha shqipe përjashtohet nga mbishkrimet e tabelave rrugore, në vend janë regjistruar disa raste, ndërsa shumë tabela nuk figurojnë aspak në gjuhën shqipe.