“Sapo kam filluar, nuk keni parë ende asgjë”, tha Trump në 100 ditët e tij të para në Shtëpinë e Bardhë
Donald Trump festoi 100 ditët e para të mandatit të tij të dytë presidencial në një tubim në Michigan, ku ai vlerësoi arritjet e tij dhe sulmoi rivalët politikë. Duke e përshkruar mandatin e tij si një “revolucion të logjikës së shëndoshë”, ai tha se do ta përdorte atë për të bërë ndryshime të thella, transmeton Portalb.mk.
“Asgjë nuk mund të më ndalë. Sapo kemi filluar, ende nuk keni parë asgjë. Në 100 ditët e para, kemi bërë ndryshimet më të mëdha në Uashington në 100 vjet”, u tha Trump mbështetësve të tij në një periferi të Detroitit, qendra e industrisë amerikane të automobilave.
Një ditë më parë, ai lehtësoi një element kyç të planit të tij ekonomik, duke ulur tarifat për importet e makinave dhe pjesëve të automjeteve të huaja.
Trump ka hedhur poshtë sondazhet që tregojnë se popullariteti i tij është në rënie, duke thënë se ato janë të rreme. Sipas Gallup, Trump është presidenti i parë që nga Lufta e Dytë Botërore, popullariteti i të cilit ka rënë nën 50% në 100 ditët e tij të para dhe tani qëndron në 44%. Ai kreu sondazhin e tij në tubim, duke u kërkuar pjesëmarrësve të përmendnin nofkat e tyre të preferuara për Joe Biden dhe duke tallur aftësitë e tij mendore.
Trump u mburr për rënien e imigracionit, duke pretenduar se vetëm 7,000 migrantë kaluan kufirin muajin e kaluar, krahasuar me 140,000 në mars 2024. Shtëpia e Bardhë njoftoi se 65,700 migrantë u deportuan në 100 ditët e para të Trumpit.
Në fjalën e tij, ai foli edhe për çmimin e vezëve, duke pohuar se ato kanë rënë me 87%, ndërsa inflacioni, çmimet e energjisë dhe normat e kredive hipotekare kanë rënë gjithashtu.