Gjykata e Lartë do të vendosë për urdhërin e Trump mbi shtetësinë që në lindje
Gjykata e Lartë ra dakord të premten të vendosë mbi ligjshmërinë e planit të diskutueshëm të Presidentit Donald Trump për të hequr të drejtën automatike të shtetësisë në lindje për pothuajse këdo që ka lindur në Shtetet e Bashkuara, raporton Euronews.
Ky urdhër, pjesë e politikave të tij të ashpra ndaj imigracionit, synon që fëmijët e lindur në SHBA të mos marrin automatikisht shtetësinë nëse asnjëri prej prindërve nuk është shtetas amerikan apo banor i përhershëm ligjor.
Vendimi i shumëpritur vjen pasi një gjykatë më e ulët bllokoi urdhrin, duke argumentuar se ai cenon Amendamentin e 14-të të Kushtetutës dhe ligjin federal që kodifikon të drejtën e shtetësisë me lindje. Padia është ngritur nga prindër dhe fëmijë, të cilëve u rrezikohej statusi nga direktiva e administratës.
Gjyqtarët e Gjykatës Supreme do të dëgjojnë argumentet gjatë këtij mandati dhe pritet të shpallin vendimin deri në fund të qershorit, megjithëse një datë e saktë ende nuk është caktuar.
Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar në ditën e parë të mandatit të dytë të Trump më 20 janar, është pjesë e një pakete masash për të kufizuar imigracionin e ligjshëm dhe të paligjshëm. Administrata argumenton se Amendamenti i 14-të nuk garanton shtetësi për fëmijët e lindur nga emigrantë me status të paligjshëm apo të përkohshëm, një interpretim që bie ndesh me praktikën e vendosur prej më shumë se një shekulli në SHBA.