MPB: Numri i viktimave në aksidentet rrugore në RMV është ulur me 40 përqind me futjen e “Qytetit të Sigurt”

Që nga fillimi i zbatimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”, janë regjistruar mbi 130,000 shkelje të rregullave të trafikut, dhe më shumë se 95% e tyre lidhen me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme thekson se të dhënat janë një tregues se rreziku më i madh në rrugë nuk janë kamerat, por drejtimi i papërgjegjshëm i automjeteve. Zbatimi i “Qytetit të Sigurt”, siç thekson Ministria e Punëve të Brendshme, ka kontribuar në një ulje të numrit të viktimave në pesë muajt e fundit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Rezultatet tashmë e konfirmojnë këtë. Në periudhën shkurt deri në qershor të këtij viti, numri i personave të vrarë në aksidente trafiku është ulur me 40% – nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 34 këtë vit. Ne vazhdojmë me zbatimin e tij në të gjithë vendin, sepse qëllimi ynë nuk është të lëshojmë më shumë gjoba, por të kemi më pak aksidente trafiku, më pak jetë të humbura dhe rrugë më të sigurta për të gjithë. “Qyteti i Sigurt” është një teknologji që shpëton jetë. Nuk ka alternativë ndaj sigurisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi së fundmi se sistemi ‘Safe City’ së shpejti do të fillojë të regjistrojë dhe dërgojë gjobat për shkeljet e trafikut edhe për qytetarët e huaj.

“Sistemi ‘Safe City’ është duke funksionuar dhe do të zbatohet për të gjithë, pavarësisht nëse kanë targa të Maqedonisë apo të huaja. Së shpejti do të shihni zbatimin e plotë të hapit të dytë, i cili ka të bëjë me dhënien e gjobave për ata që drejtojnë automjete me regjistrime të huaja”, tha Toshkovski.

Sistemi ‘Safe City’ për regjistrimin automatik të shkeljeve të trafikut ka qenë në funksion që nga 1 shkurti i këtij viti dhe deri më 22 qershor janë regjistruar mbi 120,000 shkelje të trafikut.

Kujtojmë se disa muaj pas lëshimit zyrtar të projektit “Qyteti i Sigurt”, redaksia e BIRN-it analizoi rezultatet e arritura, por edhe problemet me të cilat përballet ky sistem, i cili u shpall si mjeti kryesor për rregullimin e kaosit në rrugë, që çdo vit merr më shumë se 100 jetë njerëzish. Komisioni Evropian tashmë e ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut për këtë situatë në raportet e rregullta të progresit. Vitin e kaluar, në vend u regjistruan 72 viktima për një milion banorë nga aksidentet rrugore, që është një mesatare dukshëm më e lartë se ajo e BE-së (43 viktima për 1 milion banorë).

Ndonëse rezultatet fillestare të sistemit “Qyteti i Sigurt” flasin për ndryshime pozitive, të dhënat për tre muajt e parë të funksionimit zyrtar tregojnë se në Shkup ky projekt nuk ka ndikuar shumë në zvogëlimin e numrit të të vdekurve në komunikacion. Ndërkohë, problemet teknike e vërshuan me ankesa Gjykatën e Shkupit, pasi gjobat po u arrijnë edhe automjeteve që janë të privilegjuara me ligj, e të cilat pastaj duhet të fshihen manualisht.