Rritje e pavarësisë së prokurorëve dhe vendosje e një sistemi të qartë meritash – u mbajt debat publik për ligjin e ri për prokurorinë publike

Reformë e detajuar e procedurave disiplinore, pavarësi më e madhe e prokurorëve dhe vendosja e një sistemi të qartë meritash janë disa nga pikat kyçe të projektligjit të ri për prokurorinë publike. Në debatin publik të sotëm në Kuvend, ekspertët dhe prokurorët përballën qëndrimet mbi zgjidhjen ligjore që synon të sjellë standarde evropiane në sistemin e drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

Projektligji parashikon modernizimin e kornizës ekzistuese ligjore, avancimin dhe vlerësimin e prokurorëve, si dhe forcimin e garancive për pavarësinë e tyre.

Ndër risitë kryesore janë një sistem më efikas vlerësimi, kritere të precizuara për profesionalizëm, menaxhim i përmirësuar i lëndëve dhe një procedurë disiplinore më e detajuar me afate të qarta dhe mekanizma për parandalimin e abuzimeve.

Ligji rrit edhe standardet e transparencës në zgjedhjen e prokurorit publik, përmes seancave publike të Këshillit të Prokurorëve Publikë, prezantimit publik të programeve të kandidatëve dhe publikimit të biografive të tyre.

Profesorja Aleksandra Deanovska-Trendafilova, e cila mori pjesë në hartimin e tekstit, theksoi se një nga detyrat kryesore ishte precizimi i procedurave disiplinore në përputhje me rekomandimet e GRECO-s. Ajo theksoi se hartimi i ligjit ishte një detyrë e vështirë për shkak të kompleksitetit të çështjes, qëndrimeve të ndryshme dhe kufizimeve kushtetuese, por edhe për shkak të nevojës për të përmbushur rekomandimet ndërkombëtare.

“Ndodhte që një procedurë disiplinore kundër një prokurori publik të zgjaste me vite dhe të qëndronte si shpata e Damokleut mbi të, pa afate, pa evidencë dhe pa fshirje të dënimeve”, theksoi profesoresha.

Ajo theksoi edhe rëndësinë e rolit të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

“Këshilli është një filtër serioz; nëse nuk jep mendim pozitiv për asnjë kandidat, Qeveria nuk guxon të propozojë asnjërin prej tyre”, sqaroi ajo.

Sipas saj, në pjesën e shkarkimit janë ndjekur rekomandimet e Komisionit të Venecias, ndërsa përgjegjësia e prokurorit të shtetit duhet të lidhet me kompetencat e tij.

Sllagjana Taseva nga “Transparency” theksoi se shteti duhet të sigurojë kushte pune për prokurorët në mënyrë që të arrihet interoperabiliteti.

“Kjo nënkupton qasje në 13 baza të të dhënave, mundësi për mbledhjen elektronike të provave, pa pasur nevojë që gjithçka të bëhet në letër. Në këtë tekst ligjor nuk shihet synim për krijimin e një prokurorie moderne”, tha ajo.

Sipas prokurores publike Lidija Raiçeviq, garancitë e pamjaftueshme për pagat e prokurorëve, kufizimi i kompensimit për kujdestari, mungesa e qasjes në vend pune dhe pozicioni i paqartë institucional janë vërejtjet kryesore që duhet të adresohen me projektligjin.

“Dinjteti i prokurorit publik fillon me pagën e tij. Ka dispozita që garantojnë se paga nuk duhet të ulet. Ne reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për uljen e saj”, tha Raiçeviq.

Debati publik vjen pasi Kuvendi e konstatoi nevojën për miratimin e ligjit dhe kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare.