Drejtori Arsovski e pezulloi në mënyrë të paligjshme dhe ia ndaloi hyrjen oboistes Petrushevska, Sindikata e Kulturës kërkon mbrojtje nga Ministri Ljutkov
Oboistja e Orkestrës së Operës dhe Baletit Kombëtar (OBK), Tatijana Petrushevska, është pezulluar nga puna nga drejtori i përgjithshëm Oliver Arsovski. Asaj i është ndaluar hyrja në opera për aq kohë sa zgjat procedura disiplinore kundër saj dhe paga i është ulur në 50 përqind, njoftojnë nga Sindikata e Kulturës e Maqedonisë. Nga atje thonë se Petrushevska është pezulluar në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, pa bazë juridike dhe me shkelje të rëndë të të drejtave të punëtorëve, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Sindikata, Petrushevska, e cila është e punësuar në këtë institucion për më shumë se 30 vjet në pozicionin e oboistës së parë, është pezulluar për shkak të një konflikti me dirigjentin mysafir Eduard Ambartsumyan gjatë provave të mbajtura më 16 janar për baletin “Madam Bovari”.
Arsovski tha se sot në orën 11 do të mbajnë takim në institucion me Sindikatën e tyre, pas çka do të publikojnë një kumtesë. Petrushevska ka caktuar konferencë për media në 10.
“Dirigjenti para Orkestrës më akuzoi se nuk po luaja në tempo, në një reagim që dukej sikur me vetëdije donte të hynte në konflikt konkretisht me mua, sikur të isha një cak i paracaktuar. Unë iu përgjigja se kjo nuk është e vërtetë dhe se ‘unë luaj ashtu siç dirigjoni ju’, pas çka ai deklaroi se mund të ishte edhe shumë i keq edhe shumë i mirë, por se tani do të ishte shumë i keq dhe më kërkoi të largohesha nga salla. Kërkova shpjegim se pse duhet ta bëja këtë dhe nëse e kisha shkelur procesin e punës. Pas reagimit të mjeshtrit Jane Bakevski se kjo sjellje e dirigjentit nuk ishte në rregull, ai i ndërpreu provat dhe u largua nga salla në mënyrë demonstrative. Kjo nuk është hera e parë që i njëjti dirigjent mysafir, Ambartsumyan, shënjestron artistët e orkestrës përmes vërejtjeve sarkastike dhe cinike, shpesh edhe me fyerje dhe bërtitje. Kjo ishte pika që e mbushi gotën dhe ne, së bashku me mjeshtrin Jane Bakevski dhe fagotistin e parë Marjan Milloshevski, spontanisht po atë ditë vendosëm që të bënim një denoncim për sjelljen e Eduard Ambartsumyan në drejtori. Pak pasi e dorëzuam në arkiv, para përfundimit të orarit të punës, më njoftuan se kisha një dokument që duhej ta merrja, e ky ishte vendimi për pezullim, me arsyetimin se kisha bërë shkelje disiplinore të karakterit të rëndë”, thuhet në denoncimin e Petrushevskës drejtuar Sindikatës.
Ajo thekson se vendimi për pezullim është i pavlefshëm nga disa aspekte. Ajo thotë se për ta pezulluar nga puna fillimisht duhet të vërtetohet dy herë se e ka shkelur procesin e punës dhe kjo zakonisht u jepet personave para shkarkimit nga puna. Ndaj saj deri më tani nuk është iniciuar ndonjë procedurë. Pastaj, siç thotë ajo, dokumenti është nënshkruar nga drejtori, por jo me dorë, por me faksimil, për çka kanë informacion jozyrtar se ai ndoshta fare nuk ka qenë në shtet më 16 janar.
“Pastaj, deklarata e dirigjentit mysafir Eduard Ambartsumyan është evidentuar me datë 21.05.2025, për të cilën unë nuk jam thirrur të deklarohem dhe kurrë nuk kam marrë një denoncim të tillë, duke pasur parasysh faktin se më datën 21.05.2025 as nuk kam marrë pjesë në ndonjë projekt që kishte lidhje me Ambartsumyan. Ndërsa pretendimet në përmbajtjen e denoncimit janë totalisht të manipuluara dhe të pasakta. Kështu unë konkludova se kisha qenë një cak i paracaktuar, me një vendim tendencioz që flet për një organizim paraprak. Kur erdha ta marr vendimin për pezullim në ditën e parë të punës pas datës 16.01, që është data 20.01.2026, më thanë të pres sepse do të më jepnin edhe një dokument tjetër, për të cilin me sa e kuptova unë ishte duke u përgatitur. Edhe pse me datë dhe i arkivuar më 16.01 unë më 20.01 prita të më dorëzohej Propozimi për inicimin e procedurës disiplinore. Në këtë propozim data e deklaratës së Ambartsumyan ishte 16.01.2026 dhe në të është nënshkruar udhëheqësi artistik, i cili ka qenë në vendin e punës. Me këtë dokument që prita të përgatitej, por i datuar me datë tjetër, drejtoria u përpoq ta përmirësonte gabimin e saj me dokumentin e pezullimit. Ma bënë të ditur se pezullimi është ende në fuqi dhe se jam e padëshiruar në teatër. Sot, më 21.01.2026, drejtori ka caktuar një takim, në të cilin unë nuk pata mundësi të marr pjesë për shkak të pezullimit, dhe i është drejtuar gjithë orkestrës. Në këtë takim në mënyrë demonstrative ai ka deklaruar se përderisa e mbajnë duart, këmbët dhe mendja, ai do ta këtë punë me Tatijanën deri në fund”, thuhet në denoncimin e saj.
Nga Sindikata thonë se dokumentacioni dhe dëshmia e Petrushevskës ngrejnë pyetje serioze dhe alarmante për mënyrën se si Arsovski menaxhon institucionin më të madh kulturor kombëtar.
“Në vend të një menaxhimi të ligjshëm dhe të përgjegjshëm po krijohet imazhi i një institucioni të udhëhequr përmes presioneve, frikës dhe keqpërdorimit me detyrën. A është e vërtetë që drejtori ka ushtruar presion direkt mbi punonjësit që ta vazhdojnë punën ‘me çdo kusht’, pavarësisht pezullimit të paligjshëm të koleges së tyre edhe krahas deklaratave të tyre verbale dhe me shkrim se janë nën presion të fortë psikologjik dhe se nuk janë në gjendje ta vazhdojnë procesin e punës? Kjo nuk është më një çështje e brendshme e OBK-së, por një skandal serioz institucional”, reagojnë nga Sindikata dhe i bëjnë thirrje ministrit të kulturës, Zoran Ljutkov, të përgjigjet nëse do t’i mbrojë punonjësit e kulturës.